2012-03-14 16:59:21

Nunci në Damask: masakra e Homsit, e tmerrshme. OKB-ja të flasë me një zë të vetëm


Siria vazhdon të jetë teatër ndeshjesh të ashpra. Sipas lajmeve të fundit, pas një rrethimi katërditor, ushtria mori në dorë qytetin e Idlibit, në veri të vendit. Ndeshje ka edhe në Damask e në Dara’a. Ndërkaq, opozita përçahet. Ndërsa disa nga përfaqësuesit e saj i siguruan bashkëpunimin e tyre, të dërguarit të OKB-së e të Lidhjes Arabe, Kofì Anan, i cili i takoi në Stamboll, një grup tjetër shkëputet nga Këshilli Kombëtar Sirian, duke e akuzuar si të paaftë për të shprehur aspiratat e popullit. Në frontin ndërkombëtar, Rusia dhe Kina, që deri tani mbështesnin regjimin e presidentit Bashar al Asad, bëjnë të ditur se nuk përkrahin atë, por zbatojnë parimin e drejtësisë ndërkombëtare. Mbi tryezën e Kombeve të Bashkuara mbërriti përgjigjia e presidentit për propozimet e paraqitura nga i dërguari Kofi Anan, të shtunën në Damask. I kërkuam një koment, kryetarit të Institutit italian për Lindjen, Klaudio Lo Jakono:
Jam mjaft pesimist për dokumentin e Asadit, që më duket një përpjekje për të dalë nga rrethimi, në të cilin e ka mbyllur veten regjimi sirian. Nuk shpreh vullnetin e tij të mirë. Presidenti i Sirisë ka pasur njëmijë raste për të arritur marrëveshjen, duke filluar që nga diskutimet me shtetet e Lidhjes Arabe. Ky dokument do të thotë se punët ose po i shkojnë keq, ose është thjesht një lëvizje për të fituar kohë. E s’ka kuptim as shpallja e zgjedhjeve legjislative për 7 majin e ardhshëm. Është propagandë për të qetësuar opinionin publik, i cili ndodhet përballë shifrave marramendëse: nga 8 mijë në 10 mijë viktima, që nga fillimi i kryengritjes. Tashmë, e dinë të gjithë se nuk kemi të bëjmë me terrorizëm, por me revoltën e një pjese të popullsisë sunite kundër një regjimi, të frymëzuar nga pikpamja ideologjike e fetare prej grupit alauit, në fuqi prej dhjetra vjetësh në Siri.
Të dëgjojmë edhe nuncin apostolik në Damask, imzot Mario Xenari:
Pak ditë më parë, më bëri përshtypje lutja e një të riu: “O Allah, vetëm ti mund të na ndihmosh”. Eksodi i mijëra vetëve, masakra e tmerrshme në Homs, vështirësitë për të ndihmuar e mjekuar të plagosurit, rreziku, që u qëndron mbi kokë njerëzve sa herë varrosin të vdekurit, të cilët, në disa raste, bëhen kapicë nëpër xhami, bën t’i rrënqethet mishi kujtdo. Disa dëshmitarë më kanë thënë se në Homs, për të pastruar rrugët nga kufomat, ndokush i vendos, kështu, provizorisht, në kazanët e plehrave… Para këtyre imazheve, duke qenë Kohë Kreshmësh, gati në prag të Javës Shenjte, më vjen spontanisht në majë të gjuhës thirrja e Jezusit në Kryq: “Zoti im, përse më ke braktisur?”. Nuk dua të komentoj për të mos e prekur thellësinë e këtij misteri. Ashtu siç ka thënë filozofi i njohur Paskal, në një shprehje të famshme, “Jezusi është në agoni deri në fundin e botës”. Ja, Zoti derdh akoma djersë gjaku e na takon ne të rrimë zgjuar: ne të gjithëve, njerëzve, besimtarëve të çdo feje, të rrimë zgjuar para misterit të Mundimeve të Krishtit, që vazhdojnë nëpër rrugët e botës e, në mënyrë të veçantë, këto ditë, në Siri. Dua t’i bëj vetëm një koment gjithë kësaj: dua të citoj atë që tha i dërguari i OKB-së dhe i Lidhjes Arabe, Kofi Anan: “Vrasja e civilëve duhet të ndalet menjëherë. Bota duhet të dërgojë mesazhin e qartë që kjo situatë është krejtësisht e papranueshme”. E dua të besoj se Kombet e Bashkuara, që po përpiqen të gjejnë zgjidhjen e kësaj krize, të bashkohen vërtet. Nganjëherë, pavarësisht se gjendja është tejet e ndërlikuar e aspak e lehtë, krijohet përshtypja se ky term, termi “Kombet e Bashkuara”, nuk është aspak i përshtatshëm e të vjen të thuash “Kombet e Pabashkuara”. Shpresojmë që bashkësia ndërkombëtare të flasë, më në fund, me një zë të vetëm e të veprojë si një trup i vetëm.








All the contents on this site are copyrighted ©.