2012-03-20 16:10:22

Kriza në Siri, e papranueshme. Kryqi i Kuq e Rusia kërkojnë korridore humanitare.


“Gjendje e papranueshme”: kështu flet Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki-mun për krizën në Siri, duke uruar që Këshilli i Sigurimit të veprojë i bashkuar për zgjidhjen e këtij problemi. E ndërsa beteja e regjimit të presidentit Bashar al Asad kundër kryengritësve mbërrin, për herë të parë, në Damask, Rusia dhe Kryqi i Kuq punojnë për krijimin e korridoreve humanitare në vend. Të dëgjojmë komentin e drejtorit të Institutit italian për Studimet në fushën e Politikës Ndërkombëtare, Paolo Magri:
Risia qëndron në faktin se ndeshjet po bëhen në qendër të Damaskut, por jo vetëm kaq. Është fjala për njërën nga lagjet më të kontrolluara, sepse aty e kanë selinë agjenci për sigurinë e vendit e banojnë funksionarë të forcave të rendit. Problemi i vërtetë është se, deri më sot, nuk duket asnjë zgjidhje në horizont. Ndërhyrja e jashtme e armatosur është e bllokuar me veto në OKB, por pas kësaj vetoje, fshihet dëshira e paktë e të gjitha fuqive botërore për të ndërhyrë me armë në një krizë si ajo siriane, pasojat e së cilës nuk mund të parashikohen, si për arsye se ushtria e Damaskut është e fortë, ashtu edhe sepse nuk dihet se ç’do të ndodhë më pas.
Siria po vendos mina kundër njeriut përgjatë kufijve. Sipas kryengritësve po përdoret edhe gaz vdekjeprurës. Në këtë skenar, flitet për nevojën e korridoreve humanitare…
Një korridor humanitar, i vendosur nga të tjerë, nuk do të pranohet kurrë nga regjimi sirian, sepse do të kishte kuptimin e ndërhyrjes së ligjëruar nga jashtë. Nga ana tjetër, korridor humanitar pa autorizimin e regjimit sirian, do të thotë ndërhyrje e armatosur: duhet të jemi gati t’i mbrojmë këto korridore me forcë e kjo do të thotë ndeshje me armë. E këtu, sërish, jemi para vështirësive të fuqive kryesore, përfshirë Turqinë, për t’u impenjuar në mënyrë më të drejtpërdrejtë e më të hapur. Presidenti i Kryqit të Kuq ndërkombëtar ndodhet në Moskë për t’u takuar me ministrin e jashtëm, Lavrov. Rusia nuk është shumë e kënaqur me ngadalësinë e reagimit të al Asadit ndaj kërkesave të jashtme, prandaj ky ndërmjetësim i Kryqit të Kuq mund të sjellë ndonjë rezultat pozitiv.







All the contents on this site are copyrighted ©.