2012-03-09 18:53:47

Ipeshkvijtë e Juglindjes evropiane në Strasburg: imzot Xhordano: Feja e fuqizon Kontinentin.


Një takim formimi e informimi, për të kuptuar mekanizmin e ndërlikuar të institucioneve evropiane si dhe për ta bërë më energjike praninë e Kishës brenda tyre. Ky ishte qëllimi kryesor i mbledhjes së ipeshkvijve të Evropës Juglindore në Strasburg, që të hënën e kaluar. Ishin të ftuar nga imzot Aldo Xhordano, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës. Gjatë takimit, u ripohua, ndërmjet tjerash, edhe roli i fesë si faktor bashkimi kontinental. Në mikrofonin tonë, imzot Xhordano bën bilançin e punimeve:RealAudioMP3

Përgjigje: - Një temë e parë ishte ajo e çështjes së rolit, që luan feja. Nga njëra anë u vu në dukje se feja ka një rol themelor për bashkimin shoqëror e për dialogun ndërkulturor. Prej këndej buron edhe kërkesa për mbrojtjen e lirisë fetare, për njohjen juridike të bashkësive të Kishave që, ende sot, në disa vende të Evropës Juglindore, mbetet problem për t’u zgjidhur, e edhe për frenimin e diskriminimit për shkaqe fetare. Një temë tjetër, ishte ajo e dialogut ndërmjet banorëve në ato vende, që janë ende në fazën e tranzicionit drejt një demokracie të pjekur. Ne e dimë se në vende të tilla ka akoma kufizime të ndjeshme, e edhe konflikte. Për shembull, sitituata në Qipro përbën një konflikt të mprehtë për mbarë Evropën; por nuk duhet harruar edhe situata në Kosovë, në Transnistria të Moldavisë, e jo më pak, vijimi i konfliktit ndërmjet Gjeorgjisë e Rusisë.

Pyetje: - Para se të fillonte takimi, ju patët shprehur dëshirën që Kisha në Evropë të jetë atje, ku merren vendimet e rëndësishme për ardhmërinë. Ç’mund të na thoni lidhur me këtë dëshirë, parë në dritën e takimit?

Përgjigje: - Ishte sigurisht, një takim i rëndësishëm, domethënës, sepse, në radhë të parë, ishte informativ. Ka shumë rëndësi që ipeshkvijtë ta njohin sa më mirë mënyrën si funksionojnë institucionet evropiane e edhe të hyjnë në kompleksitetin e mekanizmit evropian. Prej këndej, mund të themi se nuk ishte vetëm takim informimi, por edhe formimi. Pastaj, gjatë takimit, u fol edhe për platformën reale të lidhjes ndërmjet kryetarëve të Konferencave ipeshkvnore dhe personaliteteve të rëndësishme të institucioneve. Ipeshkvijtë treguan një interes të veçantë, fituan përvojë të pasur, por edhe siguri, sepse, duke i njohur më mirë institucionet, e sidomos, duke i njohur më mirë njerëzit, fituan vetëdijen e mundësive që kanë për të ndërhyrë. Për shembull, në vendimet e Gjykatës për të drejtat e njeriut të Strasburgut, lidhur me lirinë e fesë. Ipeshkvijtë tani mund të përgatisin edhe laikët, mund të kenë pranë njerëz kompetentë, që i ndjekin këto kapituj, që janë në gjendje t’i zgjidhin problemet e mprehta, siç mund të jetë, për shembull, paraqitja e këtyre çështjeve para Gjykatës së Strasburgut. Ky më duket një mjet i përshtatshëm, për të qenë protagonistë.

Pyetje: - Në Meshën kushtuar Evropës, që u kremtua të mërkurën e kaluar, Ju, ndërmjet tjerash, gjatë homelisë, theksuat: “Në se bazohemi vetëm mbi lidhjet e rregulluara nga të drejtat e detyrat, nuk mund të shkojmë larg; larg mund të shkohet vetëm në se bazohemi mbi marrëdhëniet e frymëzuara nga dashuria e krishterë!”. Atëherë duhet thënë edhe se nuk mund të ketë Evropë, pa këtë dashuri të krishterë!

Përgjigje: - Natyrisht. Besoj se Mesha – në sajë edhe të pjesëmarrjes së madhe nga ana e personaliteteve të institucioneve - ishte një rast i përshtatshëm për të theksuar se Zoti duhet të jetë i pranishëm në hapësirën publike e se feja ka një kontribut të pallogaritshëm për t’i dhënë shoqërisë. E edhe për të ripohuar vetëdijen se një shoqëri, që dëshiron të jetë e aftë të jetojë në paqe, e aftë për solidaritet, duhet t’ia kërkojë këtë Zotit si dhuratë: të krijojë një vend për lutje, sepse kjo dhuratë mund të vijë vetëm nga Lart; vetëm një Tjetër, mund të na shpëtojë.

