2012-03-09 20:15:48

Liturgjia e Fjalës së Zotit e dielës së 3-të të Kreshmëve 'B'


Ja përsëri në takimin tonë javor të shtunës me Fjalën e Zotit të Liturgjisë Hyjnore të së dielës, kësaj herët do të dëgjojmë e meditojmë së bashku leximet biblike të dielës së 3-të të kohës së Kreshmëve, të ciklit të dytë sipas kalendarit kishtar, duke vijuar kështu me përgatitjen tonë shpirtërore për kremtimin e Pashkëve.
Tema kryesore që na propozojnë leximet biblike të kësaj së diele, është ‘kulti shpirtëror i popullit të Zotit’. Liturgjia e Fjalës e kësaj së diele na ofrojnë tri pika meditimi: 1) korpi i Krishtit si tempulli i ri për takimin ndërmjet Zotit e njerëzve; 2) 10 urdhërimet e Zotit, perspektivë e çlirimit për njeriut nga vetvetja e nga skllavëria e dëshirave; 3) kryqi i Krishtit, forcë dhe urti e Zotit.
Këtë pra, të nderuar dëgjues e vëllezër e motra në Krishtin na ofron liturgjia e Fjalës Hyjnore e kësaj së diele si reflektim për çdo të krishterë që mendon seriozisht të përgatitet për Pashkë, jo si takim i përvitshëm rituali, po si takim vendimtar me të Ngjallurin që shkakton kthesë e ndryshim të vërtetë të jetës sonë. Pikërisht për këtë arsye edhe duhet t’i përshkojmë shtigjet e Zotit e t’i përmbahemi udhëzimeve të Tija Hyjnore.
Prandaj, në këtë periudhë të përgatitjes sonë shpirtërore për kremtimin e mundimeve, të vdekjes mbi kryq e të ngjalljes së Jezu Krishtit, lypet ta pastrojmë zemrën tonë, t’i flakim kompromiset e krishterimit tonë të lehtë, të pa shije, të paqëndrueshëm e të druajtur, për të rindërtuar në “tre ditë” një tempull(jetë) në cilin të adhurohet Zoti, duke i bërë apel forcës së Shpirtit që kemi marrë në pagëzim. Themeli i këtij tempulli(jete) qëndron në vetëdijen se Kryqi ynë përbën dëshminë bindëse për t’i ofruar njerëzimit: një fe koherente e serioze, të urtë e të fuqishme, të jetuar e të mishëruar në jetën e përditshme, ashtu siç Zoti e do, të fort në shpresë e përdëllim.
Zoti, është thënë në të dielat e kaluara, gjithmonë i ka kërkuar njeriut një provë, një dëshmi të besnikërisë së vet, duke i dhënë mundësinë e lirinë e përcaktimit dhe të zgjedhjes së lirë. Kështu ndodhi me Noehin e Abrahamin. Në këtë të diele, Zoti shkon më tej, njeriut ia beson dekalogun (dhjetë urdhërimet), sikur do të dëgjojmë nga leximi i parë (nga Libri i Daljes 20,1-17). Përmbajtja e dekalogut është morale e fetare. Është fjala e Zotit drejtuar njeriut në mënyrë që ky të jetojë e të hyjë në bashkim e në besëlidhje me të.
Rregulloret që përmbahen në dekalog, megjithëse janë parime të ligjit natyror, për faktin se janë të inseruara në Besëlidhjen me Zotin, marrin kuptim e bindje në fe. Kjo bindje ndaj Hyjit, pikërisht në kryqin e Krishtit, shkandull e marrëzi ( leximi i dytë nga Letra e parë e Shën Palit apostull drejtuar Korintasve 1,22-25) e gjen përgjigjen më të lartë e përfundimtare.
Përkundra dekalogut, kulti ndaj Zotit ( lutja, marrja e sakramenteve e tjera) rrezikon të jetë ritualistik, i jashtëm, i strumentalizuar. Gjestet, fjalët e manifestimet tjera drejtuar Zotit ( sikur pohon Ungjilli i kësaj së diele nga Shën Gjoni 2,13-25) duhet të jenë shenja të një sjelljeje e bindjeje të brendshme, të një “kulti shpirtëror” të vërtetë, shfaqje autentike e marrëdhënies sonë me Zotin. Kulti që i pëlqen Zotit është ai i zemrës që sinqerisht i drejtohet Atij. Vendi i kultit, na kujton ungjilli i kësaj së diele, prej tashti e tutje do të jetë zemra e besimtarit. Tempulli i ri do të jetë Korpi i Jezu Krishtit, i vdekur ( shkatërruar) e i ngjallur ( rindërtuar).
Kështu, pra, Mesha e Shenjtë është rast për të takuar të tjerët… po sidomos është takim i Zotit me popullin e vet, me bijtë e vet. Fjala e Zotit e kësaj së diele të 3-të të Kreshmëve, na ndihmon ta pastrojmë jetën tonë fetare, na zgjon e vënë në lëvizje, duke na thirrur në liri, në risi, në të pamundurën, të jemi tempull i Zotit. Hyji na thotë:” të mos të kesh tjetër Zot, përveç Jahves, meje”, mos e deformo Zotin e vërtetë, Atë që të ka liruar nga skllavëria e robërimit të mëkatit dhe vdekjes, por gjejë guxim, forcë për të përshkuar gjurmët e udhës së Kalvarit, e udhës së Kryqit për të shijuar jetën e të Ngjallurit.
Liturgjia e Fjalës

