2012-03-16 15:32:34

Don Zef Shestani, në 22 vjetorin e vdekjes


Si sot, 22 vjet më parë, Njeriu, që po e përkujtojmë në përvjetorin e kalimit në amshim, merrte mbi vete një detyrë, që mund ta çonte drejt vdekjes së sigurtë. Ai, që kishte shkruar vargjet:
Thrret gjaku i vllazënvet,
Që po shkon rrke,
Zani i dëshmorvet,
Që shkrihet në dhe. ..
i çonte Shqipërisë ateiste, të ngërthyer mes telash me gjemba, Mesazhin se Zoti i kryqëzuar nuk e kishte harruar. Se do të rikthehej pa tjetër. E mesazhin e mëkëmbësit të Krishtit, Papës.
Nuk është ndonjë nga shprehjet emfatike, që përdoren rëndom këto kohë, kur flitet a shkruhet për veprimtarinë e klerit katolik shqiptar, kjo që po përdorim sot për dom Zefin e bashkëpunëtorët e tij.
Kur don Zefi u çonte shqiptarëve zërin e Papës, për regjimin stalinist Papa ishte vetë djalli e, frika prej fjalës së tij, qe e tmerrshme. Po kujtojmë vetëm një prej shembujve të shumtë, që flasin qartë për këtë ...
Në vitet ’75-‘76, në Tiranë, me miratimin e vetë diktatorit, nëpërmjet një përforcuesi, u lejua ndjekja e lajmeve të ditës, që jepnin dy kanalet shtetërore televizive italiane. Por, ndërkohë, për të penguar çdo transmetim të kronikave nga Selia e Shenjtë si dhe mesazhet e shpeshta të Papës, regjimi kish organizuar një sistem kontrolli të posaçëm. Tekniku përgjegjës i antenës së Dajtit i ngarkuar me vëzhgimin e emisioneve, duhej të ndërpriste menjëherë transmetimin e sinjalit, sapo në ekran të dukej Vatikani, figura e Papës apo çdo lloj kremtimi tjetër fetar. Në sa viti 1975 numëronte ditët e fundit, pikërisht ditën e Krishtlindjes, qëlloi dhe prova e përgjithshme e Festivalit të Kengës në Radio-Televizion. Edicioni i lajmeve të RAI-it atë natë filloi me përshendetjen e Papës. Enver Hoxha, i mbërthyer te ky informacion priste që figura të ndërpritej. Kaloi një minutë, pesë, hiç... Vetë ai, personalisht, i telefonoi në fillim drejtorit të përgjithshëm, pastaj të tjerëve me radhë. Çuditërisht, asnjë përgjigje. Vetem vonë, diktatori u lidh me një numër në studjon e lajmeve, ku po bëhej gati transmetimi i ngjarjeve kryesore të ditës.
- Jam Enver Hoxha - nisi me tërbim ligjëratën. - Si guxoni të lini Papën hapur ? Ka mbi njëzetë minuta që flet e i bën propagandë kryeqytetit për Krishtlindjet. Ku janë drejtorët tuaj? Cili jeni ju? Tani, menjeherë, të mbyllet linja e Dajtit!..
"Laudetur Iesus Christus! Ju flet Radio Vatikani në gjuhën shqipe!". Diktatori e ndaloi transmetimin televiziv, që përcillej nga antena e Dajtit, po s’mundi ta ndalonte këtë mesazh, nisur që përtej Adriatikut me valët e ajrit, nga don Zef Shestani. Nuk mundi t’i rrethonte edhe kufijtë e qiellit me tel ferrc, si kishte bërë me kufijtë e tokës shqiptare.
Kapelani i dikurshëm i Kishës së Shën Kollit në Rus të Shkodrës, themelonte Programin e parë të Radio-Vatikanit në gjuhën shqipe, që filloi transmetimet më 3 tetor 1951, me një Udhë Kryqi, aq domethënëse këto ditë Kreshmësh, e që do të përsëritej vit për vit, të Premten e Madhe. Mblodhi rreth tij, para mikrofonit, që ato çaste kthehej në simbol Kalvari, bashkëpunëtorët e ngushtë, të gjithë të ngarkuar me kryqin e rëndë të mërgimtarit politik. Ishin atë Danjel Gjeçaj, françeskani i mirënjohur; Andre Shuli, për të cilin në shtypin e sotëm shqiptar shkruhet se u zhduk pa lënë gjurmë; motra Luçia Laca, që vdiq në mërgim, pa mundur ta shohë më Atdheun aq të dëshiruar; Gjon Gjomarkaj, që do ta zëvendësonte Don Zefin pas vdekjes, dhe një grup murgeshash engjëllore, me kryqin e rëndë të Kosovës martire mbi shpinë:

