Sulme kundër të krishterëve në Nigeri. Kryeipeshkvi i Zhos: liderët fetarë duhet ta
përballojnë dhunën, duke u nisur nga rrënjët e saj.
Tre të krishterë të tjerë u vranë sot paradite gjatë një sulmi, kryer në një fshat
pranë Xhos, ku dje një autobombë shkaktoi vdekjen e më se dhjetë vetëve. Atentati
i djeshëm kundër një kishe katolike, u pasua nga raprezalja mbi bashkësinë myslimane,
akuzuar si shkaktare e sulmit. Por atentatet janë ende pa autor, ndonëse gjithçka
të kujton aksionet e grupit islamik Boko Haram, i cili këto ditë ka deklaruar se
do t’i shkulë me gjithë rrënjë të krishterët nga Nigeria veriore. Për këtë situatë
tragjike në kuptimin e mirëfilltë të fjalës, intervistuam, me telefon, nga Xhos, ipeshkvin
e vendit, imzot Ignatius Kaigama:
Përgjigje:
- Situatë e rëndë: Xhos është plot me të vdekur e të plagosur. Pa kaluar
mirë as dy javë, i njëjti grup sulmoi një Kishë tjetër. Menduam se e keqja më e madhe
kishte kaluar, ndërsa u përsërit, duke na zhytur përsëri në lot, në zi, në frikë.
Jemi përballë një fanatizmi, që duhet ta përballojmë të gjithë ne, liderët e krishterë
e myslimanë. Unë jam më se i bindur se shumë myslimanë nuk kanë të bëjnë fare me këtë
grup fanatikësht gjakatarë. E vijoj të ngul këmbë se duhet të flasim, të dialogojmë,
të gjejmë shkaqet e kësaj dhune e ta shkulim nga rrënjët, duke predikuar dashurinë
e pajtimin.
Pyetje: - Ndërkaq duhet kërkuar që qeveria të garantojë
sigurinë... Përgjigje: - Mbrëmë, qeveria e shtetit Plato, kreu
i policisë dhe personalitete të tjera të qeverisë, erdhën tek unë. U ndaluam gjatë
tek rrugët që duhen ndjekur për ta përballuar këtë situatë. Është detyra e tyre ta
gjejnë një rrugëdalje, sepse janë ata që i kanë mjetet e nevojshme për t’i bërë ballë
situatës. Ne s’kemi pushkë, as topa. Luftojmë me fjalë, me lutje, me rruzare. Ata,
me agjencitë e sigurimit, me të gjitha burimet e mundshme për të përballuar sulmet,
që po përsëriten tepër shpesh mbi bashkësinë tonë. Jam më se i bindur se qeveria dhe
agjencitë e sigurimit, në se bashkëpunojnë seriozisht, mund ta gjejë shumë shpejt
rrugëdaljen nga kjo situatë.