2012-03-16 18:44:02

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 4-të të kohës së Krezhmëve.


Ja në takimin tonë me Fjalën e Zotit të së dielës, kësaj radhe do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të liturgjisë Hyjnore të dielës së 4-të të krezhmëve, ciklit të dytë, sipas kalendarit liturgjik kishtar.
Leximet biblike të kësaj së kësaj së diele të 4-të të kohës kishtare të krezhmëve,na thërrasin ta njohim e ta pranojmë në flijimin e Jezu Krishtit, të vdekur mbi kryq, dritën rrëzëlluese të Ngjalljes së tij. Dashuria e Zotit për njeriun e ka mundur përfundimisht vdekjen dhe na ka dhënë jetën e cila nuk do të ketë mbarim. Hyji Atë e ka dërguar Birin e Tij, Njëlindurin që bota, që njerëzimi të shëlbohet përmes tij.
Jezu Krishti është mishëruar e ka ardhur ndër ne, jo për të na hequr ndonjë gjë që kemi: as gëzimin, as lirinë, po përkundrazi, Ai ka ardhur që njeriu të mos vdes, por ta ketë jetën e plotë. Feja na ofron e tregon udhën e jetës, e alternativa e jetës është vdekja, prandaj për ta asgjësuar përgjithmonë vdekjen dhe errësirën e amshuar, shën Pali apostull na kujton se, “duhet të vishemi me dritën e Krishtit të Gjallë”.
Po ne, njerëzit, anojmë e vijojmë të ecim pas asaj jete që vdes, në vend që t’i përmbahemi gjurmëve të Mësuesit Hyjnor e të shkojmë pas Jetës së vërtetë, pas jetës së pavdekshme, pas jetës së amshuar. Për këtë, Ungjilli i kësaj së diele të 4-të të krezhmëve, na thërret ta përqafojmë në ne jetën që nuk vdes e nuk mbaron kurrë, jetën e Krishtit Zot e Shëlbues, e t’i themi jo jetës kalimtare e të vdekshme. Me Jezu Krishtin, vërtetë, gjithçka ndryshon me të vërtetë. Ne, shpesh herë, e imagjinojmë Zotin si gjykatës të rreptë që gjykon e dënon në mënyrë të pariparueshme atë njeri që gabon, ndërsa Jezusi na dëfton e na dëshmon Zotin që na do deri në atë pik sa që ofron të Birin e vetëm, për shpëtimin tonë. Atë që, përmes Ungjillit të kësaj së diele, Jezusi kërkon prej nesh, është ta vejmë jetën në duar të tij, për ta shpëtuar përjetësisht nga vdekja dhe errësira.
Liturgjia e Fjalës së Zotit
Leximi i parë 2 Kro 36, 14-16.19-23

Shkatërrimi i Jerusalemit është simboli i refuzimit të Hyjit nga ana e popullit të Izraelit, që përshtatet me mentalitetin e popujve të afërm që besojnë në idhuj. Populli i Hyjit është zgjedhur për dashuri nga Hyji kur ishte i varfër dhe skllav i egjiptianëve. Dhe çdo herë që do të imitojë kombet pagane braktiset nga Hyji, ndërsa kur bëhet besnik Hyji e liron.

Lexim prej Librit të dytë të Kronikave

Në ato ditë të gjithë krerët e priftërinjve si dhe populli mbarë i shumuan pabesnikëritë e veta duke i ndjekur fëlliqësitë e paganëve e duke e dhunuar Shtëpinë e Zotit që vetë Zoti e kishte shuguruar në Jerusalem. E pra, Zoti, Hyji i etërve të tyre ua dërgonte me kujdes ditë për ditë lajmëtarët e vet për t’i qortuar, sepse i dhimbsej populli i vet dhe banesa e vet. Por ata i përqeshnin lajmëtarët e Hyjit, i bënin asgjë fjalët e tija dhe i vinin në lojë profetët deri që mbërriti në kulm hidhërimi i Zotit kundër popullit të tij e më s’kishte shërim. Atëherë armiqtë e dogjën Shtëpinë e Hyjit, e rrënuan murin e Jerusalemit, i dogjën të gjitha pallatet, rrënuan gjithçka ishte me vlerë.
Mbreti i treti në Babiloni ata që i shpëtuan shpatës dhe u bënë skllevër të mbretit e të bijve të tij deri që u vendos mbretëria persiane, për t’u plotësuar fjala që Zoti e tha me gojën e Jeremisë: “Deri që toka të mos i zhdetyrojë të shtunat e veta, do të pushojë për tërë kohën djerr, deri që të mbushen shtatëdhjetë vjet.” Në vitin e parë të Kirit, mbretit të Persisë, për të shkuar në vend fjala e Zotit, që e kishte thënë me gojën e Jeremisë, Zoti e zgjoi shpirtin e Kirit, mbretit të Persisë, i cili shpalli – madje edhe me shkrim – në mbarë mbretërinë e vet: “Kështu urdhëron Kiri, mbreti i Persisë: Zoti, Hyji i qiellit, m’i dhuroi të gjitha mbretëritë e dheut dhe Ai më urdhëroi t’ia ndërtoj Shtëpinë në Jerusalem, që është në Judë.”
Fjala e Zotit.


