2012-03-19 15:55:33

Festa e Shën Jozefit. Papa Benedikti XVI: hoqi dorë nga plani i vet, për t’i shërbyer atij të Zotit.


Sot Kisha është në festë. Kremton njeriun, simbol i vërtetë i Shenjtit, Jozefin, atë, që besohej si atë i Jezusit. E me të, edhe ditën emrit të Papës Jozef Ratcinger. Të panumërta, urimet, nga figura të shquara, udhëheqës publikë, e edhe nga njerëz të thjeshtë, fare të panjohur, vijojnë t’i arrijnë edhe në këto orë, Atit të Shenjtë. Në sa nuk mund të mos meditojmë për vlerën e një Shenjti, përvujtëria dhe thjeshtësia e të cilit tingëllojnë si provokim për epokën tonë, e cila kujdeset kryesisht për t’u dukur sa më shumë, ku e si të mundet. Për një Njeri, që dëshiron të fshihet, të bëhet sa më i padukshëm, ballë për ballë njeriut, i cili bën çmos të duket, të njihet, të mbahet me të madh. E në këtë meditim, na prin vetë Papa, me fjalët kushtuar Shenjtit, në raste të ndryshme:
Shën Jozefi e donte familjen e vet, pa përdorur kurrë fjalë të mëdha. I bënte mirë miqve, fare pa bujë. Ishte gjithnjë i pranishëm, pa u dukur kurrë. Parë nga jashtë, qe pikërisht njeri i gabuar, antipersonazh, jasht rrjetit, njeri i humbur, që është, si të mos ishte. Kështu mund të ketë menduar ndokush për të, në kohën e largët kur jetoi, e kështu mund të mendojë edhe sot. Por në të vërtetë ky njeri, që s’e deshi fare bujën, ka miliona miq, që prej dy mijë vjetësh; i kushtohen mijëra institute, shkolla, vepra bamirësie, që ia besojnë ndërmjetësisë së tij suksesin e veprimtarisë së përditshme.
Jozefi qe shok besnik e i urtë i Asaj, që mendohej të ishte nusja e tij, e babë i kujdesshëm i Jezusit, që bota besonte se qe i Biri, por që kishte një Atë shumë më të madh, më të madhin. Një aspekt, ky, që e theksoi dy vjet më parë Benedikti XVI:
“Shën Ambrozi komenton se Zoti e zgjodhi Shën Jozefin, sepse ëmbëlsia e drejtësia e tij e bënte tejet të denjë në cilësinë e dëshmitarit. Ndonëse i trazuar thellë në shpirt, Jozefi vepron ashtu si e kishte urdhëruar Engjëlli i Zotit, i sigurtë se po bënte një gjë të drejtë”(Lutja e Engjëllit të Tënzot, 19 dhjetor 2010).
Jozefi i Nazaretit është njeriu, që edukoi e rriti vetë Zotin. Është shembulli, që Zoti i mishëruar pati çdo ditë parasysh për të kuptuar ç’do të thotë të jesh njeri, që e përdor për mirë talentin e inteligjencën e që përfocon ditë për ditë dhuratën e fesë:
Kështu, në ritmin e ditëve të kaluara në Nazaret, ndërmjet shtëpisë e punishtes së Jozefit, Jezusi mësoi të këmbente lutjen e punën e t’ia ofronte Hyjit edhe djersën e ballit, derdhur për të fituar bukën e përditshme të familjes”. (Audienca e përgjithshme, 28 dhjetor 2010).
Ja pra, pse, komentoi pak vjet më parë Papa, pikërisht në heshtjen plotë të punës e të shpirtit të Shën Jozefit, shikojmë gjithnjë profilin e një modernizmi të paarritshëm. Në të, pohoi:
“...duket njeriu i ri që, duke e shikuar me besim e guxim të ardhmen, nuk përpiqet të realizojë planet e veta, por lëshohet plotësisht në dorë të mëshirës së pacak të Atij, që do të vërtetojë profecitë e do të hapë kohën e shëlbimit”.Dje, në lutjen e Engjëllit të Tënzot, duke i parafalënderuar besimtarët për urimet, Papa i ftoi t’i kushtojnë një lutje në këtë ditë emri. Të lutemi, prandaj, për Papën Jozef e për shtegtimin e tij të afërt në Meksikën e Kubën e largët.







All the contents on this site are copyrighted ©.