2012-03-11 16:54:04

Atë Çiprian Nika, françeskan në përvjetorin e pushkatimit nga regjimi komunist


Françeskani atë Çirpian Nika u pushkatua nga komunistët 11 mars 1948 jashtë mureve të varrezave të Shkodrës. Të gjithë ata që e kanë njohur dëshmojnë se ishte një shenjt i vërtetë. Feja e tij e thellë në Krishtin, kultura e tij e madhe, dhe dashuria e tij për atdheun ngjallën urrejtjen e kundërshtarëve.
Lindi në Shkodër, më 19 korrik 1900, nga Mihill dhe Ana Ali Mirashi. Në pagëzim mori emrin Dedë. Mbeti jetim kur ishte pesë vjeç. Ndoqi shkollën fillore dhe të mesmen te fretërit në Shkodër, kurse studimet teologjike në Austri.
Hyri ndër etër françeskan më 16. 10. 1916. Kushtet e përjetshme rregulltare i dha më 16. 09. 1921. U shugurua meshtar në Romë më 25. 07. 1924. Ishte mësues e formues i novicëve dhe i klerikëve, gvardian dhe definitor, si edhe provincial i françeskanëve (më 1938-1941), e prapë gvardian i kuvendit të Shkodrës nga viti 1943 e deri në vdekje.
U arrestua me akuzën e rrejshme se kishte marrë pjesë në vendosjen e armëve në elterin e kishës; gënjeshtër e shpikur për të shkatërruar kuvendin.
Fjalët e tij të fundit të shkruara në verbalin gjyqësor kanë qenë: “Rroftë Krishti Mbret! I falim armiqtë tanë. Shqipëria nuk vdes me ne!”
U pushkatua me 11 mars 1948, jashtë mureve të varrezave.
Atë Çiprian Nika ishte rregulltar i vërtetë, zbatues i palëkundshëm i Rregullës. I fortë, i devotshëm e i zellshëm, një martir i vërtetë i fesë dhe i atdheut.







All the contents on this site are copyrighted ©.