E niste Don Zefi, Udhën e Kalvarit: “Ndigjues të dashtun, sot kujtojmë të Premten e Madhe; Liturgjia e Kishës na tregon Mundimet e vdekjen e Krishtit, Zotit tonë. Në përkujtim të Mundimeve të Tija, të mblidhemi shpirtnisht e të bajmë bashkë kte Udhë Krygje.

Don Zefi: - I pari të ndalun: Krishtin e gjikojn për vdekje.

Pater Danieli: - Pilati u tha ushtarve: merrnje e kryqzonje; e ua dorzoj atyne. O Zot, të kesh mshirë për ne!

Motër Luçia: - Ti nuk ke ardhë me gjykue, por me shpëtue. Ti që ke dhanë jeten për ne...

Sbashkut: - O Zot, të kesh mëshirë për ne!

Kështu niste emisioni i parë i programit shqip të Radio Vatikanit, që vijonte duke ndjekur Krishtin në çastin kur i vënë mbi krahë kryqin, kur rrëzohet për të parën herë, kúr takohet me nënën e vet...
E në sa don Zefi shqiptonte fjalën “nanë”, nuk mund të mos i shkonte mendja në atdheun e largët, tek nana, që tretej atje larg, në një varr, ku ai s’mund të derdhte asnjë pikë loti. E, prej lotit të paderdhur, që i pikonte nga sytë, në zemër, buronin vargjet: “Ah! Ajo natë në shpí tonë kur s’pari shkova/ e nanën s’gjeta mâ porsi gjithherë,/ ndejun durueshëm nën atë të moçmen derë/ tue pritë...
Tue pritë. Tue pritë kthimin. Kthimin e djalit. Fundin e Udhës së Krygjës, që e kremtuar atë pasdite para një mikrofoni, mbyllej me fjalët e të katërmbëdhetit të ndalun:

Pater Danieli: - T’adhrojmë, o Krisht Zot. Bân që mbas vorrimit tonë, të ngjallemi me Ty!
Të jetë jeta jonë, e vdekja jonë, ashtu si don Ti...

Don Zefi jetoi e vdiq ashtu si donte Krishti Zot. E jemi të sigurtë se e ndjek këtë transmetim nga banesat e amshuara, në të cilat ne, që ecim në gjurmët e tij, besojmë pa asnjë mëdyshje,
Ndërsa trupi i Meshtarit, i cili pati shkruar në murin e qelës së famullisë së tij, në Shkodër, sentencën, që do të bâhej lajtmotiv jete: "Dulcem et decorum est pro patria mori" - "Asht gjâ e ambël dhe e bukur me dekë për Atdhé", vijon të presë. Pret kthimin në Atdhe, në një varr të harruar, në dhe të huaj. Shtegtim i ëndërruar drejt Atdheut, mall i derdhur në vargje:

“Kush din se kúr me u pá kam edhe ‘i hera
kodrina të Rrencit ku me miq shetita;
kur në prill terbohej në bukuri pranvera
me agime të kuqta porsá zbardhte drita”.

Kushdi se kur! Po Udha e Krygjës përfundon me një vdekje të jashtëzakonshme, që nuk është fund; është fillim. Fjala e fundit nuk i takon kurrë vdekjes. Fjala e fundit i takon jetës!







All the contents on this site are copyrighted ©.