Leximi i parë Dal 20,1-17

Në planin e tij të dashurisë, Hyji zgjedh Moisiun për t’i shpallur ligjin e tij popullit të zgjedhur dhe për të lidhur me të besëlidhjen. Dhjetë urdhërimet kanë vulën e Hyjit, sidomos në fillim kur kujtohet fuqia dhe nisma e Hyjit drejt popullit të tij. Hyji që ka liruar Izraelin kërkon bindje dashurie ndaj ligjit që do të bëhet i përsosur me ardhjen e Krishtit.

Lexim prej Librit të Daljes

Atëherë Zoti i tha popullit nëpërmjet të Moisiut të gjitha këto fjalë: “Unë jam Zoti, Hyji yt, që të nxora nga dheu i Egjiptit, prej shtëpisë së skllavërisë. Mos ki tjetër zot, përveç meje. Mos bëj kurrfarë idhulli as farë përfytyrimi të gjërave që janë lart në qiell, as të gjërave që janë poshtë mbi tokë, as të gjërave që janë në ujë nën tokë. Mos i adhuro ato as mos u jep farë nderimi, sepse unë, Zoti Hyji yt, jam Hyj ziliqar që e ndëshkoj paudhësinë e etërve në fëmijë deri në të tretin e në të katërtin brez të atyre që më urrejnë, por që jam i mëshirshëm me mijëra brezni për ata që më duan e i zbatojnë urdhërimet e mia. Mos e merr nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit tënd, sepse Zoti s’do ta lërë pa ndëshkuar atë që do ta marrë nëpër gojë kot emrin e Zotit, Hyjit të vet.
Të bie në mend ta shenjtërosh ditën e shtunë: gjashtë ditë puno e kryej të gjitha punët e tua; kurse e shtata ditë është e shtuna e Zotit, Hyjit tënd: mos bëj kurrfarë pune ti as biri yt, as bija jote, as shërbëtori yt, as shërbëtorja jote, as kafsha jote, as i huaji që banon te ti. Sepse gjatë gjashtë ditëve Zoti i bëri qiellin e tokën e detin e gjithçka gjendet në to e pushoi ditën e shtatë; prandaj Zoti e bekoi ditën e shtatë dhe e shenjtëroi.
Nderoje babën tënd e nënën tënde që ta kesh jetën e gjatë përmbi tokë që do ta japë Zoti Hyji yt. Mos vraj! Mos bëj kurorëthyerje! Mos vidh! Mos bëj dëshmi të rrejshme kundër të afërmit tënd! Mos e lakmo shtëpinë e të afërmit tënd. Mos e lakmo gruan e tij, shërbëtorin, shërbëtoren, as kaun, as gomarin, asnjë gjë që i përket atij.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Psalmi 19
Ti, o Zot, i ke fjalët e jetës së pasosur

I përsosur është Ligji i Zotit,
shpirtin përtërin;
për t’u besuar është Dëshmia e Zotit,
të miturve u jep dijen.

Urdhërimet e Zotit janë të drejta,
kënaqin zemrën;
urdhri i Zotit është i qartë,
dritë u jep syve.

