Marrëdhëniet tona me Turqinë kanë njohur një regjistër të ri emocional në epokën e
demokracisë. Shumica e takimeve bilaterale apo e vizitave të ndërsjella kanë sfond
togfjalëshin “populli vëlla”, nënkuptohet turk. Kaq shumë përdoret kjo terminologji,
sa duket gati një herezi po të mos jesh dakord. Dalëngadalë, me parimin “përsëritja,
nëna e dijes” këtij pohimi duket sikur i jepet statusi i së vërtetës. Duke gjykuar
marrëdhëniet e mira aktuale në të gjitha nivelet ndërmjet Shqipërisë dhe Turqisë do
të ishte më e pranueshme të thoshim populli mik turk, dhe kjo ulje në gradë nuk është
aspak racizëm, por vlerësim real. Turqia e sotme nuk është Turqia otomane, por nëse
në çdo rast theksojmë “vëllazërimin”, i bie që atë e kemi realizuar gjatë pushtimit
otoman dhe e servirim sot si realitet afektiv ndërmjet vendeve tona. Por, edhe njeriu
më i painteresuar në punë historie tashmë e di që jemi një racë (popull) pa asnjë
lidhje gjaku e gjuhe me familjen e popujve turq. Francezët, italianët, spanjollët,
popuj të trungut latin me gjuhë neolatine, në zhargonin e tyre të raporteve të ndërsjella
nuk e kanë kurrë fjalën “popull vëlla”. Ndërsa ne shqiptarët, gjuhën, ashtu si armenët
dhe grekët, e kemi indoeuropiane, antikitetin e kemi të kontekstualizuar me atë greko-romak,
fqinjësi dhe vijimësi territoriale me turqit nuk kemi, dhe mendojmë që nënat dhe etërit
i kemi thjesht shqiptarë. Një gjë e madhe na lidh vërtet me Turqinë dhe kjo lidhje
është pushtimi gati 500-vjeçar. Por, pushtimi mund të merret si histori e përbashkët,
aq sa është e tillë një marrëdhënie përdhunimi. Pushtimi osman (sot lavdia neo-otomane
është tema më e preferuar e ministrit të Jashtëm Davatoglu), ishte fakti historik
më i tmerrshëm, më i rëndë që u ka ndodhur shqiptarëve përgjatë gjithë historisë së
tyre. Është shenjë e mirë që shqiptarët nuk mbajnë mëri për këtë fakt, sa ç’është
e keqe që e harrojnë atë. Skolareske duket të përsërisësh disa të vërteta të thjeshta,
por kur ato harrohen duhen kujtuar. Pushtimi osman ka qenë i përgjakshëm dhe asimilues,
e mjafton të kujtojmë periudhën më moderne të jetës në viset shqiptare. Nuk është
rastësi që fqinjëve tanë grekë e serbë u lejoheshin shkollat amtare pa kufizim dhe
të vetmit që përndiqeshin si heretikë, kur donin të mësonin dhe shkruanin gjuhën e
tyre, ishin shqiptarët. Vetëm në vitin 1887 lejohet e para shkollë shqipe me “ferman”,
drejtori i së cilës vritet dhe shkolla mbyllet. Rilindësit shqiptarë, pa dallim feje,
u përndoqën dhe u persekutuan si askush tjetër në Perandori. Lidhja e Prizrenit u
tradhtua nga Turqia dhe tokat shqiptare u trajtuan si mall shkëmbimi. Patrioti Dervish
Hima u rrah e torturua publikisht në Shkodër nga xhonturqit vetëm se në gji mbante
flamurin kombëtar. Kur malësorët shqiptarë luftonin në Deçiç për pavarësinë e këtij
vendi, Turqia, në grahmat e fundit, përçante shqiptarët, duke kundërvënë muhamedanët
me të krishterët. Trojet shqiptare u copëtuan pas Luftës Ballkanike falë edhe keqpërdorimit
të imazhit të shqiptarëve nga Perandoria Osmane si mbështetës të saj. Sikur kjo të
mos mjaftonte, në kohën kur Shqipëria bëhej anëtare e Lidhjes së Kombeve, Turqia e
re kërkonte që shteti shqiptar të paguante një pjesë të borxheve osmane, ndonëse prej
tyre kishim mbetur shteti më primitiv i Europës. Turqia osmane është sjellë më arsyeshëm
me grekët dhe serbët, e ata për asnjë moment nuk e thërrasin “popull vëlla”. Lind
pyetja: A ka ndonjë rast tjetër të ngjashëm kur i pushtuari thërret “vëlla” pushtuesin?
