2012-03-13 15:54:40

Atë Lombardi: vazhdon impenjimi i Selisë së Shenjtë për transparencën financiare


Raporti vjetor amerikan mbi “Strategjinë e Kontrollit Ndërkombëtar të Drogës” citon këtë vit edhe Selinë e Shenjtë në listën e vendeve, që shkaktojnë “shqetësime” (concern) përsa i përket pastrimit të parave, ose krimeve të tjera financiare. Kjo solli debate e komente, shpesh, mbi bazën e informacioneve jo të sakta. Prandaj, ftuam në studio zëdhënësin e Vatikanit, atë Federiko Lombardi. E pyetëm ç’ka të vërtetë në diskutimet e shtypit, apo të televizionit:RealAudioMP3

Para së gjithash, duhet të shohim se cilat janë kriteret për të vendosur vendet në listat e ndryshme të Raportit. Janë mjaft të ndërlikuara, si vëllimi i fluksit të parave - objekt i pastrimit, normativat e zbatuara në fushën e luftës kundër pastrimit të parave dhe faktorë të tjerë. Për shembull, ndër vendet e “primary concern”, pra që shkaktojnë një shqetësim më të madh se Selia e Shenjtë, janë Italia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe vetë SHBA-të, natyrisht, duke pasur parasysh përmasat e ekonomisë e për rrjedhojë, edhe problemet me pastrimin e parave në këto shtete.

Ka bërë përshtypje fakti se Selia e Shenjtë përmendet për herë të parë në një raport të tillë. Kjo do të thotë: probleme të reja?

Selia e Shenjtë bën pjesë për herë të parë, ndër vendet e Raportit. Kjo ngriti shumë pyetje, por në të vërtetë, nuk duhet të çuditemi. Vetë Raporti vë në dukje se gjatë vitit 2011, Selia e Shenjtë është bërë vëzhguese aktive e “Moneyval”, pra, ka filluar ndërthurjen aktive me sistemin ndërkombëtar për kontrollin e veprimtarive financiare, që kanë të bëjnë me luftën kundër terrorizmit e drogës. Është e natyrshme që Vatikani të përmendet tani në Raport, në ndryshim nga e kaluara.

Por, a nuk është e çuditshme e shqetësuese që Selia e Shenjtë të bëjë pjesë në listën e vendeve të dyshimta?

Jo. Është e natyrshme që Selia e Shenjtë të përmendet në Raport, në kategorinë “concern” (shqetësuese). Kjo është kategoria, ku bëjnë pjesë të gjitha vendet, objekt i vlerësimit të mëtejshëm përsa i përket efikasitetit të normave kundër krimeve financiare. Kjo përkon me gjendjen aktuale të Vatikanit, i cili i ka bërë kërkesë “Moneyval”-it të fillojë procesin e vlerësimit, që, siç dihet, po vijon tashmë e do të ketë nevojë për disa etapa e për kohë. Selia e Shenjtë ka miratuar e po miraton ligje, rregullore e direktiva në këtë fushë. Mund të vërehet për shembull – siç shihet në një nga tabelat – se Raporti në fjalë ka të bëjë me vitin e kaluar, prandaj nuk merr parasysh ratifikimet e fundit të disa konventave ndërkombëtare, që Selia e Shenjtë i nënshkroi në janar.

Pra, nuk ka asnjë arsye të mendohet për ndonjë “shkandull” financar të Vatikanit?

Jo, përkundrazi, do të thosha se lajmi i përmendjes së Selisë së Shenjtë në Raportin amerikan, për atë që i di punët, është madje “lajm i mirë”, pasi pasqyron saktësisht realitetin e impenjimit aktiv aktual të Vatikanit për transparencën e plotë të veprimtarive ekonomike e financiare.







All the contents on this site are copyrighted ©.