2012-03-15 13:31:38

Klasifikimi i Librave të Shkrimit Shenjt


Folëm, në emisionin e kaluar, shumë shkurtimisht, për Besëlidhjen e Re. Me qenë se synimi ynë është të klasifikojmë një libër, që mendohet se i përket kohës pas Krishtit, si Ungjilli apokrif i Barnabës, gjetur kohët e fundit në Turqi, na lind natyrshëm pyetja: mbi ç’bazë klasifikohen dorëshkrimet e lashta të Shkrimit Shenjt? Nga ç’bazë nisen studiuesit, për të arritur tek data e tek autori, të shumtën, anonim?RealAudioMP3
Dorëshkrimet e Besëlidhjes së vjetër, ndërmjet tjerash, dallohen mbi bazën e materialit, mbi të cilin u shkruan, të tipit e të formës së shkrimit.
Sipas materialit, vendin e parë për lashtësi e zënë dorëshkrimet e Besëlidhjes së Vjetër, shkruar mbi papirus, material, i cili në lashtësi nxirrej nga një lloj kallami, që rritej në kënetë, duke arritur lartësinë 2 deri në 5 metra e lulëzonte nga korriku, në shtator. Me origjinë në Afrikën tropikale, ishte shumë i përhapur kryesisht në deltën e Nilit, ku edhe nisi të përdorej si lëndë e parë për papirusin, që mund ta quajmë letra e parë, mbi të cilën vijoi shkrimi i historisë njerëzore, nisur mbi shkëmbij, gurë e tulla balte. Filloi të përdorej 3000 vjet para Krishtit e përdoret akoma, ndonëse në raste shumë të rralla, me qëllime zbukurimi e me të njëjtin emër.
Dorëshkrimet më të lashta të Besëlidhjes së Re, në papirus, janë: Papirusi 52 (një faqe e vetme, me 5 versete nga Shën Gjoni, shkruar në vitet 120-130; ruhet në Mançester); Papirusi 66 (104 faqe të Ungjillit sipas Gjonit, shekulli II, ruhet në Kolonjì, pranë Gjenevës), Papirusi 45 (30 faqe nga ungjijtë, shek III, ruhet në Dublin) si dhe tre papiruse të tjera me numër 46, 72, e 75.
Vijnë, më pas, dorëshkrimet në pergamenë, domethënë, shkruar mbi lëkurën e regjur të deles, të dhisë e të viçit, përpunuar me shumë kujdes. E njohur si membrana ose vellum nga latinët, e mori emrin nga qyteti Pergamo, në Azi të Vogël ku, sipas Plinit Plak, nisi të përdorej rreth shekullit II para Krishtit, duke zëvendësuar papirusin. Pergamo kishte një bibliotekë të madhe, rivale e Bibliotekës së Aleksandrisë. Kur Egjipti i dha fund eksportimit të papirusit, për shkak të konkurrencës kulturore (kishte dhe asokohe konkurrencë, e të fortë, madje) ndërmjet sovranit egjiptian Ptolemeu V dhe Mbretit të Pergamos, Eumeni II (196-158 para Krishtit) Pergamo iu përgjigj këtij qëndrimi, duke shpikur pergamenën, përmes përpunimit të veçantë të lëkurëve.
Në botën e lashtë pergamena nuk u përhap aq, për shkak se konkurohej nga papirusi, që prodhohej më shumë, më lehtë e kushtonte më pak. Vetëm duke u nisur nga shekulli V u bë materiali i parë dhe u përdor për shkrim gjatë gjithë mesjetës, për t’u zëvendësuar, pastaj, me kartën apo letrën, me një histori më vete e me natyrë fibroze bimore. Fjala ‘kartë’ vjen, ndoshta , nga latinishtja charta, ose nga greqishtja charassò, me kuptimin ‘skalit’.
Por nuk duhet harruar se në lashtësi u përdorën edhe materiale të tjera, si bambuja e mëndafshi, kryesisht në Kinë, ku karta, e nxjerrë nga lecka e rrjeta peshkimi, nisi të përdorej që në vitin 105.
U ndalëm në përshkrimin e materialeve, sepse janë një nga bazat, për datimin e dorëshkrimeve të lashta, sidomos, të Besëlidhjes së Vjetër.
