2012-03-20 14:43:07

Vizitacioni apostolik në Irlandë: të përtërihet impenjimi kundër plagës së abuzimeve


Ipeshkvijtë dhe eprorët rregulltarë të Irlandës duhet të impenjohen vazhdimisht për të çrrënjosur plagën e abuzimeve ndaj të vegjëlve: këtë nënvizon dokumenti vatikanas, i publikuar sot, në përfundim të vizitacionit apostolik në Irlandë, gjatë të cilit, të dërguarit e Papës vizituan dioqeza, institute rregulltarësh dhe seminare, për të kontrolluar e këshilluar si të zbatohen parimet e Kishës në këtë fushë, përmendur nga Benedikti XVI në Letrën e vitit 2010 për katolikët irlandezë. Në të, Ati i Shenjtë shprehte shqetësimin e thellë, dhimbjen e turpin për abuzimet e disa anëtarëve të klerit kundër fëmijëve dhe u siguronte lutje e afërsi viktimave të “këtyre akteve mëkatare e kriminale”. Sinteza e rezultateve të vizitacionit apostolik është publikuar në Vatikan e në Maynooth, afër Dublinit, ku u mbajt konferenca e shtypit e ipeshkvijve irlandezë.
Në dokument vihet në dukje mungesa e reagimit nga ana e disa ipeshkvijve dhe eprorëve rregulltarë para fenomenit të abuzimeve, njihen hapat e bëra në favor të viktimave që nga vitet ’90 dhe njoftohet se Kisha irlandeze, në bashkëpunim me Selinë e Shenjtë, po reflekton mbi përshtatjen e strukturave dioqezane për t’iu përgjigjur misionit të katolikëve në vend.
Më pas, përmenden Direktivat për mbrojtjen e të miturve të vitit 2008, duke theksuar bashkëpunimin me autoritetet civile, parashikuar prej tyre, e nevojën për t’ia paraqitur Kongregatës për Doktrinën e Fesë, gjithçka është në kompetencën e saj. Dokumenti i nxit ipeshkvijtë të miratojnë normativën e nevojshme për trajtimin e rasteve të meshtarëve e të rregulltarëve të akuzuar për abuzime, edhe kur prokurori civil vendos të mos i hedhë në gjyq. Gjithashtu, rregulla të caktuara duhet të parashikojnë kthimin në shërbim të meshtarëve të akuzuar pa të drejtë.
Duke kërkuar forcimin e përgjegjësisë së ipeshkvijve në administrimin e seminareve, në dokument nënvizohet nevoja e kritereve më të rrepta për pranimin e seminaristëve, domosdoshmëria që ata të qëndrojnë në ndërtesa të veçanta dhe të marrin formimin e duhur në lëndën e mbrojtjes së të miturve. Parimet kryesore, që duhet të udhëheqin përtëritjen e Kishës në Irlandë mbeten: formimi në fe, vlerësimi i impenjimit të laikëve, roli i mësuesve të fesë, kontributi i lëvizjeve dhe besnikëria ndaj Magjisterit.







All the contents on this site are copyrighted ©.