2012-03-16 18:34:16

Bashkëshortët Xanxuki zgjidhen nga Papa për meditimet e Udhës së Kryqit në Koloseum. Shprehje e vëmendjes së Kishës për familjen.


Benedikti XVI ia besoi një çifti bashkëshortësh tekstet e meditimeve për Udhën e Kryqit, që do të kremtohet në Koloseum, të Premten e Madhe të Pashkëve, sivjet, më 6 prill. Bashkëshortët në fjalë quhen Danilo e Ana Maria Xanxuki. Janë nismëtarë të lëvizjes “Familje të reja”, në mjediset e Fokolarëve. Reflektimet do të frymëzohen nga jeta e familjes. Skema e Udhës së Kryqit do të jetë ajo tradicionale, me 14 stacione. Kështu, pra këtë vit, meditimet e Udhës së Kryqit në Koloseum, që do të kremtohen nga Papa Benedikti XVI, do t’i shkruajnë një çift bashkëshortësh, Anamaria dhe Danilo Xanxuki. Ata kanë qenë bashkëpunëtorë të ngushtë të Kiara Lubik, themelueses së Fokolarëve e tani, vazhdojnë të jenë përgjegjës për lëvizjen “Familje të Reja”. I ftuam në mikrofonin tonë për t’i pyetur si e pritën këtë kërkesë të Atit të Shenjtë:
Reagimi ynë i parë ishte habia e madje, edhe pak frikë para këtij misteri të madh, që janë Mundimet e Krishtit. Shprehja e tyre me fjalë na duket e vështirë. Njëkohësisht, ndjemë mirënjohje që Papa zgjodhi një familje për diçka kaq të thellë e të fuqishme. Ta shprehnim në këtë mënyrë, gati pjesëmarrjen tonë në dhimbjen shpërblyese të Jezusit, na dukej dhuratë e Zotit, sepse kështu, na nxiti të reflektojmë më shumë mbi ngjarjet e fundit të jetës së Krishtit.
Meditimet do t’i referohen temës së familjes. Ç’do të thotë kjo sipas jush: kujdes të veçantë për familjen, në këtë moment, apo pranim i pjekurisë së laikëve dhe të bashkëshortëve për ta shprehur fenë për të gjithë?
Do të thosha si njëra, ashtu edhe tjetra. Natyrisht, Kisha i kushton vëmendje të veçantë familjes, në të gjitha nivelet, në të gjithë botën. E familja është bërë më e vetëdijshme se është Kishë e ka më shumë përgjegjësi në shoqëri: mjafton të mendojmë edukimin e fëmijëve. Ky interesim ka disa etapa: kujtoj se, sapo u zgjodh Papë, Gjon Pali II themeloi Këshillin Papnor të Familjes. Ai na pyeste, madje thirri një grup laikësh nga çdo anë e botës për të dëgjuar si ishte situata e ç’mund të bëhej. Impenjohej që kontributi i familjeve të njihej e të vlerësohej nga Kisha e nga shoqëria. Mblodhi edhe një Sinod për familjen, fryti i të cilit qe enciklika e famshme “Familiaris Consortio”, traktati më i qartë e më i plotë mbi familjen në botë, që vazhdon të frymëzojë lëvizje si e jona. Edhe Benedikti XVI na ka thirrur dhe është interesuar për punën tonë, duke vijuar atë që nisi Gjon Pali II.







All the contents on this site are copyrighted ©.