FALEMINDERIT GRUA! Ju, grave të botës mbarë, ju drejtoj përshëndetjen time më
të përzemërt! 1. Secilës prej jush dhe mbarë grave të botës, ju drejtoj
këtë Letër, në shenjë mbështetjeje dhe mirënjohjeje, ndërsa afrohet Konferenca IV
Botërore për Gruan, e cila do të mbahet në Pekin gjatë shtatorit të ardhshëm. Dëshiroj,
para së gjithash, t’i shpreh vlerësimin tim të thellë Organizatës së Kombeve të Bashkuara,
e cila ka nxitur një nismë me rëndësi kaq të madhe. Edhe Kisha dëshiron të japë kontributin
e vet në mbrojtje të dinjitetit, të rolit dhe të drejtave të grave, jo vetëm nëpërmjet
ndihmesës konkrete të Delegacionit zyrtar të Selisë së Shenjtë në punimet e Pekinit,
por edhe duke i folur drejtpërsëdrejti zemrës dhe mendjes të të gjitha grave. Pak
kohë më parë, me rastin e vizitës që më bëri Sekretarja e Përgjithshme e Konferencës,
zonja Gertrude Mongela, pikërisht në prag të një takimi të tillë të rëndësishëm, desha
t’i dorëzoj një mesazh, në të cilin përmblidhen disa pika kryesore të Doktrinës së
Kishës në këtë drejtim. Eshtë mesazh i cili, duke kapërcyer kufijtë e rrethanës që
e frymëzoi, hap perspektiva më të përgjithshme mbi realitetin dhe problemet e grave
në tërësi, duke u vënë në shërbim të çështjes së tyre në Kishë dhe në botën e ditëve
të sotme. Prandaj vendosa që t’u përcillet të gjitha Konferencave Ipeshkvnore, për
të siguruar përhapjen e tij sa më të plotë. Duke përsëritur atë që shkruaja në atë
dokument, dëshiroj t’i drejtohem tani drejtpërsëdrejti çdo gruaje, për të medituar
së bashku me të mbi problemet dhe perspektivat e gjendjes së gruas në kohën tonë,
duke u ndalur posaçërisht tek tema kryesore: tema e dinjitetit dhe e të drejtave të
grave, të para nën dritën e Fjalës së Zotit. 2. Pikënisja e këtij dialogu
nuk mund të jetë tjetër, veç falënderimit. Kisha - shkruaja në Letrën apostolike “Mulieris
dignitatem” (“Dinjiteti i gruas”), - dëshiron të falënderojë Trininë Shenjte për “misterin
e gruas” e për çdo grua, për gjithçka që përbën vlerën e përjetshme të dinjitetit
të saj femëror, për “veprat e mëdha të Hyjit që janë kryer në të dhe nëpërmjet saj
në historinë e breznive njerëzore (n. 31). Të falënderoj ty, gruaja-nënë, që mba
në kraharor qenien njerëzore me gëzimin dhe mundimin e një përvoje të pashoqe, e cila
të bën udhërrëfyese në hapat e tij të para; mbështetje gjatë rritjes; pikë referimi
në ecjen e mëtejshme në jetë. Të falënderoj ty, gruaja-bashkëshorte, që bashkon
në mënyrë të pandarshme fatin tënd me atë të një burri, në një bashkim dhurimi të
anasjelltë, në shërbim të bashkësisë dhe të jetës. Të falënderoj ty, gruaja-bijë
dhe ty, gruaja-motër, që sjell në bërthamën familjare e më tej, në tërë jetën shoqërore,
pasuritë e ndjeshmërisë tënde, të mendjemprehtësisë tënde, të zemërgjërësisë tënde
dhe të qëndrueshmërisë tënde. Të falënderoj ty, gruaja-punëtore, e impenjuar në
të gjithë ambientet e jetës shoqërore, ekonomike, kulturore, artistike, politike,
për ndihmesën e domosdoshme që jep në krijimin e një kulture të aftë për të bashkuar
