2012-03-16 17:07:08

Ungjijtë apokrifë


Po i afrohemi shpjegimit përfundimtar për librin që, siç e shikoni edhe vetë, u quajt gabimisht “Bibël” tejet e lashtë, e shkruar 1500 vjet më parë. E nuk ishte aspak lashtësia, ajo që kishte rëndësi, por një profeci, për t’u vërtetuar...
Prandaj, pasi folëm për Besëlidhjen e Vjetër dhe atë të Re, duhet të ndalemi e të shfletojmë rrufeshëm, ungjijtë apokrifë.
Apokrife quhen ato tekste fetare, që, ashtu si ungjijtë kanonikë, merren me jetën, predikimin, vdekjen dhe ngjalljen e Krishtit. Vetë termi ‘apokrif’ ka kuptimin ‘për t’u fshehur”, “i lejuar për pak njerëz”. Ungjijtë apokrifë ishin vepra të shkruara prej ndonjërit nga apostujt, por të përjashtuara nga leximi liturgjik publik, sepse mbaheshin si mbartëse të traditave misterioze ose esoterike tepër të thella, prej këndej, të papërshtatshëm për t’iu komunikuar kujtdo. Më pas fjala ‘ungjij apokrifë’ mori kuptimin e atyre librave, që u përjashtuan nga kanuni i Biblës së Krishterë.
Katër kriteret, që ndoqi Kisha e të krishterëve të parë për ta konsideruar një tekst të Besëlidhjes së Re, kanonik, ose apokrif, jo kanonik, ishin, e janë:
Tradita kishtare: atësia apostolike, që lidhet dukshëm me mësimin ose me shkrimin e drejtpërdrejt nga ana e apostujve a të shokëve të tyre më të ngushtë;
përdorimi liturgjik nga bashkësitë e para të krishtera;
ortodoksia, domethënë respektimi i të vërtetave dogmatike të fesë, kryesisht i Njënisë dhe Trinisë së Hyjit dhe i njohjes së Jezu Krishtit si Zot i vërtetë e njeri i vërtetë.
Ungjjtë apokrifë, që nuk i plotësojnë këto kritere, ndahen në disa grupe, mbi bazën e përmbajtjes, të gjinisë e të mjedisit të origjinës.
Në përgjithësi, veprat ungjillore apokrife nuk pranohen nga studiuesit si burime të besueshme për Jezusin historik, edhe pse u shkruan vonë, duke nisur nga shekulli III. Vetëm disa i shikojnë si burime me vlerë për të rindërtuar mjedisin fetar në shekujt pas Krishtit.
Ungjijtë apokrifë janë të shumtë. Më të njohurit janë disa nga ata, që kanë bërë bujë të madhe kohët e fundit, duke arritur deri në atë pikë, sa të besohen si Ungjijtë kanonikë. Kujtojmë këtu Ungjijtë e fëmijërisë, tregime për fëmijërinë e Jezusit, që përmbajnë hollësira, të cilat nuk gjinden në ungjijtë kanonikë. Janë plot me mrekullitë, që bën Krishti fëmijë, rrëfyer me stilin magjik-përrallor, në kundërshtim me 4 Ungjijtë. E edhe me me pasaktësi historike e gjeografike, të cilat e dëmtojnë rëndë vlerën e ngjarjes, që tregojnë.
Vijnë, pastaj ungjijtë e shenjave; ai i Tomës; Libri i fshehtë i Jakut; Ungjilli i Marisë; i Judës; i së Vërtetës, i Filipit, etj, etj.
Ungjijtë apokrifë të fëmijërisë së Jezusit, me një farë niveli artistik, kanë qenë shumë të përhapur në bashkësitë e para të krishtera. Prej tyre vijnë ca hollësira të panjohura të lindjes së Jezusit në Shpellën e Betlehemit, që gjinden sidomos në ungjillin sipas Jakut, ndërsa kau e gomari, që ngrohin me frymë Foshnjën e grazhdit, përmenden së pari në Ungjillin apokrif të Pseudo-Mateut.