E panjollë është frika e Zotit,
nuk ndërron në shekuj të shekujve;
gjyqet e Zotit janë të vërteta,
të gjitha një të drejta.
Më të çmueshme se ari,
se më i pastri ar, më të ëmbla se mjalti,
se hoja që rrjedh mjaltë.

Leximi i dytë 1 Kor 1, 22-25
Hebrenjtë donin një Hyj që të zgjidhte problemet e tyre me anë të mrekullive; por mbi kryq Krishti hesht. Grekët donin një Hyj që të dërgonte harmoni në univers; dhe Krishti zgjedh vuajtjen dhe vdekjen. Si për të parët ashtu edhe për të dytët Jezu Krishti është një skandal. Por për atë që beson Krishti është fuqia dhe dija e Hyjit.

Lexim prej Letrës së parë të shën Palit apostull drejtuar Korintasve

Vëllezër, ndërsa hebrenjtë kërkojnë mrekulli e grekët lypin urti, ne predikojmë Krishtin e kryqëzuar – për hebrenj shkandull e për paganë marri, kurse për të grishurit – si për hebrenj si për grekë – Krishtin, fuqinë e Hyjit dhe dijen e Hyjit. Sepse, çka në Hyjin duket marri, është më e dijshme se njerëzit; e çka në Hyjin duket dobësi, është më e fuqishme se njerëzit.
Fjala e Zotit.
Falënderojmë Hyjin.

Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!
Hyji aq fort e deshi botën, sa që e dha një të vetmin Birin e vet, kështu që, secili që beson në të, ta ketë jetën e pasosur.
Lavdi ty, o Krisht, Mbret i lavdisë së amshuar!

Ungjilli Gjn 2, 13-25
Jezusi duke dëbuar tregtarët nga tempulli, shpall fundin e ligjit, të tempullit dhe të flisë. Pas ringjalljes së tij paraqet vetveten, trupin e tij të lavdishëm si tempulli i vërtetë i Hyjit. Ringjallja do ta bëje trupin e tij banesën e Shpirtit Shenjt. Jezusi vetë do të jetë prania e Hyjit për të gjithë gjithmonë dhe kudo.

Leximi i Ungjillit shenjt sipas Gjonit

Ishin afër Pashkët e hebrenjve e Jezusi u ngjit në Jerusalem. Në Tempull gjeti shitës qesh, delesh e pëllumbash dhe thyes të të hollash duke ndenjur aty. Atëherë e punoi një frushkull konopësh dhe i dëboi nga Tempulli të gjithë së bashku me dele e me qe. Thyesve u derdhi të hollat dhe u rrëzoi tavolinat. Shitësve të pëllumbave u tha: “Hiqni këta prej këndej e mos e bëni shtëpinë e Atit tim shtëpi tregtie!” Nxënësit e tij u kujtuan se është në Shkrim shenjt: “Zelli për Shtëpinë tënde më bren!”
Atëherë ndërhynë judenjtë dhe e pyetën: “Ç’shenjë na jep se guxon të veprosh kështu?” Jezusi u përgjigji: “Rrënojeni këtë Tempull e unë do ta rindërtoj për tri ditë!” “Dyzet e gjashtë vjet zgjati ndërtimi i këtij Tempulli – i përgjigjën judenjtë – e ti do ta ndërtosh për tri ditë?” Porse Jezusi foli për tempullin e trupit të vet. Kur u ringjall prej së vdekuri, atëherë u ra ndër mend nxënësve se këtë kishte dashur të thotë dhe i besuan Shkrimit shenjt dhe fjalës që tha Jezusi.
Gjatë qëndrimit të Jezusit në Jerusalem në kohë të festës së Pashkëve, shumë besuan në emrin e tij, kur panë shenjat që bëri. Porse vetë Jezusi nuk kishte shumë besim në ta, sepse i njihte mirë të gjithë. Nuk kishte nevojë t’i dëshmonte kush për njeriun: sepse ai e dinte mirë çka njeriu ndryn përbrenda.
Fjala e Zotit.
Lavdi të qoftë ty, o Krisht.

Më tepër mbi liturgjinë e Fjalës së Zotit të dielës së 3-të të krezhmëve, mund të dëgjoni këtu.......RealAudioMP3







All the contents on this site are copyrighted ©.