2012-03-13 15:54:29

I paraqitet Papës Vjetari Papnor: Kisha rritet në Afrikë e në Azi


Numri i të krishterëve rritet në Afrikë e në Azi: kjo është e dhëna që bie më shumë në sy në Vjetarin Papnor 2012 dhe në Vjetarin Statistikor të Kishës, që iu paraqitën këto ditë Papës në Vatikan. Dy vëllimet u hartuan nën kujdesin e imzot Viktor Formeti-t, i ngarkuar i Zyrës Qëndrore të Statistikës së Kishës, profesor Enriko Nena-s dhe bashkëpunëtorëve të tyre. Të pranishëm, sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Tarçizio Bertone dhe imzot Anxhelo Beçiù, zëvendës-sekretar për çështjet e përgjithshme. Papa i falënderoi për punën e kujdesshme dhe tregoi interes të veçantë për të rejat, që kanë të bëjnë me jetën e Kishës katolike në botë. Vëllimi do të jetë së shpejti në librari.

Duke e shfletuar, mësojmë se numri i katolikëve në botë është rreth 1 miliard e 196 milionë, domethënë është rritur me ’1,3% (të dhënat statistikore i përkasin periudhës 2009- 2010), me një prani botërore, që mbetet e njëjtë, rreth 17,5%. E dhëna e parë e rëndësishme statistikore flet për pakësimin e besimtarëve në Amerikën Jugore (nga 28,54 në 28,34%) e posaçërisht në Evropë (nga 24,05, në 23,83%); ndërsa numri i besimtarëve shtohet në Afrikë (nga 15,15, në 15,55%) e në Azinë Juglindore (nga 10,41, në 10,87% ).
Rritet numri i ipeshkvijve (nga 5.065, në 5.104), posaçërisht në Afrikë (+16 ipeshkvij të rinj), në Amerikë (+15) e në Azi (+12), ndërsa në Evropë kemi një rënie të pandjeshme (nga 1.607, në 1.606) e po ashtu edhe në Oqeani (nga 132, në 129).
Vijon edhe prirja për rritjen e numrit të meshtarëve, nisur që në vitin 2000: flitet për më se 412 mijë meshtarë (277.009 dioqezanë, 135.227 rregulltarë), me një shtesë prej 1.643 meshtarësh të rinj. Rritja më e ndjeshme vërehet në Azi (+1.695 meshtarë), në Afrikë (+761), në Oqeani (+52) e në Amerikë (+40), ndërsa në Evropë regjistrohet rënie (-905 meshtarë).
Në rritje (+3,7%), numri i diakonëve të përhershëm, si dioqezanë, ashtu edhe rregulltarë, që kalon nga 38.155, në 39.564. Diakonët e përhershëm janë të pranishëm posaçërisht në Amerikën e Veriut dhe në Veri të Evropës.
Rritet edhe numri i rregulltarëve jo meshtarë: në vitin 2009 ishin 54.229, në 2010 kanë arritur në 54.665. Në sa numri i tyre është në rënie në Amerikën e Jugut (3,5%) e në Amerikën e Veriut (0,9%), në Evropë mbetet ai që ishte; numri i rregulltarëve me kushte të përjetshme rritet në Azi (+4,1%), e edhe në Afrikë (+3,1%).
Pakësohet ndjeshëm numri i rregulltareve, duke kaluar nga 729.371, në 721.935. Rënia ndjehet më shumë në tre kontinente (Evropë, Amerikë e Oqeani), me ndryshime negative të dukshme (-2,9% në Europë, -2,6% në Oqeani e -1,6% në Amerikë). Ndërsa në Afrikë e në Azi, rritja është vërtetë entuziaste, rreth 2% për të dy kontinentet.
Në rritje të vazhdueshme gjatë pesëvjeçarit të fundit (+4%) numri i studentëve të filozofisë e të teologjisë në seminaret dioqezane e edhe në ato rregulltare: nga 114.439 që ishin më 2005, arrijnë në 118.990 më 2010. Të pakësuar në Evropë (-10,4%) e në Amerikë (-1,1%), seminaristët e seminareve të mëdha shtohen në Afrikë (+14,2%), në Azi (+13,0%) e në Oqeani (+12,3%).
Në vitin 2011 u themeluan nga Papa 8 Seli të reja Ipeshkvnore, 1 Ordinariat Personal e 1 Ordinariat ushtarak; 1 Kryedioqezë e 8 Dioqeza u lartuan në rang Selie Metropolitane; u ngritën 1 Prelaturë, 1 Vikariat Apostolik e 1 Prefekturë Apostolike në rang dioqeze; 1 Mision ‹‹sui iuris››, në Prefekturë Apostolike.
Puna për shtypjen e të dy vëllimeve u realizua nën kujdesin e don Sergio Pelini-t, S.D.B(Salezian i Don Boskos), Antonio Maggioto-s S.D.B. dhe të Gjuzepe Kaneso-s, S.D.B., përkatësisht drejtori i përgjithshëm, drejtori komercial e drejtori teknik i Tipografisë së Vatikanit.










All the contents on this site are copyrighted ©.