Papa në Engjëllin e Tënzot: lutuni për shtegtimin tim në Meksikë e në Kubë.
Gjatë lutjes së Engjëllit të Tënzot dje në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa
Benedikti XVI u kërkoi besimtarëve ta shoqërojnë me lutje gjatë shtegtimit të tij
apostolik, që do ta nisë të premten e ardhshme, në Meksisë e Kubë. Në vijim Papa kujtoi
prindërit e fëmijëve belgë, vdekur gjatë aksidentit rrugor, ngjarje që, këto ditë,
tronditi mbarë botën, duke u shprehur dhimbjen e thellë e duke i siguruar se është
shpirtërisht pranë tyre. Akoma, duke kujtuar Ditën e ardhshme të Ujit, uroi që të
mos i mungojë askujt në mbarë botën një burim i tillë kaq jetik. Në katekizmin kushtuar
Ungjillit të së dielës, ripohoi se, posaçërisht gjatë Kreshmëve, ka shumë rëndësi
që besimtarët ta vënë në plan të parë Sakramentin e Rrëfimit, për t’u gjunjëzuar,
pastaj, me shpirt të pastruar, para Jezusit Eukaristik.
Duke përshëndetur shtegtarët
e gjuhës spanjolle, Papa uroi që shtegtimi i tij apostolik në Meksikë e në Kubë të
jetë plot me frytet e begata të jetës së krishterë e të përtëritjes shpirtërore, që
të kontribuojnë, kështu, për progresin e vërtetë të popujve meksikan e kuban. Ndërsa
në italisht, i ftoi besimtarët të luten për këtë ngjarje shumë të rëndësishme: “Ju
kërkoj të luteni për shtegtimin apostolik në Meksikë e në Kubë, ku do të jem nga e
premtja e ardhshme. T’ia besojmë ndërmjetësimit të Zojës së Bekuar, që duhet dhe
nderohet aq shumë në të dy vendet, që do t’i vizitoj”. Ati i Shenjtë i
lartoi Zotit lutjen për shpirtrat e fëmijëve belgë, vdekur gjatë aksidentit tragjik
rrugor në Zvicër, të martën e kaluar. Duke folur në frëngjisht, i siguroi të gjithë
ata, që janë në zi, për afërsinë e tij në lutje. Në qendër të vëmendjes, komenti
i Ungjillit të së dielës. Papa nëvizoi se Jezusi e di mirë që kulmi i misionit të
tij është kryqi, maja e majave të dashurisë, prej nga buron shpëtimi, shpërblimi
i njeriut. Por, shtoi Benedikti XVI, në se dashuria përdëllyese e Hyjit, që dhuron
Birin e Tij të vetëm për shpërblimin e jetës sonë, është e pakufishme, e madhe është
edhe përgjegjësia jonë përballë një flijimi të tillë të papërshkrueshëm me fjalë njerëzore: “Secili
nga ne duhet të pranojë se është i sëmurë, në se dëshiron të shërohet; secili duhet
ta rrëfejë mëkatin e vet, që falja e Zotit, dhuruar mbi Kryq, të veprojë mbi zemrën
e mbi jetën e tij”. E megjithëkëtë, theksoi jo pa keqardhje të thellë Papa,
nganjëherë njeriu do më shumë errësirën, sesa dritën, sepse është tepër i lidhur
me mëkatet e veta: “Por vetëm duke ia hapur zemrën dritës, vetëm duke
ia rrëfyer sinqerisht fajet Zotit, mund të gjindet paqja e vërtetë e gëzimi i vërtetë.
Prej këndej, ka rëndësi të jashtëzakonshme të rrëfehemi rregullisht, në veçanti, gjatë
Kreshmëve, për të marrë dhantinë e faljes së Zotit e për të ecur deri në fund të rrugës
së pendesës”. Pas reflektimin kushtuar Ungjillit, Papa kujtoi Forumin e
Marsejës, kushtuar ujit, si dhe Ditën e ardhshme Botërore të Ujit, e cila sivjet nënvizon
lidhjen ndërmjet këtij burimi të çmuar dhe sigurisë ushqimore: “Uroj
që këto nisma të ndihmojnë, që të garantohet uji për të gjithë, në mënyrë të barabartë,
të sigurtë e të përshtatshme, duke promovuar, kështu, të drejtat që ka çdo njeri
për jetën dhe ushqimin, si dhe përdorimin me përgjegjësi e solidaritet të pasurive
të tokës, në dobi të breznive të sotme e të ardhshme”. Në përfundim Papa
përshëndeti pjesëmarrësit në takimin, që vijon, në Gniezno të Polonisë. Uroj që kjo
ngjarje, theksoi duke folur në polonisht, t’i kujtojë Evropës rrënjët e saja të krishtera
dhe nevojën për të ndërtuar një shoqëri civile, bazuar mbi vlerat ungjillore. Gjatë
përshëndetjes, drejtuar shtegtarëve italianë, Ati i Shenjtë u kushtoi një vëmendje
të dorës së parë të gjithë atyre, që kalojnë çaste të vështira, sepse të shtypur nën
barrën e rëndë të krizës ekonomike: “Përshëndes punojnjësit e Alkoa di Portovesme,
duke i siguruar se jam pranë, se lutem për ta e për familjet e tyre e duke uruar që
të gjejnë sa më shpejt rrugëdalje nga situata e vështirë”. Së fundi, Papa
Jozef Ratcinger, duke kujtuar se Kisha kremton festën e Shën Jozefit, i falënderoi
me gjithë zemër të gjithë ata, që do ta kujtojnë sot në lutje, në sa kremton një ditë
kaq të shënuar, siç është dita e emrit, për të krishterët, shumë më e rëndësishme
se ditëlindja.