Besëlidhja e Re (-ja greke: Η Καινή Διαθήκη), është përmbledhja e 27 librave kanonikë,
që përbëjnë pjesën e dytë të Biblës së krishterë. U shkruan pas predikimit të Jezusit
të Nazaretit. Testamenti, Pakti apo Besëlidhja e Re është term i përdorur nga të krishterët
për paktin, besën e Hyjit, lidhur me njeriun, përmes Krishtit. Tekstet janë shkruar
në greqishten e koiné-së, me sfond semitik. Kujtojmë se në shekullin II mbas Krishtit
kishte shumë shkrime, që mbanin emrin e ndonjë apostulli: ungjij, vepra, letra, por
jo të gjitha u përfshinë në liturgji e në predikime katekistike. Aty nga fundi i shekullit
II, disa prej tyre u përmblodhën dhe krijuan pjesën e dytë të Biblës. Hynë menjëherë
edhe në liturgjinë e në katekizmin e mbarë Kishës, përhapur në vende të ndryshme.
Por shumë shkrime të tjera mbetën jashtë kësaj përmbledhjeje. Kisha nuk i konsideroi
si libra të frymëzuar nga Hyji. Prej këndej, u panë me dyshim e u quajtën apokrife;
me kuptimin ‘që duhen fshehur; ‘duhen ruajtur në një një vend të fshehtë”. Me apokrifet
do të merremi në mënyrë të veçantë, sepse edhe libri i gjetur në Turqi është pikërisht
një prej tyre. Të krishterët e parë nuk e patën menjëherë idenë për t’i bashkuar
librat e tyre me ato të Besëlidhjes së Vjetër, duke i parë si vazhdim të saj. Në fillim
nisën t’i përdorin pas leximeve të shkëputura nga Besëlidhja e Vjetër. Kështu, me
kohë, nisën të quheshin Librat e Besëlidhjes së Re, domethënë të Besës së re, që lidhi
Hyji me njeriun, me ndërmjetësinë e Jezu Krishtit. Kështu Besëlidhja e Re u bë pjesa
e dytë e së Vjetrës, të cilën Kisha katolike e nderoi gjithnjë si Fjalën e Hyjit.
Librat kryesorë të Besëlidhjes së Re janë Ungjijtë. Fjala Ungjill vjen prej fjalës
greke ευ-αγγέλιον (eu anghélion), arrin në gjuhët e ndryshme nga latinishtja
evangelium e do të thotë ‘kumt i gëzuar’, ‘lajm i mirë’, ‘sihariq’. Përdoret
për herë të parë në Ungjillin sipas Markut. Më pas, e pikërisht në shekullin II pas
Krishtit, njihen me këtë emër edhe tre të tjerë. Në të 27 librat e Besës së Re
përfshihen të vërtetat e fesë e të moralit të krishterë. Bashkë me Librat e Besëlidhjes
së Vjetër dhe me traditën e Kishës, përbëjnë gurrën e të vërtetave, që duhen besuar
e të normave morale, mbi bazën e të cilave ngrihet jeta e të krishterit. Besëlidhja
e Re fillon me katër ungjijtë kanonikë: Ungjilli sipas Mateut, sipas Markut, sipas
Lukës dhe sipas Gjonit. Ungjijtë tregojnë jetën, vdekjen e ngjalljen e Jezu Krishtit.
Mendohet se autori i Ungjillit sipas Lukës shkroi edhe Veprat e Apostujve, histori
e bashkësive të para të krishtera, kryesuar nga Pjetri, Jaku e, sidomos Pali. Veprat
e Apostujve na e paraqesin jetën e Jezusit në një këndvështrim tjetër: flasin për
vazhdimin e pranisë së tij në Kishë pas ngjitjes në Qiell, për Korpin e tij mistik. Para
se të merrnin trajtën, që kanë sot, ungjijtë u predikuan me vjet e vjet. Pastaj mendohet
të jenë shkruar vetëm fragmentet, që përdoreshin në liturgji, në katekizëm e në predikim.
