Me rastin e solemnitetit të sotëm, po kujtojmë këtë lutje aktuale, kushtuar Shenjtit: O
Shën Jozef, po të rrëfej se nuk ta drejtoj gati kurrë lutjen time. Të lutem, më fal,
por ti e di mirë ç'do të thotë të jesh në hije. Por sot, ditën e festës sate, dua
të të drejtohem pikërisht ty: Shën Jozef, ti je në hije - a më mirë të themi, në
errësirë - ndonëse fare pranë Atij, që është Drita e botës, e po aq pranë, Nënës së
tij të ndritshme. Ti nuk e kundërshton errësirën. Mësona ta pranojmë edhe ne, kur
e ndjejmë veten të harruar e të lënë pas dore. Na mëso ta duam. Shën Jozef, Ungjilltarët
nuk ishin të mendimit se kishte një vend të rëndësishëm në historinë e Shëlbimit.
Përndryshe do të kishin shkruar shumë më tepër për ty. Ndoshta të fshehën, ashtu
si fshihet një perlë e vogël, që të mund të të gjenin vetëm ata, të cilët kanë sy
të vëmendshëm për perlat e vogla. Shën Jozef, sipas Shkrimit Shenjt, Zoti t'u drejtua
vetëm ndër ëndrra. Ta tha në ëndërr atë që duhet të bëje. Na ndihmo ta dëgjojmë
me vëmendje atë që dëshiron të na thotë Zoti, si kur flejmë, ashtu edhe kur jemi zgjuar. Shën
Jozef, ti i pranove sprovat që të çoi Zoti. Ti e more me vete të fejuarën tënde, që
ishte shtatzënë, ndonëse ndokush të shikoi shtrembër, ndonëse pat edhe njerëz që folën
keq për ty, ndonëse për këtë arsye humbe miq e emër të mirë. Na ndihmo të bëjmë
vullnetin e Zotit, edhe kur na dhemb. Shën Jozef, ti le atdheun, punën, sigurinë,
sepsè biri yt - që nuk ishte yt bir - kishte nevojë për ty. Nuk the: qoftë mallkuar!
Nuk ngurrove e as mërmërite. More në heshtje gomarin e shkopin e i mbrojte Marinë
dhe të birin në udhën e gjatë drejt Egjiptit. Shën Jozef, ti e deshe vashën tënde,
Marinë. Pate filluar ta doje, sepsè ta patën zgjedhur prindërit - por pastaj gjithçka
mori tjetër rrugë. Në gjithçka ngjau, ne mund të kuptojmë fare pak, sepse këtu ti
je aq afër Zotit, sa askush nuk mund ta kuptojë. Gjithsesi dashuria jote për Marinë,
vashën tënde, duhet të ketë qenë tepër e madhe - ditë për ditë më e madhe. Sepse në
fund të fundit ti je Shenjt e virtyti më i madh i Shenjtorëve është aftësia për të
dashur! Shën Jozef, na mëso të duam, t'i duam të gjithë njerëzit; na mëso ta dhurojmë
dashurinë. Na mëso të heqim dorë nga shumë gjëra, për hir të dashurisë. Na mëso dashurinë
që të përvëlon e të bën të vuash. Na mëso atë dashuri që është vërtetë dashuri. Shën
Jozef, tregojua rrugën të gjithë atyre që e kanë humbur. Lute për ta Jezusin, Birin
e Zotit. Na e mëso dashurinë e vërtetë, në kohën tonë, që ka aq shumë nevojë për
dashuri! Shën Jozef, gjatë rrugës së historisë së Kishës, ti gati-gati ke qenë
harruar. Erdhën shtyllat vigane të Kishës, Pjetri e Pali, martirët Shtjefni e Lorenci,
dijetarët Agostini e Ambrozi, studiuesit Toma e Deda, reformatorët Françesku i Asizit
e Injaci i Lojojës, dijetaret e shenjta të Kishës Katerina e Tereza, e erdhën më pas
edhe shenjtorët e kohëve tona, Edit Shtain e Maksimilian Kolbe. Pas këtyre njerëzve,
kush nuk e harron njeriun që e kaloi gjithë jetën në hije, për të cilin nuk dihet
asgjë, Jozefin e Nazaretit? Mos u zemëro, Shën Jozef, në se të gjitha përpjekjet
për të të nxjerrë nga hija në dritë dështojnë njëra pas tjetrës. Edhe punëtorët
e zejtarët e sotëm nuk të kushtojnë ndonjë vëmendje të veçantë. E edhe vendi, që tashmë
ke zënë në Kanunin Romak, nuk të ndihmon aq shumë. E kjo ndodh sepse ti vetë nuk
dëshiron të dalësh nga hija e nga terri. Më mëso, na mëso, të mos kërkojmë duartrokitjet,
dritat e skenës, publicitetin. E di se kjo është tepër e vështirë, sepse të gjithë
kemi dëshirë të bëhemi të famshëm, të mbulohemi me lëvdata. Shën Jozef, na mëso
se të gjitha këto dëshira të largojnë nga Jezusi; se vetëm ai që pranon, madje ai
që e do hijen, gjen Jezusin e Atin! Shën Jozef, na ndihmo ta pranojmë vendin tonë
në hije e në errësirë! Amen!