Të mërkurën e kaluar, pra, imzot Xhordano mbajti homelinë në Meshën për Evropën, kryesuar, në katedralen e Strasburgut, nga kryeipeshkvi i qytetit, imzot Zhan-Pierre Grallet. Të pranishëm, shumë diplomatë, funksionarë të Këshillit të Evropës, gjykatës të Këshillit të Evropës për të drejtat e njeriut, anëtarë të bashkësive dhe organizmave kishtare, posaçërisht të impenjuar në udhën e bashkimit të plotë evropian.
Lufta e amshuar ndërmjet së mirës e së keqes, liria individuale e marrëdhëniet e njeriut me Zotin, pushteti e shërbimi, ishin temat e forta, që preku imzot Xhordano. Në se kujtojmë bashkësitë e para të krishtera, nënvizoi prelati, shikojmë se ato u përhapën me shpejtësi të madhe, falë kryesisht gjakut të martirëve. Edhe sot shumë persekutohen e vriten për shkak të fesë së tyre. Mjafton të kujtojmë persekutimet e regjimeve komuniste, në një të kaluar të afërt e, në të sotmen, të krishterët e vrarë në Irak, në Nigeri, në Pakistan. Si dje, ashtu edhe sot, nuk është aspak e lehtë t’i flasësh botës me fjalën e Zotit, sepse e keqja është e fuqishme e nuk mund ta durojë fare të mirën. Errësira nuk mund të rrijë pranë dritës. Ku ka dritë, errësira është e destinuar të zhduket. Prej këndej, sa më e dendur të jetë errësira, aq më shumë duhet ta kërkojmë dritën. Si në jetën personale, ashtu edhe në atë të botës. Duke komentuar faqen e Ungjillit, lexuar pak më parë, që flet për shtegtimin e një grupi burrash e grash kah Jeruzalemi si dhe për rrëfimin e Jezusit mbi vdekjen dhe ngjalljen e tij të afërme, imzot Xhordano kujtoi se bashkudhëtarët nuk treguan interes të veçantë për këtë kumt, sepse, tepër të zënë me punë të tjera, tepër të etur për pasuri e pushtet. Jezusi i shqetëson, nuk i mbështet dëshirat e tyre, u shpjegon se ata që bëjnë historinë e vërtetë, nuk janë prepotentët, por njerëzit që kanë guximin të zgjedhin rrugën e shërbimit. Është një vizon revolucionar i pushtetit, ky që jetoi vetë Jezusi: Ai vendosi lirisht të shërbejë, jo të sundojë, t’i shërbejë Atit, sepse ai është Biri; e të na shërbejë edhe ne, njerëzve, për të na dhënë mundësinë të jetojmë si bij. Por njeriu nuk tregohet gjithnjë i gatshëm për ta pranuar rolin e birit, të shërbëtorit. Gjarpëri i zanafillës i nguci Adamin e Evën, e e nxit edhe sot Evropën të ecë në rrugën e pavarësisë, në rrugën e ndarjes nga Ati, për të shpëtuar e për t’u realizuar pa ndihmën e Tij, duke u mbështetur vetëm në forcat e veta. Po vetmia është e trishtuar, vijoi imzot Xhordano, e vetëm liria e njeriut, nuk është në gjendje të na shpëtojë. Prej këndej, t’ia besosh veten një Tjetri, që duket se është në gjendje të realizojë dëshirën tonë për amshim, për bukuri, për vërtetësi, për dashuri, për jetë, është një akt i madh inteligjent i lirisë. E vërteta e krishterë, përfundoi imzot Xhordano, nuk mund të lidhë miqësi me format e dhunshme të pushtetit, nuk mund t’i hapë rrugën fanatizmit. Qyteti i njeriut nuk është ndërtuar vetëm nga lidhjet detyrë-e drejtë, por, akoma më shumë, nga lidhjet pa interes, plot mëshirë e dëshirë për bashkimin e të gjithë njerëzve. Të jetosh së bashku në paqe, për besimtarët është dhuratë, që duhet kërkuar me lutje; e ky është edhe kuptimi i kësaj lutjeje për Evropën. Në “Caritas in Veritate”, Bendikti XVI shkruan: “Zhvillimi ka nevojë për të krishterë me krahë të lartuar kah Zoti, në lutje”.







All the contents on this site are copyrighted ©.