Duhen kujtuar edhe ungjijtë gnostikë, që u zhvilluan në bashkësitë e krishtera me prirje heterodokse, fjalë që ka kuptimin devijim ose herezi. Zakonisht fjala e parë që kanë në titull është “i fshehtë’. Gnostik e apokrif është Ungjilli i Judës, i botuar e i përfolur kohët e fundit, e po gnostik, ai i Marisë Magdalenë, prej nga u frymëzua Den Braun për romanin policor “Kodi da Vinçi”, e edhe Ungjilli i Evës.
Asnjë prej ungjijve apokrifë nuk figurojnë në dorëshkrimet biblike, ose në listat e lashta të teksteve kanonike, që konsiderohen si të frymëzuara drejtpëdrejt nga Zoti.
Gjetja e Ungjillit, sipas Barnabës, nuk do të ishte aspak e bujshme, siç u paraqit nga një lloj shtypi, edhe në se do ishte vërtet ky dorëshkrim. Shënohet prej kohësh që s’mbahen mend në listën e ungjijve apokrifë, njëri nga të cilët u gjet në torbat e ca hajdutëve veprash arti, në Turqi. Gjithsesi, me që përmendet emri i Barnabës, po kujtojmë se ai nuk ishte në numrin e Dymbëdhjetë Apostujve, as nuk e zëvendësoi Judën, si Matia: e meritoi emrin apostull, sepse Apostujve ua dorëzoi pasuritë e veta, me Apostujt jetoi e punoi dhe si Apostujt vdiq i martirizuar. Lindi në Kretë dhe, duke pasë rrokur Ungjillin, u dallua aq, sa Shën Luka në Veprat e Apostujve e cilësoi “të virtytshëm, plot me Shpirtin Shenjt e me fé”.U shoqërua me Shën Palin dhe e paraqiti para Kishës së Jeruzalemit, e përcolli në ishullin e Kretës, në Antiokí e në vende të tjera të apostullimit.
Kaq për Barnabën, ndërsa kujtojmë se 3 ungjijtë judeo-kristianë, që përdoreshin nga të krishterët e shekujve të parë, të lidhur tepër ngushtë me traditën fetare judaike, kanë humbur. Gjurmët e tyre arrijnë deri në kohët tona përmes dëshmive të tërthorta e rastësore, që gjinden në veprat e Etërve të Kishës.
Gjetjet arkeologjike të shekulli XX kanë nxjerrë në dritë disa fragmente papirusi e pergamene, që përmbajnë tekste me natyrë ungjillore, të cilat nuk lidhen as me ungjijtë kanonikë, e as me ato apokrifë. Për shkak të shkurtësisë së teksteve dhe dëmtimit të rëndë nga koha, datimi i tyre është shumë i vështirë, si duke u nisur nga metodat filologjike, ashtu edhe nga metodat normale të datimit arkeologjik (për shembull, ajo e karbonit 14).
Bëhet kështu e pamundur të përcaktohet në se janë materiale, që pastaj hynë në ungjijtë kanonikë, me fragmente ungjijsh të njohur, me apokrife të mirënjohura një herë, të humbur pastaj, apo me fragmente ungjijsh apokrifë krejtësisht të panjohur. Një masë e tillë të dhënash, të shpjegueshme e të pashpjegueshme shkencërisht, ka çuar në lindjen e një mori veprash pa asnjë bazë historke, aq më pak fetare, me tituj të bujshëm, fjala e parë e të cilëve është gjithnjë “Ungjilli i....”. S’është për t’u çuditur në se do të shikojmë së shpejti në vitrinat e librarive ndonjë krijim të ri me titull “Ungjilli sipas Barnabës”, frymëzuar nga dorëshkrimi i gjetur në Turqi, për të cilin do të flasim në emisionin e ardhshëm, i fundmi i kësaj serie emisionesh, që u ngacmuan pikërisht nga lajmi i bujshëm i një gjetjeje fare të pabujshme.







All the contents on this site are copyrighted ©.