Festa e shën Jozefit – festa e ditës së emrit të Papës Jozef Racinger
Sot, në festën e shën Jozefit, dhëndrit të Virgjërës Mari, rojtarit të Familjes së
Shenjtë, pajtorin qiellor të Kishës universale, programi shqip i Radio Vatikanit
i drejton Papës Benediktit XVI urimet më të përzemërta e sinqerta për festën e emrit,
të bindur se transmetojmë edhe ndjenjat e dëgjuesve e të shumë njerëzve në të gjitha
trevat shqiptare e në botë. E në ditën e emrit të Papës Jozef Racinger, kujtojmë
fjalët e tij për Shën Jozefin, që është shenjt shumë i dashur për Benediktin XVI.
Po rikujtojmë disa nga fjalët që ka thënë pikërisht Papa Jozef Racinger për fatin
e Virgjërës Mari. Në lutjen e Engjëllit të Tënzot të 19 marsit 2006, Ati i Shenjtë
theksoi se ”Figura e këtij Shenjti të madh, ndonëse mbetet më shumë e fshehur, ka
rëndësi themelore në historinë e shëlbimit. Shën Jozefi, njëlloj si fati i tij, Maria,
dëshmoi se ishte trashëgimtar i vërtetë i besimit të Abrahamit: besim në Hyjin, që
i udhëheq ngjarjet e historisë sipas planeve të Tij misterioze të shpëtimit. Madhështia
e Jozefit, njëlloj si e Marisë, del edhe më shumë në pah, sepse misioni i tij u krye
përvujtërisht në fshehtësinë e Shtëpisë së Nazaretit. Nga ana tjetër, vetë Hyji, në
Vehtjen e Birit të tij të mishëruar, e zgjodhi këtë rrugë e këtë mënyrë – të përvujtë
e të fshehur, në jetën e tij tokësore. Shembulli i Shën Jozefit – thekson Benedikti
XVI - na fton ta kryejmë me besnikëri, thjeshtësi e modesti detyrën që na cakton Provania
Hyjnore. Mendoj kryesisht për etërit e nënat e familjeve – nënvizon Papa Jozef
Racinger - e lutem që ta vlerësojnë gjithnjë bukurinë e jetës së thjeshtë e punëdashëse,
duke i kultivuar me kujdes marrëdhëniet bashkëshortore e duke e kryer me entuziazëm
misionin e madh, e aspak të lehtë, edukativ. (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 19 mars
2006). Papa ua beson Shën Jozefit punëtorët e mbarë botës, të rinjtë që nuk e kanë
të lehtë të gjejnë punë e të gjithë të papunët. E kërkon ndërmjetësimin e Shenjtit,
që meshtarët ta duan Kishën me përkushtim të plotë e që rregulltarët t’u qëndrojnë
besnikë kushteve të varfërisë, pastërtisë e bindjes. Për Shën Jozefin, model i
njeriut të drejtë, Ungjijtë nuk flasin asnjë fjalë. Ndërsa Papa, duke e kujtuar këtë
heshtje, shpjegon: “Heshtja për të përshkohet nga kundrimi i misterit të Hyjit,
sepse ai iu shtrua plotësisht dëshirave hyjnore. Me një fjalë, heshtja e Shën Jozefit
nuk është zbrazësi shpirtërore por, përkundrazi, është fe e pakushtëzuar, që e mbush
përplot zemrën e tij e që i prin mendimit të tij në çdo rrethanë… Ta bëjmë tonën këtë
heshtje të Shën Jozefit; kemi shumë nevojë për të, në një botë plot zhurmë, që nuk
na ndihmon ta dëgjojmë zërin e Hyjit (Lutja e Engjëllit të Tënzot, 18 dhjetor 2005).
Në përfundim të këtij reflektimi, kujtojmë se sot Papa Jozef Racinger mori urime nga
të katër anët e botës. Edhe një herë bashkojmë edhe ne zërin me urimet që vijojnë
t’i arrijnë Benediktit XVI, të cilit në pagëzim iu vu emri Jozef, gjë që e lidhi për
gjithë jetën me figurën e Shën Jozefit.