arsyen dhe ndjenjën në konceptimin e jetës së hapur përballë “misterit”, në ndërtimin
e strukturave ekonomike dhe politike më të pasura me ndjenja njerëzore. Të falënderoj,
o gruaja e kushtuar Zotit, ty, që duke ndjekur shembullin e më të madhes ndër gra,
Nënës së Krishtit, Fjalës së Mishëruar, ia çelë zemrën dashurisë së Zotit plot bindje
e besnikëri, duke ndihmuar Kishën dhe mbarë njerëzimin t’i japë Hyjit përgjigjen “pohuese”,
e cila shpreh mrekullisht lidhjen që ai do të vendosë me krijesën e tij. Të falënderoj
ty, grua, për vetë faktin se je grua! Me perceptimin, karakteristik për femërsinë
tënde, ti pasuron kuptimin e botës dhe kontribuon për vërtetësinë e plotë të marrëdhënieve
njerëzore. 3. Por falënderimi nuk mjafton, e di. Për fat të keq jemi trashëgimtarë
të kufizimeve shumë të mëdha, të cilat në të gjitha kohët dhe në çdo drejtim e kanë
bërë të vështirë ecjen e gruas, duke ia mohuar dinjitetin, duke ia shtrembëruar aftësitë,
duke e harruar shpesh herë e duke arritur deri atje, sa ta kthejnë në skllave. Kjo
e ka penguar atë të jetë deri në fund vetvetja dhe e ka varfëruar njerëzmin nga pasuri
të vërteta shpirtërore. Sigurisht nuk do të ishte e lehtë të tregohej me gisht se
kush duhet ta mbajë përgjegjësinë, duke pasur parasysh forcën e sedimenteve kulturore,
të cilat gjatë shekujve kanë formuar mendësisë dhe institucionet. Por në se në këtë
drejtim, posaçërisht në kontekstet historike të caktuara, nuk kanë munguar përgjegjësitë
objektive, këto përgjegjësi nuk kanë munguar as ndër shumë bij të Kishës, e për këtë
më vjen keq sinqerisht. Një keqardhje e tillë le të kthehet për mbarë Kishën në zotim
për t’i qëndruar besnike frymëzimit së Ungjillit, i cili pikërisht mbi temën e çlirimit
të grave nga çdo formë padrejtësie e sundimi, përmban një mesazh që nuk e humbet asnjëherë
aktualitetin, mesazh që buron fuqimisht nga vetë sjellja e Krishtit. Ai, duke kapërcyer
normat që rregullonin kulturën e kohës së tij, mbajti ndaj grave një qëndrim të çiltër,
plot respekt, mikpritje, dhemshuri. Nderonte kështu tek gruaja dinjitetin e saj të
përhershëm në projektin e në dashurinë e Perëndisë. Duke e shikuar Atë në këtë mbarim
të mijëvjeçarit të dytë, të lind vetvetiu pyetja: “Sa është përvetësuar e është vënë
në jetë mesazhi i Tij?” Po, ka ardhur koha për ta shikuar me guximin e kujtesës,
duke i pranuar haptazi përgjegjësitë, historinë e gjatë të njerëzimit, në të cilën
gratë dhanë një kontribut jo më të paktë se burrat e, në shumicën e rasteve, në kushte
fort më të vështira. Mendoj posaçërisht për gratë që e kanë dashur kulturën e artin
dhe u janë kushtuar atyre në kushte të pavolitshme, të përjashtuara shpesh nga shkollimi
i barabartë, të nënvleftësura, të mohuara, madje edhe të shpronësuara nga kontributi
i tyre intelektual. Për fat të keq, nga veprimtaria e shumllojshme e grave, e vënë
në dukje me mjetet e historiografisë shkencore, ka mbetur shumë pak. Fatmirësisht,
në se koha ka zhdukur gjurmët e dokumentuara, nuk mund të fshihen rrjedhojat e mira
të asaj limfe jetësore, që i jep jetë njeriut nga breznia në brezni, deri në ditët
