2012-03-09 19:04:25

Dom Zef Gila, meshtar


Dom Zef Gila, meshtar, dëshmitar i fesë, në 12-vjetorin e vdekjes. Dom Zefi lindi në fshatin Razëm më 23 korrik 1916, ndërroi jetë më 9 mars 2000. Që i vogël u dallua për zgjuarësi, prandaj famullitari i fshatit të lindjes i krijoi mundësitë të shkollohej, së pari në argjipeshkvinë e dioqezës së Shkodrës, më pas, si kishte shprehur dëshirën t’ia dhuronte gjithë jetën Zotit e të afërmit, në Seminarin Papnuer të Qytetit të Veriut e në Universitetin Urbanian të Propaganda Fides në Romë, ku kreu filozofinë e teologjinë. Si u shugurua meshtar në Romë, më 24 shtator 1941, u kthye menjëherë në Atdhe. Nisi misionin meshtarak në Shkodër, në Beltojë e në Kukel, ku qëndroi 11 vjet. U arrestua në maj të vitit 1950. Si kaloi një vit të tërë në hetuesi, më 1951 u internua në Tepelenë, Vlorë e Tiranë. I liruar në fund të vitit 1954, vijoi misionin meshtarak deri më 1967 (kur u mbyllën kishat) në fshatrat Beltojë, Trush, Bushat. Pikërisht në Bushat u rikthye, pas 24 vjet pune të rëndë krahu, për të hapur Kishën e për të marrë përsëri në duart e plasaritura nga kazma, kelshenjtin me Korpin e Gjakun e Zotit. Para se vdiste pati fatin të takohej me Papën Gjon Pali II në Shkodër më 25 prill 1993 e në Romë, ku u rikthye për t’u gjunjëzuar në shenjë falënderimi, atje ku pati nisur së pari rrugën e meshtarisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.