2012-03-15 13:31:25

Çelësi i fjalëve të Kishës: vuajtja


Juan de Yepes, i njohur si shën Gjoni i Kryqit (1542-1591), meshtar spanjoll e Doktor i Kishës, vuajti shumë në jetë e madje, edhe u burgos, por së bashku me shën Terezën e Avilës i ktheu karmelitanët në origjinën e tyre, në rregullën, që pasqyronte vërtet misionin e tyre të krishterë, në një kohë, kur, ndër kuvende e manastire, viheshin re lëshime të papranueshme. Nga një vuajtje e madhe, vepra madhështore. Në Kohën e Kreshmëve, duke pasur parasysh Mundimet e Krishtit, është e natyrshme të reflektojmë mbi kuptimin e “vuajtjes”. Në këtë fjalë përqendrohet emisioni i sotëm.RealAudioMP3

Kësaj radhe, po ju propozojmë një homeli. Është e një shenjtori tjetër, e shën Bernardit të Kiaravales, i fundit i Etërve të Kishës, jetuar në shekullin XII, i cili mediton për vuajtjen e shën Marisë, Nënës së Krishtit, në këmbët e Kryqit. Simoni pati parathënë se një shpatë do t’ia shporonte zemrën e shën Bernardi fikson pikërisht çastin kur Zoja e Bekuar përjeton vdekjen e birit e Zotit të saj. Në homeli vërehet se dhimbja shpirtërore, që ndjen Maria para Kryqit, është më e fuqishme se vuajtja e saj fizike. Por ja fjalët e homelisë:
“Sa për martirizimin e Virgjërës… ai konfirmohet si nga profecia e Simonit, ashtu edhe nga tregimi i Mundimeve të Zotit. 'Hyji e caktoi këtë Fëmijë të bëhet shenjë kundërshtie', pati thënë Simoni plak, njeri i përshpirtshëm e i drejtë, që sheh në Jezusin Mesinë, por i drejtohet edhe Marisë me fjalët: 'ty vetë një shpatë do ta tejshkojë shpirtin' (Lk 2,34-35). E vërtet, o e Lumja Nënë, vërtet një shpatë ta përshkoi zemrën. Pasi Jezusi yt (i të gjithëve po, por sidomos yti) mori frymë për herë të fundit, heshta e pamëshirshme, që i hapi kraharorin, duke mos lënë të qetë as atë që tashmë kishte vdekur e s’mund t’i bënte dëm askujt, kjo heshtë pra, nuk shporoi shpirtin e Krishtit, por tëndin. Shpirti i Jezusit kishte dalë tashmë nga trupi i Tij, ndërsa ty, e gjallë e për tmerr, të dhimbte shpirti yt – vuajtje e thekshme fizike. Forca e dhimbjes hyri thellë në zemër, duke e përvëluar, gati duke e shqyer, prandaj ne të konsiderojmë më tepër se martire, sepse vuajtja jote fizike kapërcehet nga kjo vuajtje intime, shpirtërore, që nuk shihet.
A nuk ishin për ty më shumë se një shpatë, që shporon zemrën e shpirtin, fjalët e djalit tënd: “Grua, ja yt bir”(Gjn 19,26)? Çfarë shkëmbimi! Të jepet Gjoni në vend të Jezusit, shërbëtori në vend të zotërisë, dishepulli në vend të mësuesit, biri i Zebedeut në vend të Birit të Zotit, një njeri i thjeshtë në vend të Hyjit të vërtetë! E si mund të mos e shporonin shpirtin tënd të ndjeshëm ato fjalë, kur neve, edhe sot, vetëm kujtimi i tyre na e bën copë-copë zemrën, e cila, në ndryshim nga e jotja, është prej guri, madje prej hekuri të papërshkueshëm?
Mos u habisni nëse Maria thirret martire në shpirt. Mund të çuditet vetëm ai, që nuk e mban mend se Shën Pali rreshtoi ndër krimet më të mëdha të paganëve, edhe pandjeshmërinë e zemrës. Por nuk është kështu për shën Marinë e as për ata, që kanë devocion në të. Ndokush mund të kundërshtojë: “A nuk e dinte Maria se Jezusi do të vdiste?”. Pa dyshim që e dinte. “A nuk shpresonte se Ai do të ringjallej?” E vërtetë edhe kjo. “E megjithatë, vuajti ndërsa e shihte të kryqëzuar?” Si jo e, shumë madje!...Në fund të fundit, kush je ti o vëlla e prej kujt ke mësuar të mrekullohesh më shumë se Maria, që vuan për dhembshuri, nëse jo prej Birit të Marisë, që heq e pëson? Nëse Ai mundi të vdesë me trup, pse ajo nuk mund të vdesë me Të në shpirt? Në rastin e parë, kemi të bëjmë me dashurinë e Tij, që s’ka të dytë; në rastin tjetër, me dashurinë e asaj, që asnjë krijesë, kurrë, s’mundi ta barazojë”. (Sermoni per le feste della Madonna, E Diela në tetëditëshin e Të ngjiturit të Zojës në Qiell, 14-15, f. 376-378).
O Zojë, ti që ke njohur pafundësinë e dashurisë dhe të vuajtjes për dashuri, na ndihmo kur vuajtja na bën të bërtasim në kupë të qiellit, kur dhimbja na e fshikullon zemrën e derdhim lot gjaku. O Vigjër e dhembshur, hidhe vështrimin mbi ata që të luten, sepse vetëm ti mund t’i freskosh plagët që djegin, mund të shuash etjen, mund të lehtësosh dhimbjet tona me balsamin e dashurisë tënde. Ti që si grua, vuajte, si nënë, derdhe lot e si Kishë, mbetesh akoma zemërcoptuar…








All the contents on this site are copyrighted ©.