tona. Njerëzimi ka një borxh të pallogaritshëm ndaj kësaj tradite madhështore të
gruas. Sa gra qenë e janë edhe sot e kësaj dite të vlerësuara më shumë për pamjen
e tyre fizike, sesa për kompetencën, aftësitë profesionale, veprat e mendjes, pasurinë
e ndjenjave të tyre e, së fundi, për vetë dinjitetin e tyre! 4. E ç’të thuash
pastaj, për vështirësitë që ende në shumë vende të botës, i pengojnë gratë të përfshihen
plotësisht në jetën shoqërore, politike dhe ekonomike? Sigurisht mbetet akoma shumë
për të bërë që nëna dhe gruaja të mos diskriminohen. Eshtë urgjente të vendoset kudo
barazia e vërtetë e të drejtave të njeriut, pra paga e barabartë për punë të barabartë,
kujdesi për punëtoren-nënë, ngritja e drejtë në përgjegjësi, të drejta të barabarta
të bashkëshortëve në familje, njohje e gjithçkaje që lidhet me të drejtat e detyrat
e qytetarit në një sistem demokratik. Eshtë fjala për një akt drejtësie, por edhe
për një nevojë. Problemet e vështira që do të shtrohen për diskutim: koha e lirë,
cilësia e jetës, emigrimi, shërbimet shoqërore, eutanazia, droga, shëndeti e asistenca,
ekologjia etj., do ta shohin gjithnjë më shumë gruan të përfshirë në politikën e së
ardhmes. Në të gjitha këto fusha do të vlerësohet e do të çmohet prania më e madhe
shoqërore e gruas, sepse ajo do të japë ndihmesën në kapërcimin e kontradiktave të
një shoqërie të organizuar mbi kritere të mirëfillta të zotësisë e të prodhimtarisë
dhe do të bëjë të reformohen sistemet në dobi të plotë të proçeseve të humanizimit,
që shpreh “qytetërimin e dashurisë”. 5. Duke pasur pastaj parasysh një nga
aspektet më delikate të gjendjes së gruas në botë, si të mos kujtosh historinë e gjatë
e poshtëruese “megjithëse shpesh të nëndheshme” të padrejtësive të kryera ndaj grave
në fushën e seksualitetit? Në prag të mijëvjeçarit të tretë, nuk mund të mbyllim veshët
dhe të dorëzohemi përballë këtij fenomeni. Ka ardhur koha për të dënuar me forcë format
e dhunës seksuale, të cilat jo rrallë kanë për objekt gratë, duke krijuar mjete të
përshtashme ligjore. Në emër të respektit për njeriun, nuk mund të mos denoncojmë
edhe kulturën e përhapur, që vë mbi gjithçka dëfrimin dhe fitimin, e cila i jep shtysë
shfrytëzimit sistematik të seksualitetit, duke shtrënguar dhe vajza të mitura të bien
pre e qarqeve të korruptuara dhe t’u shërbejnë për të shitur trupin e tyre. Përballë
një zvetënimi të tillë, sa meritojnë të vlerësohen gratë, që me dashuri heroike për
krijesën e tyre, çojnë përpara një shtatzani, pasojë e marrëdhënieve seksuale përdhunuese;
e kjo jo vetëm në kuadrin e mizorisë, që për fat të keq vërtetohet në situata lufte
të cilat vijojnë të tronditin botën, por edhe në situata mirëqenieje dhe paqeje, të
përlyera shpesh nga një kulturë që lejon realizimin e çdo lloj kënaqësie, në të cilën
lulëzojnë më lehtësisht prirjet agresive mashkullore. Në kushte të tilla, zgjedhja
e abortit, edhe pse mbetet gjithnjë mëkat i rëndë, para se të jetë përgjegjësi për
t’iu ngarkuar grave, është krim, për të cilin përgjegjësia kryesore i takon burrit
