Papa Benedikti XVI kërkon të njihet roli i grave në zhvillimin e shoqërisë
“Të lutemi, që të njihet në mbarë botën kontributi i grave për zhvillimin e shoqërisë.
Ky është ndjeti i lutjes së përgjithshme të Benediktit XVI për muajin mars. Të mos
harrojmë se gjatë 31 ditëve të marsit, njëra, data 8 mars, i kushtohet pikërisht
këtij kontributi të pashoq të gruas, duke e parë veprimtarinë e saj në të gjitha
fushat e jetës, që nga djepi, tek streha e tek sofra e shtruar ditë për ditë për të
mbledhur rreth saj familjen. E Papa nënvizon me forcë kontributin e gjenisë femërore
në jetën e Kishës e të shoqërisë. Për këtë ndjet papnor të lutjes, të dëgjojmë Kiara
Amiranten, themeluese e Lëvizjes “Horizonte të reja”:
Përgjigje:
- Mendoj se është një meritë e madhe e Atit të Shenjtë që, përmes ndjetit
të lutjes, tërheq vëmendjen pikërisht tek dinjiteti i gruas, sepse në kohët tona,
do të thosha se roli i gruas në shoqëri jo vetëm që shikohet me sy nënvleftësues,
por edhe diçka më shumë. Duhet rikthyer vlerësimi i gjenisë femërore, që e pati theksuar
aq me forcë Gjon Pali II, duhet rizbuluar, deri në thellësitë e veta të pamatura.
E kjo, sepse më duket se sot kemi kaluar në garën e gruas për t’ia zënë vendin burrit
e anasjelltas. Po gruaja është grua e burri, burrë. Prandaj duhet rizbuluar sesa burri,
me karakteristikat e veta, mund të jetë dhuratë dashurie për gruan, e anasjelltas.
E unë mendoj se bota sot ka nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër, pikërisht për pakëz
dashuri.
Pyetje: - Ç’kontribut të veçantë mund të japë gruaja e
krishterë në shoqërinë e kohës sonë?
Përgjigje: - Çka e karakterizon
gruan, është pikërisht aftësia e veçantë, vëmendja e veçantë për më të fundmit, prirja
për solidaritet, aftësia për mikpritje. Ndërsa situata e sotme e gruas është me të
vërtetë dramatike, pa folur këtu, për tregun e seksit e pornografinë. Mjafton të sjellësh
në mendje vetëm disa të dhëna statistike, për t’u tmerruar. E kjo, sepse flasim për
320 milionë djem e vajza të shpërdoruara seksualisht. E të dhëna të tilla nuk mund
të shikohen me indiferencë. Na kujtojnë se gruas i duhet dhënë vendi i drejtë, se
duhet të rigjejë dinjitetin e humbur, se nuk duhet shikuar, siç shikohet tepër shpesh,
vetëm si objekt i kënaqësisë e i shfrimit seksual.
Pyetje: - Dashuria
është mister, e ju na e kujtoni këtë në librin tuaj të fundit: gruaja për vetë natyrën
e saj e jeton thellësisht këtë mister dashurie…. Përgjigje: -
Gruaja, në këtë drejtim, na ndihmon sadopak të kujtojmë se dashuria zë kryet e vendit
në jetën e familjes, në jetën e shoqërisë e të Kishës. Kemi një model në kuptimin
e mirëfilltë të kësaj fjale: Marinë, e cila jo vetëm e pranoi misterin e dashurisë
së Hyjit, i cili na deshi aq shumë, e vijon të na dojë pa kufi, por diti edhe ta jetojë
në mënyrë të përkryer këtë dashuri, më e madhja, që provoi ndonjëherë njeriu. E ky
njeri, ishte një Grua!