2012-03-08 14:00:39

Çelësi i fjalëve të Kishës: roli i gruas sipas të Lumit Gjon Pali II


Sot është 8 mars, festa e grave. Pa hyrë në debatet mbi rëndësinë e kësaj feste e pa diskutuar nëse duhet kremtuar apo jo, përqendrohemi sot në rolin e gruas në Kishë, sipas të Lumit Gjon Pali II.
Në vitin 1995, Papa Gjon Pali II u shkroi një letër jashtëzakonisht të bukur grave, me të cilën paraqiti atë, që e quajti “gjenia femërore”. Në familje e kemi të gjithë të qartë rolin e gruas, por në Kishë nuk është gjithnjë kështu. Ja fjalët, me të cilat i Lumi Vojtila përshkruante rolin e gruas e kontributin e saj në shoqëri e në Kishë:
“Normalisht – shkruante Ati i Shenjtë në vitin 1995 – përparimi vlerësohet me kategori shkencore e teknike e, edhe nga ky këndvështrim, kontributi i gruas nuk mungon. Megjithatë, kjo nuk është përmasa e vetme e përparimit, madje, nuk është as kryesorja. Më e rëndësishme është përmasa shoqëroro-etike, që përfshin marrëdhëniet njerëzore dhe vlerat shpirtërore: këtë përmasë, shpesh zhvilluar pa zhurmë e bujë, duke filluar nga marrëdhëniet e përditshme ndërmjet personave, sidomos brenda familjes, shoqëria ia ka borxh pikërisht “gjenisë së gruas”.
Dua të shpreh këtu mirënjohjen e veçantë – vazhdon Papa – për gratë e impenjuara në sektorë të ndryshëm të veprimtarisë edukative, përveç familjes: në kopshte, shkolla, universitete, institute të asistencës, famulli, shoqata e lëvizje…Si të mos kujtojmë këtu, dëshminë e sa e sa grave katolike e të sa e sa Kongregatave femërore që, në kontinente të ndryshme, e kanë ngritur edukimin, sidomos atë të djemve e vajzave të vogla, në majat më të larta të shërbimit të tyre? Si të mos shohim me mirënjohje të gjitha gratë, që kanë vepruar e veprojnë në fushën e shëndetësisë, jo vetëm nëpër institucione të organizuara mirë, por shpesh në rrethana tepër të vështira, në vendet më të varfëra të botës, duke dhënë një dëshmi, e cila jo rrallë, i ngjan martirizimit?
Kisha sheh në Shën Marinë shprehjen më të lartë të “gjenisë femërore” e frymëzohet vazhdimisht prej saj. Maria e quajti veten “shërbëtore e Zotit”(Lk 1,38) e, duke iu bindur Fjalës së Hyjit, pranoi thirrjen e saj të privilegjuar, por jo edhe të lehtë, si nuse e nënë në familjen e Nazaretit. Duke i shërbyer Zotit, Ajo e vuri veten edhe në shërbim të njerëzve: shërbim dashurie, ky. Pikërisht ky lloj shërbimi i dha mundësinë të realizojë, gjatë jetës së vet, një “mbretërim” të mistershëm, por të vërtetë. Jo më kot, ajo quhet “Mbretëresha e qiellit dhe e tokës”. Me këtë emër e lut e gjithë bashkësia e besimtarëve, “Mbretëreshë” e quajnë shumë kombe e popuj. Mënyra e saj e “mbretërimit” është shërbimi! Shërbimi i saj është “mbretërim”!
Kështu duhet kuptuar autoriteti, si në familje, ashtu edhe në shoqëri e në Kishë… Në këtë horizont “shërbimi” – i cili nëse bëhet lirisht, me reciprocitet e dashuri, shpreh “privilegjin e vërtetë mbretëror” të njeriut – mund të dallojmë, pa pasoja negative për gruan, edhe një lloj ndryshimi në rolet, që rrjedhin nga veçoria e të qënit mashkull, apo femër… Nëse Krishti – me lirinë e sovranitetin e dëshmuar nga Ungjilli e nga tradita kishtare – u ka besuar vetëm burrave detyrën për të qenë “ikona” të fytyrës së tij prej “bariu” dhe “dhëndrri” të Kishës, përmes shërbimit të meshtarisë, kjo nuk e pakëson aspak rolin e grave, si edhe të anëtarëve të tjerë të Kishës, që nuk kryejnë këtë shërbim të shenjtë, pasi të gjithë kanë të njëjtin dinjitet të “meshtarisë së përbashkët”, që i ka rrënjët në Pagëzim… Meshtaria, në planin e Krishtit, nuk është shprehje mbrizotërimi, por shërbimi.
Në kuadrin e këtij shërbimi, historia dymijëvjeçare e Kishës, pavarësisht nga kushtëzimet, e ka njohur vërtet “gjeninë e gruas”, duke parë gra të një niveli të jashtëzakonshëm, që kanë lënë gjurmë të thella e frytdhënëse në kohë. Mendoj – shkruan akoma Gjon Pali II – për aradhen e gjatë të martireve, të shenjtoreve, të mistikeve të shquara. Mendoj veçanërisht për shën Katerinën e Sienës e për shën Terezën e Avilës, të cilave Papa Pali VI u dha titullin “Doktor i Kishës”. E si të mos kujtojmë pastaj, sa e sa gra, që të shtyra nga feja, u kanë dhënë jetë nismave me rëndësi të jashtëzakonshme shoqërore, në shërbim të më të varfërve? E ardhmja e Kishës në mijëvjeçarin e tretë nuk do të mungojë së regjistruari shfaqje të reja e të mrekullueshme të “gjenisë femërore”.
Duhet vënë vërtet në dukje “gjenia e gruas”, duke marrë parasysh jo vetëm gratë e famshme, që kanë jetuar në të kaluarën, ose në kohët tona, por edhe gratë e thjeshta, që e shprehin talentin e tyre femëror në shërbimin e përditshëm për të tjerët. Vërtet, veçanërisht në dhurimin e vetvetes për të tjerët në jetën e përditshme, çdo grua realizon thirrjen e saj të veçantë; ajo, që ndoshta më shumë se burrin sheh njeriun, pasi e sheh me zemër. E sheh, pavarësisht nga sistemet e ndryshme ideologjike e politike. E sheh në madhështinë e në kufizimet e veta dhe përpiqet ta ndihmojë. Në këtë mënyrë, realizohet në historinë e njerëzimit, plani themelor i Krijuesit e del ne dritë pa pushim e në forma të ndryshme, bukuria – jo vetëm fizike, por sidomos shpirtërore – që Zoti i ka dhënë që në fillim krijesës njerëzore e, veçanërisht gruas”.







All the contents on this site are copyrighted ©.