dhe ambientit për rreth. 6. Prandaj falenderimi im ndaj grave bëhet thirrje
e pikëlluar, që u drejtohet të gjithëve e veçanërisht shteteve dhe institucioneve
ndërkombëtare, që të bëjnë ç’është e mundur për t’u kthyer grave respektimin e plotë
të dinjitetit të tyre dhe të rolit të tyre. Prandaj nuk mund të mos shpreh admirimin
tim për gratë vullnetmira, të cilat i janë përkushtuar mbrojtjes së dinjitetit e krijimit
të kushteve të femrës për të fituar të drejtat themelore shoqërore, ekonomike e politike
dhe kanë ndërmarrë nisma të guximshme, në një kohë kur angazhimi i tyre konsiderohej
akt i paligjshëm dhe shenjë e mungesës së femërsisë, shfaqje e prirjes për t’u dukur
e, ndoshta, edhe mëkat. Ashtu siç shkruaja në Mesazhin e këtij viti për Ditën Botërore
të Paqes, duke parë proçesin e madh të çlirimit të gruas, mund të thuhet se “ka qenë
një rrugë e vështirë dhe e ndërlikuar e, ndonjë herë jo pa gabime, por në thelb, pozitive,
edhe pse ende e paplotësuar për shkak të pengesave të shumta, që në pjesë të ndryshme
të botës, e pengojnë gruan të njihet, të respektohet, t’i vlerësohet dinjiteti i saj
i veçantë (n. 4). Duhet vijuar ecja në këtë rrugë. Por jam i bindur se sekreti për
ta përshkuar me shkathtësi rrugën që çon drejt respektimit të plotë të identitetit
të gruas, nuk kalon vetëm nëpërmjet denoncimit, edhe pse i nevojshëm, të diskriminimeve
dhe të padrejtësive, por edhe, e sidomos, nëpërmjet një projekti sa veprues, aq edhe
largpamës, i cili rishikon të gjitha fushat e jetës femërore, duke nisur nga krijimi
i vetëdijes së re universale të dinjitetit të gruas. Në njohjen e kësaj të fundit,
megjithë kushtëzimet e shumta historike, na çon vetë arsyeja, që pranon ligjin e Zotit,
i cili na lejon të zbulojmë qartë themelin kryesor antropologjik të dinjitetit të
gruas, duke na e treguar këtë në projektin e Hyjit për njerëzimin. 7. Pranoni,
pra, fort të dashura motra, që bashkë me ju të kujtoj sërisht faqen e mrekullueshme
biblike, që paraqet krijimin e njeriut dhe ndërkohë flet për dinjitetin tuaj dhe për
misionin tuaj në botë. Libri i Zanafillës flet për krijimin në mënyrë të përmbledhur
dhe me një gjuhë poetike e simbolike, por thellësisht të vërtetë: “Zoti e krijoi njeriun
sipas shembëlltyrës së vet. Në shembëlltyrë të Hyjit e krijoi. Mashkull e femër i
krijoi. (Zan. 1, 27). Vepra krijuese e Zotit kryhet sipas një projekti të paracaktuar
mirë. Mbi të gjitha, thuhet se njeriu u krijua “sipas shembëlltyrës dhe ngjashmërisë
me Zotin” ( shiko Zan. 1, 26), shprehje që sqaron menjëherë veçantinë e njeriut në
tërësinë e veprës së krijimit. Thuhet pastaj se ai, që nga fillimi, është krijuar
si “mashkull e femër” (Zan. 2, 20). Zoti ndërhyn për ta shpëtuar nga vetmia: “Nuk
është mirë që njeriu të jetë i vetëm: dua t’i jap një ndihmë, që t’i përngjajë”. (Zan.
2, 18). Në krijimin e gruas, është shkruar prandaj që nga zanafilla, parimi i ndihmës:
“ndihmë” - “të jetë e qartë” - jo e njëanshme, por e anasjelltë. Gruaja është përplotësimi
i burrit, ashtu si burri është përplotësimi i gruas; gruaja dhe burri plotësojnë njera-tjetrin.
