2012-03-11 16:54:21

Shenjtërit e javës sipas Kalendarit kishtar


E diel, më 11 mars, Kisha katolike kremton të dielën e 3-të të Krezhmëve, e po në këtë ditë kalendari kishtar kujton edhe shën Maksimilianin, martir e shën Inoçencin, papë. Liturgjia e ditës na kujtojnë se udha që çon drejt shëlbimit kërkon edhe nga ne, si nga Naamani, të shndërrohemi, të harrojmë mburrjen e vetëdashjen e ta lëshojmë plotësisht e përvujtërisht vetveten në dorë të Zotit.
Të hënën më 12 mars, kalendari liturgjik e përkujton shën Sabinin, martir; shën Patricien; shën Kristinen martire e shën Leandrin, ipeshkëv të Seviljes. Liturgjia e ditës na kujton se kur i lutemi Zotit të na falë, ai i Lumi na tregon një rrugë paradoksale: do të falemi, vetëm në se edhe ne falim atë që kemi pranë.
Të martën më 13 mars, kalendari kishtar përkujton shën Matilden, mbretëreshë dhe të Lumin Plaçido Rikardi, murg. Liturgjia e ditës na kujtojnë se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.
Të mërkurën më 14 mars, kalendari Kishtar përkujton shën Matilden, mbretëreshë, të Lumin Plaçido Rikardi, murg në bazilikën e Shën Palit jashtë mureve të Romës. Shembulli i tyre na kujton se të jesh i krishterë nuk do të thotë vetëm t’u bindesh urdhërimeve të Tënzot. Kryesisht duhet të dëgjosh Krishtin, që është Rruga, e Vërteta e Jeta dhe ta zbatosh Fjalën e tij.
Të enjten më 15 mars, kalendari përkujton shën Zakarinë papë; shën Luizën de Marijak, bashkëthemeluese e Bijave të dashurisë e të shën Klementin Hofbauer, meshtar redentorist. Liturgjia na kujton rëndësinë e dëgjimit të fjalës së Zotit e të ballafaqimit me të, sa herë që, si farizejtë, tundohemi të gjykojmë njerëz e ngjarje.
Të premten më 16 mars, kalendari përkujton shën Hilari e shën Taciani, martirë të Akuilesë. Liturgjia nënvizon se Zoti ka fjalët e jetës së amshuar, se është dashuri e se na fton të duam e të duhemi. Në festën e tij Kisha na kujton se Jezusi erdhi në botë për të sjellë paqen e njeriut, duke pajtuar mbarë njerëzimin me Hyjin. Përçarjet lindin nga mospajtimi me vetë misionin e Jezusit.
Të shtunën më 17 mars, kalendari kujton shën Patrikun, ipeshkëv, apostull i Irlandës dhe shën Gjonin Sarkandër. Ata na kujtojnë ftesën e përsëritur të Zotit për t’u penduar, ndonëse Ai i Lumi e di mirë se do të mëkatojmë përsëri. Atij i intereson që ne t’i flakim maskat e hipokrizisë e të pranojmë haptazi se kemi tepër nevojë për t’u shëlbuar.
Të dielën e ardhshme më 18 mars kalendari Kishtar do të kremtojë të dielën e 4-të të Krezhmëve, e gjithnjë më 18 mars kalendari përkujton edhe shën Çirilin, ipeshkëv i Jerusalemit e doktor i Kishës si dhe shën Anselmin, ipeshkëv i Lukës. Këta shenjtorë na kujtojnë se në këtë shtegtim krezhmor duhet të ndalohemi dhe një herë e të meditojmë mbi Jezusin e mbi veprat që kreu, për t’i besuar kështu me gjithë zemër e për t’i lartuar lutjen: “Dëgjoje, o Zot, britmën e njeriut të varfër, që të lutet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.