2012-03-16 18:36:51

Përgjigje për moshën dhe natyrën e “Ungjillit apokrif të Barnabës”, apo “Librit të lashtë”, gjetur kohët e fundit në Turqi.


Arritëm tek emisioni i gjashtë e i fundit, kushtuar Shkrimit të Shenjtë, pikërisht për të kuptuar ç’natyrë e ç’vlerë ka libri i gjetur kohët e fundit në Turqi, i quajtur gabimisht Bibël, për më tepër, shkruar në gjuhën aramaike, gjuhë e Jezusit, njëmijë e pesëqind vjet më parë. Pseudobibla është e shkruar mbi lëkurë të regjur, me germa ari. Në titull, me germa aramaike, bie shumë në sy kryqi, i vizatuar në një mënyrë mjaft primitive. Gjithsesi, vëmendja e mjeteve të komunikimit nuk u përqendrua as te lashtësia e Librit, e as tek forma ose përmbajtja e tij, por vetëm tek disa deklarata të Jezusit, profetizime për ardhjen e Muhametit. Ndonëse deri tani asnjë mjet komunikimi nuk i ka riprodhuar saktësisht këto deklarata, që i paskej bërë Jezusi.
Të gjitha gjasët janë që ky dorëshkrim të mos jetë tjetër, veçse vepër e një falsifikatori, ndoshta studiues hebre perëndimor i mesjetës. Na bindin për këtë kritikat e besueshme të siriakëve. Në të vërtetë, për këdo që flet asirishten moderne (e njohur edhe si aramaikishte e re), shkrimi i të ashtuquajturit ‘Ungjilli i Barnabës”, lexohet me lehtësi. Por gjatë leximit, të bien menjëherë në sy disa gabime të rënda. Në fund të librit shënohet: “b-shimmit maran paish kteewa aha ktawa al idateh d-rabbaneh d-dera illaya b-ninweh b'sheeta d-alpa w-khamshamma d-maran”- “Në emër të Zoti tonë, ky libër u shkrua nga duart e murgjërve të manastirit të epërm të Ninives, në vitin e 1500-të të Zotit tonë”. Pa hyrë në hollësirat e gabimeve gramatikore e konceptuale, që s’kanë vend në këtë shkrim, specialistët e asirishtes moderne na sigurojnë se këto gabime janë të dukshme, madje të papranueshme për një apokrif që mendohet të jetë shkruar nga një apostull i Krishtit. Ndërmjet tjerash, shkrimi, kur cek Biblën, e quan ‘libri’, por në asirisht Bibla nuk quhet kurrë ‘libri. Quhet Testamenti i Vjetër, ose Libri i Shenjtë. Eshtë krejtësisht e pamundur që duar Apostujsh apo duar të mësuara murgjërish të kenë bërë gabime kaq trashanike. Por për këto elemente, që të çojnë tek vlerësimi i drejtë i dorëshkrimit, nuk u tregua interesi i duhur. Që nga gjetja e librit, një numër i madh gazetash e mjetesh të tjera të komunikimit të botës islamike, e dhanë me bujë lajmin, duke nënvizuar: “Një Bibël e lashtë 1500 vjeçare, predikon ardhjen e Muhametit”. Po e lëmë mënjanë konfuzionin që krijon datimi, i cili nuk sqaron është me moshë 1500 vjeçare, apo u shkrua në vitin 1500 pas Krishtit, datë që lexohet në fund të librit. Kuptohet vetvetiu se parafolja në vitin 1500 pas Krishtit, e një ngjarjeje, që ndodhi në vitin 630 pas Krishtit, nuk mund të konsiderohet ndonjë profeci e bujshme. Përkundrazi! Atëherë të lind natyrshëm pyetja: pse opinioni mediatik islamik është gati ta pranojë një pohim, që të krijon më shumë përshtypjen e një gabimi trashanik, sesa të një profecie? E për më tepër ta shpallë me brohori, me gojën e ndjekësve të Islamit, të cilët kanë pohuar gjithnjë se Jezusi, Issa, është paraardhës i ‘Vulës së Profetëve”, dmth i Muhametit?
Sipas gazetës “Al Bawaba”, ministri turk i kulturës dhe i turizmit, Ertugrul Gunay, deklaroi se, sipas fesë islamike, Ungjilli i Barnabës e shikon Jezusin si njeri, e jo si Zot, nuk pranon Trininë Shenjte, as kryqëzimin, ndërsa thekson se Jezusi e ka parafolur ardhjen e Profetit Muhamet.
Por, edhe në këndvështrimin islamik “Ungjilli i Barnabës” është plot me gabime doktrinore. Pa hyrë në hollësi, po ndalemi vetëm te pohimi se ka nëntë qiej e se i dhjeti është Parajsa. Ndërsa në Kuran flitet vetëm për shtatë. Gjithsesi, pohimi më i këndshëm për islamikët në tekstin apokrif, është që Jezusi pati pranuar para priftërinjve hebrenj se nuk ishte mesia e se mesia do të ishte Muhameti! Profecia bëhet në një mënyrë të tillë, që të krijon përshtypjen se Jezusi e Muhameti janë e njëjta vetje. Për të mos folur për gabimet, gjithshtu të rënda, historike. Së fundi, shkruhet se mbi trupin e Jezusit u hodhën njëqind libbra gurë. E kjo të bën të mendosh se shkrimi është i vonë, sepse kjo masë apo peshë, është me origjinë romake. Përdorej nga Perandoria otomane, në lidhjet tregtare me Italinë e Spanjën.
Sipas studiuesve, Ungjilli, që mendohej të ishte apokrifi i Barnabës, ka shumë mundësi të jetë shkruar nga ndonjë hebre evropian i Mesjetës, që kishte një farë familjariteti me Kuranin, e edhe me Ungjijtë. E tregon fakti se në këtë apokrif përzjehen nga pak librat e shenjtë të tri feve. Mbetet për t’u sqaruar ç’e shtyu falsifikuesin ta gatuajë këtë çorbë hebraiko-kristiano-islamike, që veç një zhurme të kotë, nuk sjell asgjë të re?
Zhurmë, e cila vijon, megjithëse dyshimet lindën që në fillim. Madje shumë media islamike vijojnë t’i paraqesin predikimet e Jezusit për Muhametin si të pakundërshtueme. Pohim, që nuk sjell asgjë të re teologjike, por që në praktikë, i shqetëson marrëdhëniet ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, posaçërisht në raste kur kemi të bëjmë me njerëz, me përgatitje të kufizuar për t’i kuptuar këto dukuri tejet të ndërlikuara. Prandaj u zgjatëm kaq shumë, për të shpjeguar një fenomen, që mund të pëmblidhej në dy fjalë: Libri i gjetur në Turqi, sipas studiuesve seriozë, mendohet të jetë një apokrif tepër i vonë. E nuk është apokrifi i Barnabës, por i ndonjë çifuti mesjetar, të cilit, besojmë, as nëpër mend nuk i pati shkuar se sajesa e tij mbi pergamenë, nuk dihet me saktësi, 500 apo 1500 vjet më parë, do të shkaktonte gjithë këtë zhurmë. Shumë zhurmë për asgjë – thotë Shekspiri i madh.







All the contents on this site are copyrighted ©.