Femërsia e realizon njeriun, po aq sa mashkullsia, por në mënyra të ndryshme e plotësuese.
Kur Libri i Zanafillës flet për “ndihmë”, nuk ka parasysh vetëm veprimin, por edhe
vetë “qenien”. Femërsia dhe mashkullsia përplotësojnë njëra-tjetrin, jo vetëm në pikëpamje
fizike e psikike, por edhe ontologjike. Vetëm falë dyanshmërisë të “mashkullit” e
të “femrës” njeriu realizohet plotësisht. 8. Pasi krijoi njeriun, mashkullin
dhe femrën, Zoti u tha të dyve: “Popullojeni tokën dhe sundojeni” (Zan. 1, 28). Pra,
nuk u jep atyre vetëm mundësinë për ta shtuar e përjetësuar në kohë gjininë njerëzore,
por u beson si detyrë edhe tokën, duke i ngarkuar t’ia mbarështojnë burimet me përgjegjësi.
Njeriu, qenie e arsyshme dhe e lirë, është i thirrur t’ia ndryshojë pamjen tokës.
Në këtë detyrë, e cila në vetvete është vepër e kulturës, si burri, ashtu edhe gruaja,
kanë përgjegjësi të njëjta që nga zanafilla. Në dhurimin e anasjelltë të vetvetes
përmes martesës dhe në lindjen e fëmijëve, në detyrën e tyre të përbashkët për ta
sunduar e për ta nënshtruar tokën, gruaja e burri nuk pasqyrojnë një barazi të amullt,
ata nuk janë kopje e njëri-tjetrit, por as nuk ndryshojnë thellësisht dhe nuk kanë
ndërmjet tyre kontradikta të pashmangëshme: marrëdhënia e tyre më e natyrshme, që
i përgjigjet projektit të Zotit, është “uniteti i të dyve” apo “shkrirja e të dyve
në një qenie të vetme”, që i lejon secilit ta ndjejë marrëdhënien ndërpersonale dhe
të anasjelltë si dhuratë që të pasuron e të ngarkon me përgjegjësi. Këtij “bashkimi
të të dyve” i besohet nga Zoti jo vetëm lindja e fëmijëve dhe kujdesi i familjes,
por edhe ndërtimi i vetë historisë. Në se gjatë Vitit Ndërkombëtar të Familjes, kremtuar
më 1994, vëmendja u përqendrua mbi gruan si nënë, rasti i Konferencës së Pekinit krijon
mundësinë për një ndërgjegjësim të ri në lidhje me kontributin e shumfishtë që sjell
gruaja në jetën e shoqërive e të kombeve. Eshtë kontribut me natyrë para së gjithash
shpirtëror e kulturor, por edhe shoqëror, politik, ekonomik. Në të vërtetë, fushat
e ndryshme të shoqërisë, shtetet, kulturat kombëtare e, në fund të fundit, progresi
i tërë qenies së shoqërisë, i detyrohet shumë kontributit të gruas. 9. Normalisht
progresi vlerësohet sipas kategorive shkencore e teknike, e edhe në këtë drejtim nuk
mungon kontributi i gruas. Megjithatë, nuk është kjo e vetmja përmasë e progresit,
madje nuk është as kryesorja. Na duket më e rëndësishme përmasa shoqëroro- etike,
e cila ka të bëjë me marrëdhëniet njerëzore dhe me vlerat shpirtërore: në një përmasë
të tillë, e cila shpesh është zhvilluar pa bujë, duke u nisur nga marrëdhëniet e përditshme
ndërmjet njerëzve, sidomos brënda familjes, një pjesë e mirë e shoqërisë i ka borxhe
të mëdha pikërisht “gjeniut të gruas”. Me këtë rast dëshiroj t’u shpreh mirënjohje
të posaçme grave të cilat, përtej kufijve të familjes, impenjohen në fusha të ndryshme
të veprimtarive edukative: në kopshte për fëmijë, shkolla, universitete, institute
asistence, famulli, shoqata e lëvizje. Kudo që ndjehet nevoja për punë edukative,
mund të vërehet gatishmëria e plotë e grave për t’iu kushtuar marrëdhënieve njerëzore,
posasçërisht në dobi të atyre që janë të ligësht, që nuk kanë mbrojtje. Në veprimtari
të tilla ato realizojnë ndjenjat e ngrohta amtare, kulturore e shpirtërore, me vlerë
vërtetë të paçmueshme përsa i përket peshës që kanë në zhvillimin e njeriut dhe të
ardhmërisë së shoqërisë. E si të mos kujtosh këtu dëshminë e shumë grave katolike
e të shumë kongregatave rregulltare femërore të cilat, në kontinente të ndryshme,
e kanë bërë edukimin, sidomos të djemëve e të vajzave të vogla, shërbimin e tyre kryesor?