Më pas ungjilltarët, duke i krahasuar këto shkrime e duke i plotësuar përmes traditës
gojore, i kodifikuan në formën, që kanë sot. Ungjilli më i vjetër, ai sipas Markut,
mund të jetë shkruar aty nga viti 70, vit i rrënimit të Tempullit të Jeruzalemit nga
legjionet romake të Titit. Dy të tjerët, ndonjë vit më pas. Ndërsa ai i Gjonit mund
të jetë shkruar nga fundi i shekullit I. Tre Ungjijtë e parë kanë shumë tipare të
përbashkëta; tregojnë episode të njëjta e shpesh përdorin edhe të njëjtat fjalë. Prandaj
mund të krahasohen më lehtë, në se shkruhen në tri kolona paralele, siç edhe janë
shkruar. Pikërisht prej këndej vjen emri ‘Ungjij sinoptikë’ (sin-ottici- të parë së
bashku). Ungjilli i katërt, ai sipas Gjonit, i përket një tradite të pavarur. Ungjijtë,
libra historikë, por jo me kuptimin e mirëfilltë të historisë njerëzore, nuk janë
kronikë e thatë e jetës së Jezusit. Përshkruajnë historinë e ardhjes së Hyjit ndër
ne, rolin e Krishtit në Kishë e në jetë, por edhe, e sidomos, vlerën e fjalës së Hyjit
për t’u dhënë përgjigje problemeve themelore, që shqetësojnë mendjen e njeriut në
shekuj: pse vijmë në botë, pse jetojmë, pse vuajmë, pse vdesim e pse duhet të shpresojmë
në një jetë më të mirë, që i kapërcen kufijtë e vetë vdekjes. Vijnë pastaj, Letrat
e Shën Palit: shkrime drejtuar bashkësive të ndryshme, që prekin si tema të veçanta
nga jeta e këtyre bashkësive, ashtu edhe tema të përgjithshme. Shkrimet e Palit të
Tarsit janë dokumentet më të vjetra të krishterimit, duke nisur nga Letra e parë drejtuar
Selanikasve, për të vijuar me letrat drejtuar Efesianëve, Kolosianëve, Letrën II drejtuar
Selanikasve; Letrën Galatasve, pastaj Filipianëve, Letrën I Korintianëve, Romakëve
e Filemonit. Një pjesë e mirë e studiuesve mendojnë se letrat drejtuar Efesianëve,
Kolosianëve, Letra II Selanikasve dhe të ashtuquajturat ‘letra baritore’, dmth Letra
I dhe II drejtuar Timoteut dhe Letra Titit, që mendohet të jenë të Shën Palit, u shkruan
pas vdekjes së tij. Letra hebrenjve ka shumë mundësi të jetë ndonjë homeli e lashtë,
drejtuar të krishterëve me origjinë hebraike, që kishin tundimin të riktheheshin në
fenë e të parëve. Autori, i paemër, njihte shumë mirë normat priftërore hebraike,
Shkrimin Shenjt të Izraelit dhe mënyrën e shpjegimit të tij. Të tjerat janë letra
katolike, sepse nuk i drejtohen bashkësisë së krishterë të ndonjë qyteti të veçantë,
por të gjitha Kishave, ose thjesht, sepse nuk saktësojnë kujt i drejtohen. Janë
dy letrat e Pjetrit, Letra e Jakut, Letra e Judës si dhe dy Letrat e Gjonit. Besëlidhja
e Re, e me të edhe mbarë Bibla, mbyllet me Apokalipsin, apo Librin e Zbulesës, me
tema marrë nga apokaliptika judaike, interpretuar e ndriçuar nga drita e besimit në
Jezu Krishtin. Rrethanat e vështira, sidomos të persekutimit të të drejtëve, i nxitën
njerëzit të mendojnë për shpërblimin e ardhshëm të atyre, që vuajnë padrejtësisht,
duke e parë kohën e tashme si përgatitje të ngadhënjimit përfundimtar të Hyjit, domethënë,
të së mirës. Libri profetik i Zbulesës përfundon me porosinë: “Mos i mbaj të fshehta
fjalët e profecisë .. sepse koha u afrua... i padrejti, ani, le të vijojë të bëjë
paudhësi! I ndyri, në dashtë, të zhytet edhe më thellë në baltë. Po i drejti le të
vijojë të bëjë punë të drejta, shenjti, të shentjërohet. Ja, unë po vij së shpejti
për të shpërblyer gjithkënd sipas veprave të tija. Unë Jam Alfa e Omega! I pari e
i Fundit! Fillimi e Mbarimi!Po vij për së shpejti – kumton Jezusi në fund të Librit
të Shën Gjonit, e kumti i tij merr përgjigjen e besimarit: “Eja, o Zot Jezus!”.