Bibla e parë e shtypur me shkronja të lëvizshme, realizuar në Mainc të Gjermanisë ndërmjet viteve 1452 e 1455 është ajo e Gutembergut. Përbëhet nga dy vëllime in foglio, me 322 e 319 fletë. Vëllimi I është Vulgata, Bibla latine e përkthyer nga Shën Jeronimi në shekullin V. Përfshin Besëlidhjen e Vjetër, që vijon edhe në Vëllimin II, ku është shtypur Besëlidhja e Re. Një pjesë e librave u shtyp mbi pergamenë, tjetra, mbi kartë të xjerrë nga fibra e kërpit, sjellë nga Italia. Me të nis historia e shtypshkronjës.
Po dorëshkrimet e Biblës klasifikohen edhe mbi bazën e formës. Së pari, Besëlidhja e Vjetër u shkrua në formën e rrotullave, ku teksti shtrihet në njërën anë të fletës, në një fashë të gjatë horizontale, organizuar në shumë kolona, për t’u lexuar duke u shrrotulluar ngadalë nga njëra anë, në tjetrën. Në sinagogat hebraike librat e Torah janë të shkruar në formë rrotulle.
Forma e dytë është ajo e kodikëve, të ngjashëm me librat e sotëm, me fletë të shkruara nga të dyja anët, të lidhura në formë libri. Një sistem i tillë nisi të përdorej aty nga shekulli II e vijoi deri në shekullin V, duke e zëvendësuar dalëngadalë sistemin e rrotullave. E kjo, sepse kodiku ishte shumë më praktik, më i lehtë për t’u lexuar, pasi nuk ishte e nevojshme të përdoreshin të dyja duart, rrinte i hapur pa nevojën e ndërhyrjeve të tjera, kishte faqe të numëruara e përfshinte shumë më tepër teskt, sesa rrotulla, me që fleta shkruhej në të dyja faqet.
Duhet kujtuar se materiali i parë, papirusi, ishte tejet i brishtë. Kështu Librat e Besëlidhjes së Vjetër duheshin rishkruar vazhdimisht, duke zëvendësuar variantet e mëparshme, të dëmtuara nga koha, me qëllim që të mos zhdukeshin. Teksti më i vjetër, i rikopjuar pambarimisht, është ai mazoretik, varianti hebraik i Biblës, që vijon të përdoret nga hebrenjtë. Po ky variant përdoret si bazë edhe në përkthimet e Besëlidhjes së Vjetër nga ana e të krishterëve. U hartua, u shkrua e u përhap nga një grup hebrenjsh, të njohur me emrin Mazoretë, në gjysmën e shekullit X pas Krishtit. Fjala hebraike mesorah ka kuptimin e transmetimit të një tradite, kryesisht asaj hebraike.
Kujtojmë se ishin pikërisht dorëshkrimet e para, që u ruajtën, bazë për përkthimin e të Shtatëdhjetëve. Më pas do të vinte një zbulim tjetër i madh, i bërë krejt rastësisht, për të cilin shkenca vijon të flasë: zbulimi i rrotullave të Kumranit.
Po dorëshkrimi i Turqisë, shkruar mbi lëkurë, në formë kodiku, nuk ka të bëjë fare me Kumranin, e as me Kodet më të lashta të Shkrimit Shenjt. Është thjesht një apokrif. E fjala e fundit e emisionit të sotëm, do të jetë edhe fjala e parë e atij të ardhshëm i cili nga labirinthi i materialeve e formave të shkrimit të Biblës, na shtyn të hyjmë në një labirinth edhe më të ndërlikuar, në atë të dorëshkrimeve që nuk kanë frymën e Hyjit, por thjesht, të njeriut.
Shumë prej tyre ruhen në Bibliotekën dhe në Arkivin Sekret të Vatikanit, ku shrrotullohen për ditë nga dhjetra studiues, të cilët i ndihmojnë të depërtojnë në të fshehtat e Zotit e të shpirtit të njeriut. Frymëzuan edhe Martin Camajn, për të shkruar veprën e tij madhore poetike “Palimpsest”, me të cilën na prin pikërisht në labirinthin e pergamenave: “Mirësia e Murgut të zi më ndjell/ në mbarë qenien time qetësinë e shekujve/ kur ai hap me çelës të ndryshkun raftin/ e nxjerr librin pergamene dhe e vë/ mbi tryezë e pëshprit (jemi në Bibliotekë)/ ... ' Ky libër lëkure i përngjet një populli/ i cili nuk qet asgjâ në harresë/ ... Fjalët që ia vren në siprinë...i kanë rranjët në urtinë e kthiellë si loti/ me ua gjetë fillin nuk âshtë e lehtë/!”.1


1 M. Camaj, Palimpsest, Michigan, 1991, ‘Atmosferë’, fq. 8








All the contents on this site are copyrighted ©.