Si të mos i shohësh me frymë mirënjohjeje të gjitha gratë, të cilat kanë punuar e
vijojnë të punojnë në frontin e shëndetit, jo vetëm brënda rrethit të institucioneve
shëndetësore të mirorganizuara, por shpesh në rrethana tepër të pasigurta, në vendet
më të varfra të botës, duke dhënë dëshmi gadishmërie që, jo rrallë, i afrohen martirizimit. 10.
Dëshiroj pra, fort të dashura motra, që të meditojmë me kujdes të posaçëm mbi
temën e “gjeniut të gruas”, jo vetëm për të njohur natyrën e projektit të saktë të
Zotit, që duhet pranuar e nderuar, por edhe për t’i bërë asaj vend përherë e më tepër
në jetën shoqërore, sidomos në atë kishtare. Pikërisht mbi këtë temë, të rrahur tashmë
me rastin e Vitit Marian, pata rastin të ndalem gjërësisht në Letrën apostolike të
përmendur më lart “Mulieris dignitatem”, botuar më 1988. Këtë vit, me rastin e të
Enjtes së Madhe, Letrës së zakonshme që u drejtoj meshtarëve, desha t’i bashkëngjit
idealisht pikërisht “Mulieris dignitatem”, duke i ftuar të reflektojnë mbi rolin domethënës
që luan gruaja në jetën e tyre, si nënë, si motër dhe si bashkëpunëtore në veprat
e apostullimit. Eshtë kjo një tjetër përmasë, e ndryshme nga ajo martesore, por po
aq e rëndësishme, është ajo “ndihmë” që gruaja, sipas zanafillës, është e thirrur
t’i japë burrit. Tek Maria Kisha sheh shprehjen më të lartë të “gjeniut femëror”,
gjen edhe burimin e pashterrshëm të frymëzimit. Maria quhet “shërbëtorja e Zotit”
(Lk. 1, 38). Për shkak të bindjes ndaj fjalës së Hyjit, ajo e pranoi misionin e vet
të privilegjuar, por aspak të lehtë, të bashkëshortes dhe të nënës të familjes së
Nazaretit. Duke u vënë në shërbim të Zotit, Ajo u vu edhe në shërbim të njerëzve:
në shërbim dashurie. Pikërisht ky shërbim i dha mundësinë të realizojë në jetën e
saj përvojën misterioze, por të njëmendtë, të “mbretërimit”. Jo rastësisht thirret
“Mbretëresha e qiellit dhe e tokës”. Kështu e quan bashkësia e besimtarëve; e thërrasin
“Mbretëreshë” shumë kombe e popuj. Për të “të mbretërojë” do të thotë të shërbejë!
“Të shërbejë”, do të thotë të mbretërojë! Kështu duhet kuptuar autoriteti si në familje,
ashtu edhe në shoqëri e në Kishë. . “Mbretërimi” është zbulesa e prirjes themelore
të qenies njerëzore, që është krijuar sipas “shembëlltyrës” së Atij që është Perëndi
i qiellit e i tokës, dhe është thirrur të jetë në Krishtin, bir i adoptuar i Zotit.