Psalmi 137
Kujtimi në ty, o Zot, është gëzimi ynë
Mbi lumenj të Babilonit,
atje rrinim e lotonim,
duke sjellë në mend Sionin.
Në shelgje, në mes të tij,
harpat tona në gem i varëm.

Shi atje shpërngulësit tanë
t’u këndojmë prej nesh kërkuan,
të gëzohemi shtypësit urdhëronin:
“Na i këndoni këngët e Sionit!”

Po si mund t’i këndojmë
këngët e Zotit në dhe të huaj?
Oh, m’u thaftë-o krahu mua,
Jerusalem për në të harrofsha.

Për qellzë gjuha m’u kaptë mua,
që të kujtoj ty nëse unë pushofsha,
në mos e vënça Jerusalemin
mbi të gjitha gëzimet e mia!


Leximi i dytë Ef 2, 4-10
Dashuria e vërtetë refuzon logjikën e shkëmbimit. Kur do me të vërtetë nuk thuhet: kam edhe unë të drejta, apo kam bërë detyrën time. Dashuria e vërtetë dashuron falas. Krishti Jezus është shenja që Hyji na do, megjithë padenjësinë tonë. Kthimi i vërtetë gjendet në të pranuarit pa interes të dashurisë së Atit dhe pa bërë pazar me besimin.
Lexim prej Letrës së shën Palit apostull drejtuar Efesianëve

Vëllezër, Hyji, i pasur me mëshirë, në saje të dashurisë së madhe, me të cilën na deshi, ne që ishim të vdekur për shkak të fajeve, na ngjalli bashkë me Krishtin – ju jeni të shëlbuar me hir – dhe, bashkë me të, na ngjalli dhe na vendosi në qiell në Krishtin Jezus: që me mirësinë e tij ndaj neve në Jezu Krishtin ta tregojë në shekujt e ardhshëm pasurinë e patregueshme të veten. Sepse me hir, në saje të fesë, jeni shëlbuar! Dhe kjo s’vjen prej jush, por është dhuratë e Hyjit! E jo me anë të veprave, që ndokush të mos lavdërohet. Jemi vepër e tij, të krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira, që Hyji i përgatiti qysh më para që të jetojmë në to.
Fjala e Zotit.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, që secili që beson në të ta ketë jetën e pasosur.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 3, 14-21
Nikodemi dhe të gjithë hebrenjtë prisnin në personin e Jezusit njeriun e fortë që do të vinte drejtësi dhe do të gjykonte botën. Por Jezusi paraqitet si Mesia që pranon të gjykohet në vend që të gjykojë. Gjykimi i vërtetë dhe i vlefshëm nuk vjen nga jashtë, por nga raporti që secili ka me të vërtetën e Hyjit.
Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Në atë kohë Jezusi i tha Nikodemit: “Sikurse Moisiu e lartësoi gjarprin në shkreti, po ashtu duhet të lartësohet edhe Biri i njeriut, që kushdo të besojë në të ta ketë jetën e pasosur. Vërtet, Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, të mos birret, por ta ketë jetën e pasosur. Në të vërtetë Hyji nuk e dërgoi Birin që ta dënojë botën, por që bota të shpëtojë nëpër të. Kush beson në të nuk dënohet, ndërsa kush nuk beson, ai është dënuar që tani, pse nuk besoi në Emrin e Njëlindurit, Birit të Hyjit. E gjykimi është ky: Drita erdhi në botë, por njerëzit më tepër deshën terrin se dritën, sepse veprat i kishin të këqija. Vërtet, kushdo që bën të keqen, e urren dritën dhe nuk del në dritë që të mos i zbulohen veprat e tija, kurse ai që e vë në zbatim të vërtetën, ai del në dritë që të dalë ballafaqe se veprat e tija u bënë siç thotë Hyji.”
Fjala e Zotit.
Më shumë mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 4-të të Krezhmëve, mund të dëgjoni këtu programin tonë......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.