2012-03-16 15:30:53

Predikimi i Kreshmëve. Atë Kantalamesa: të hysh me jetë në misterin e Trinisë.


Trinia Shenjte nuk është e vërtetë abstrakte, nuk është vetëm dogmë, por diçka që e bën zemrën të dridhet deri në thellësi. Kështu u përpoq ta përshkruante Gregori i Naciancenit, Atë i Kishës së Lindjes, që jetoi në shekullin IV, mësuesi i dytë i fesë, i paraqitur sot paradite, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, nga atë Raniero Kantalamesa. Në predikimin e dytë të Kreshmëve, në praninë e Papës, predikatari i Shtëpisë Papnore i shoqëroi dëgjuesit në botën, së cilës Gregori i Naciancenit i pati folur për Hyjin e pandarshëm, në qenie të ndara njëra nga tjetra, për të arritur, pastaj tek teologjia moderne trinitare e tek bota, në të cilën duhet ta jetojë i krishteri.E njëjta lëndë hyjnore, e tri vetje: Ati, Biri e Shpirti Shenjt. Kjo është Trinia. Për ta përshkruar, Gregori i Naciancenit pohon se secila nga tri vetjet hyjnore nuk është më pak e bashkuar me tjetrën, sesa është e bashkuar në vetvete. Nuk është e lehtë të kuptohet ky mister, pohoi atë Kantalamesa, prandaj Gregori, kur fliste për Trininë, nuk i pranonte similitudat si “diell, rreze, dritë”, nga që druhej se mund të devijonte në triteizëm. E, në të vërtetë, ishte Gregori ai, që ia hapi rrugën reflektimeve Agostinit, i cili arriti tek përkufizimi “Zoti Dashuri” e, pikërisht për këtë arsye, do të shpjegonte ipeshkvi i Iponës, Ai është Trini. Dashuria hamendëson një që do, domethënë që duhet, e edhe vetë dashurinë. Në Trininë Shenjte, Ati është ai që do, burim e zanafillë e të gjitha sendeve; Biri është ai që duhet; Shpirti Shenjt është dashuria, me të cilën duhen Ati e Biri”:
“Këtu është themeli i besimit në Trininë: nuk mund ta shpjegojmë sesi Zoti është një i vetëm e tri vetje, por mundemi, të paktën, ta marrim me mend se, duke qenë dashuri, Zoti duhet të jetë edhe një i vetëm në tri vetje. Një Zot, që do të ishte vetëm Dije, vetëm Ligj, vetëm Pushtet, siç është në shumë vizione fetare, nuk do të kishte nevojë të ishte trini. Duhet, ka shkruar de Lubak, që bota ta dijë: zbulesa e Hyjit Dashuri i përmbys të gjitha konceptimet e saj për hyjninë. Gjithçka ndryshon”.
Trinia është thelbi i fesë së krishterë, pohoi Atë Kantalamesa, e nuk mund të lihet mënjanë, për të lehtësuar dialogun me fetë e tjera monoteiste, sepse ka vënë një vulë aq të pashlyeshme në teologji, në liturgji, në përshpirtëri e në tërë jetën e krishterë, sa po të hiqje dorë prej saj, do të thoshte të filloje një fe të re, krejtësisht të ndryshme. E duhet t’i jemi mirënjohës Shën Gregorit, tha rregulltari kapuçin, që na hapi rrugën drejt zemrës së Trinisë e që, duke i kënduar me pasion, na mësoi të mos i afrohemi vetëm me akullin e arsyes:
“Ajo që duhet bërë, siç na mësojnë Etërit e Kishës, është ta zbresim këtë mister nga librat e teologjisë, në jetë, në mënyrë që Trinia të mos jetë vetëm mister i studiuar e i përsëritur mekanikisht nga besimtarët, kur thonë “Besojmën”, por i jetuar, i adhuruar, i shijuar”.
Ne nuk mund ta pushtojmë oqeanin, por mund të hyjmë në të; nuk mund ta rrokim misterin e Trinisë me mendjen tonë, por mund të hyjmë në Të, e porta për të hyrë, “është një e vetme: Jezu Krishti”, shtoi predikatari i Shtëpisë Papnore. Me vdekjen dhe ngjalljen e tij, hapi për ne një rrugë të re për të hyrë në zemër të Trinisë, e na la edhe mjetet, për ta ndjekur në këtë rrugë: mjeti i parë e më universali, është Kisha. E në Kishë, përfundoi atë Kantalamesa, mjeti më i zgjedhur është Eukaristia, sepse Mesha është veprim trinitar, prej fillimit e deri në mbarim; në të Jezusi i dhuron vetveten Atit në Shpirtin Shenjt. Përmes saj, hyjmë vërtet në zemër të Trinisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.