Njeriu është e vetmja krijesë mbi tokë “që Hyji ka dashur ta krijojë për vetveten
e tij”, siç mëson Konçili II i Vatikanit, i cili në mënyrë domethënëse shton se njeriu
“nuk mund të jetë plotësisht vetvetja, përveçse përmes dhurimit të sinqertë të vetvetes”
(Gaudium et spes”, n. 24). Në këtë përmbahet “mbretërimi” amtar i Marisë. Duke i pasë
dhuruar gjithë vetveten të Birit, ajo bëhet dhuratë edhe për gjithë bijat e bijtë
e gjinisë njerëzore dhe ngjall besim të thellë tek çdo njeri, i cili i drejtohet Asaj
për t’i prirë përgjatë udhëve të vështira, drejt fatit të vet përfundimtar e të mbinatyrshëm.
Në këtë cak përfundimtar, cak që drejton si impenjimin e burrit, ashtu edhe të gruas,
secili arrin sipas etapave të thirrjes së vet. 11. Në këtë horizont “shërbimi”,
i cili në se kryhet me liri, reciprokësi e dashuri shpreh “pozitën vërtetë mbretërore”
të qenies njerëzore, është e mundur të pranohet pa pasoja të dëmshme për gruan, një
farë ndryshueshmërie rolesh, në atë masë, në të cilën një ndryshueshmëri e tillë nuk
është fryt i kundërvënies arbitrare, por buron fuqimisht nga veçantia e qenies mashkull
ose femër. Eshtë një diskutim që gjen zbatim të veçantë edhe në brëndësi të Kishës.
Në se Krishti, me zgjedhje të lirë e sovrane, - të dëshmuar më së mirë në Ungjill
dhe në traditën e përhershme kishtare, ua besoi vetëm burrave detyrën që të ishin
“ikonë” e fytyrës së tij si “bari” e “dhëndërr” i Kishës, nëpërmjet ushtrimit të shërbesës
meshtarake, kjo nuk i heq asgjë rolit të grave, as anëtarëve të tjerë të Kishës, që
nuk janë të ngarkuar për shërbesa të shenjta, por janë të gjithë njëlloj të veshur
me dinjitetin e posaçëm të meshtarisë të përbashkët, rrënjosur në Pagëzim. Këto ndryshime
rolesh në të vërtetë, nuk interpretohen nën dritën e normave që rregullojnë shoqërinë
njerëzore, por sipas kritereve të posaçme të ekonomisë sakramentore apo të asaj ekonomie
“shenjash” që Zoti i ka zgjedhur lirisht, për t’u bërë i pranishëm ndërmjet njerëzve.
Veç kësaj, pikërisht në vijën e ekonomisë së këtyre shenjave, edhe pse jashtë ambientit
sakramentor, nuk është më pak i rëndësishëm “feminiliteti” i jetuar sipas modelit
tepër të lartë të Marisë. Gjendet, në të vërtetë, në “feminilitetin” e gruas besimtare,
e në veçanti asaj që “i është kushtuar Zotit”, një lloj profecie imanente (shih Mulieris
dignitatem”, n. 29), një simbolizëm fort evokativ, si të thuash, një ikonë amësie,
që realizohet plotësisht në Marinë e që shpreh qenien e Kishës në vetvete, si bashkësi
e shuguruar me absolutizmin e një zemre “të virgjër”, për të qenë “vashë” e Krishtit
dhe “nënë” e besimtarëve. Në këtë perspektivë plotësimi “ikonik” të rolit të mashkullit
dhe të femrës, dalin më mirë në pah dy përmasa të pamohueshme të Kishës: parimi “marian”
dhe ai i apostullit Pjetër” (shih ibid. n. 27). Nga ana tjetër, në Letrën e lartpërmendur
të së Enjtes së Madhe të këtij viti, u kujtoja meshtarëve se shërbesa meshtarake në
projektin e Krishtit, “nuk është shprehje sundimi, por shërbimi” (n. 7). Eshtë detyrë
e ngutshme e Kishës, në përtritjen e përditshme nën dritën e Fjalës së Zotit, ta vërë
gjithnjë më shumë në dukje (gruan), si në zhvillimin e frymës së bashkimit, në përdorimin
e të gjitha mjeteve tipikisht kishtare të pjesëmarrjes, ashtu edhe nëpërmjet respektimit
dhe vlerësimit të karizmave të panumërta personale e të bashkësisë, të cilat Shpirti
i Zotit i ngjall për ndërtimin e bashkësisë së krishterë dhe në shërbim të njerëzve.
