2012-03-19 15:56:32

Kardinali Skola në Gniezno: kriza ekonomike duhet parë në këndvështrimin etik


Si të jemi të krishterë të mirë në periudhën aktuale të krizës ekonomiko-financiare: kjo është tema mbizotëruese në Asamblenë IX të Gnieznos në Poloni, e cila po reflekton mbi shoqërinë civile evropiane dhe mbi rolin, që mund të luajnë të krishterët në të. Në këtë takim, morën pjesë edhe kryetari i Këshillit Papnor për Laikët, kardinali Stanislau Rilko, kreu i ipeshkvijve gjermanë, imzot Robert Xollitsh dhe kardinali Anxhelo Skola, kryeipeshkëv i Milanos. Në fjalën e tij, ky i fundit, analizoi epokën moderne aktuale, duke i ftuar të gjithë të ndërgjegjësohen për përgjegjësitë e secilit për të mirën e përbashkët, edhe me çmimin e sakrificave e të impenjimeve të rënda.
Nuk kemi të bëjmë thjesht me krizë ekonomike, theksoi prelati, duhet rikrijuar besimi tek njëri-tjetri. Nga mënyra se si çdo njeri krijon marrëdhënie me të tjerët, mund të kuptohet ideja e asaj shoqërie për familjen, fqinjësinë, qytetin, vendin, Evropën e njerëzimin mbarë. Prandaj, sipas kardinalit të Milanos, duhet refuzuar mendësia, që e shikon shkëmbimin ekonomik si parësor në shoqëri, duke e shndërruar njeriun në “homo oeconomicus”. Së dyti, u duhet kushtuar vëmendje e duhen luftuar të gjithë faktorët, që çojnë drejt afirmimit të mendësisë pozitiviste e, së fundi, duhet pranuar se kriza e ka bazën edhe tek papërgjegjshmëria e vetë njerëzve, sidomos të atyre që i shtrijnë këmbët më shumë se jorgani, duke shpenzuar edhe atë që akoma nuk e kanë fituar.







All the contents on this site are copyrighted ©.