Druajmë që jo. Nuk e bëjnë indianët me anglezët, ndonëse prej tyre trashëguan disa
të mira. As algjerianët me francezët, as vendet e Amerikës Latine me spanjollët dhe
portugezët e kështu me radhë. Modeli më tolerant e bashkëpunues ndërmjet popujve të
një perandorie ishte ai i perandorisë dualiste Austro-Hungareze, e cila nuk e frenonte
në përgjithësi identitetin dhe kulturat kombëtarë, e as të drejtat politike të përfaqësimit
të popujve që e përbënin. Ishte një monarki paternaliste thotë Cvajgu. Sot, asnjëri
prej këtyre popujve nuk shfaq nostalgji për atë periudhë e as nuk e ndien dhe as
nuk e quan vetën vëlla me ndonjërin prej këtyre popujve komponentë të ish-Monarkisë
Hasburge. Këtë terminologji, për hir të së vërtetës, nuk e gjenim as në Mbretërinë
e Zogut, e interesuar për të forcuar karakterin nacionalist të regjimit të tij, e
as në regjimin izolacionist të Enver Hoxhës, që përskuqej nga patetika kombëtariste.
Ajo u shfaq menjëherë në fillim të vitit 1991. Përzgjedhja e “vëllait” bën përshtypje.
Politikanët shqiptarë këtë term familjar e përdorin vetëm për popullin turk dhe kurrë
për popujt e tjerë. P.sh., kulturalisht dhe si mentalitet jemi më afër me grekët apo
italianët, por kurrë nuk kemi dëgjuar të përdoret termi popull “vëlla” grek dhe popull
“vëlla” italian, madje as për popullin e SHBA-ve, i cili sot duket si protektori dhe
miku më i madh i interesave shqiptare. Natyrisht, shumë mirë që nuk e përdorin dhe
as këta popuj nuk do të pëlqenin të kishin vëllezër të paqenë. Fakti shndërrohet në
problem kur këtë gjë e bëjmë veç për turqit. Do të ishte më e ndershme të thuhet që
terma të tillë janë veshja emocionale e tezave të hedhura, të cilat periudhën e pushtim
otoman e shohin bashkëjetesë dhe histori të përbashkët. Kurse disa të tjerë, më entuziastë,
e shohin si periudhë prosperiteti e realizimi të individualiteteve shqiptare, apo
si koha e modernizimit të kadastrave (edhe çështja e kadastrave kërkon diskutim nën
parimin kujt ia morën tokën turqit dhe kujt ia dhanë). Në këtë 100-vjetor pavarësie,
në shenjë nderimi për aktin sublim me panagjerikë kujtojmë etërit e pavarësisë, të
cilët i bie që na paskëshin ndarë nga vëllezërit! Fatkeqësisht, konstatojmë se strukturat
otomane edhe pas një shekulli pavarësi gjejnë bahçe ku lulëzojnë si “forma mentis”.
Së paku duhet pyetur populli shqiptar nëse është dakord për këtë qark të shkurtër
gjenetik me anketim apo referendum, dhe pastaj nëse e marrin miratimin, le ta përdorin.
Me parimet e Frojdit, disa politikanë shqiptarë e konsiderojnë pushtimin otoman “histori
dashurie” dhe popullin tonë “produkt” të saj!!! Le ta thonë. Në rastin më të mirë,
pohime të tipit “popull vëlla” demonstrojnë inferioritet, servilizëm, gjendje mendore
prej të pushtuari, megjithëse duket pak për të përligjur një gjë kaq antishqiptare.
Naimi i madh nga Stambolli vjershëronte “dielli lind andej nga perëndon”, duke na
përcaktuar qartë ideologjinë kombëtare. Dialektika integruese sot i thërret shqiptarët
në kohën e ardhme të historisë së Naimit, si qytetarë me të drejta e liri, dhe jo
si “vëllezër” të përdhunuar nga pushtimi. AGRON GJEKMARKAJ, botuar në Panorama
, 20 mars 2012