Në këtë hapësirë të gjërë shërbimi, historia e Kishës në këto dymijë vjet, megjithë
kushtëzimet e shumta, ka njohur vërtetë “gjeniun e gruas”, duke parë të dalin nga
gjiri i saj gra madhështore, të cilat kanë lënë gjurmët e tyre të thella dhe të dobishme
në kohë. Mendoj për radhën e gjatë të martireve, shenjtoreve, të grave me dhanti mistike.
Mendoj në mënyrë të veçantë për Shën Katerinën e Sienës dhe Shën Terezën e Avilës,
të cilave Papa Pali VI u dha titullin “Dijetare të Kishës”. E si të mos kujtosh pastaj,
të gjitha gratë që, të shtyra nga feja, vunë në jetë nisma me rëndësi të jashtzakonshme
shoqërore, veçanërisht në shërbim të më të varfërve? Ardhmerisë së Kishës në mijëvjeçarin
e tretë nuk do t’i mungojnë, sigurisht, manifestime të reja e të mahnitshme të “gjeniut
femëror”. 12. Ju e shihi, pra, fort të dashura motra, sesa arsye ka Kisha
për të dëshiruar që në Konferencën e ardhme, të thirrur në Pekin nga Kombet e Bashkuara,
të nxirret në dritë e vërteta e plotë mbi gruan. Le të vihet me të vërtetë në vend,
me rëndësinë e duhur, “gjeniu i gruas”, duke mos pasur parasysh vetëm gratë e mëdha
e të famshme, që kanë jetuar në të kaluarën, apo bashkëkohëset tona, por edhe ato
të thjeshtat, të cilat e shfaqin talentin e tyre femëror në shërbim të të tjerëve
gjatë jetës së përditshme. Në të vërtetë, posaçërisht në flijimin e vetvetes në dobi
të të tjerëve në jetën e përditshme, gruaja shpreh thellësisht thirrjen e jetës së
vet, ajo që ndoshta më tepër se burri, e njeh burrin, sepse e njeh me zemër. E njeh
pavarësisht nga sistemet e ndryshme ideologjike e politike. E njeh në madhështinë
e tij e në kufizimet e tij dhe përpiqet t’i dalë përpara në mes të rrugës e t’i jetë
ndihmë. Në këtë mënyrë, në historinë e njerëzimit, realizohet projekti kryesor i Krijuesit
dhe del në dritë pa rreshtur, me tërë larminë e vet, bukuria jo vetëm fizike, por
sidomos shpirtërore, që Zoti i dhuroi, qysh nga zanafilla, krijesës njerëzore e, në
mënyrë të veçantë, gruas. Ndërsa i lutem Zotit për përfundimin me sukses të takimit
të rëndësishëm të Pekinit, e ftoj bashkësinë kishtare ta shikojë këtë vit si rast
të përshtashëm për ta falënderuar nga zemra Krijuesin dhe Shëlbuesin e botës, pikërisht
për dhuratën e një të mire kaq të madhe, që është feminiliteti, i cili, në shprehjet
e veta të larmishme, i përket trashëgimisë së njerëzimit e të vetë Kishës. Vigjiloftë
Maria, Mbretëresha e dashurisë, mbi gratë dhe mbi misionin e tyre në shërbim të njerëzimit,
të paqes, të përhapjes së Mbretërisë së Hyjit! Me bekimin tim.
29 qershor
1995, Solemniteti i Shenjtërve Pjetër e Pal Nga Vatikani, Papa GJON PALI
II