2012-03-07 16:13:59

Papa kërkon të njihet roli i grave në zhvillimin e shoqërisë


“Të lutemi, që të njihet në mbarë botën kontributi i grave për zhvillimin e shoqërisë. Ky është ndjeti i lutjes së përgjithshme të Benediktit XVI për muajin mars. Të mos harrojmë se gjatë 31 ditëve të marsit, njëra, data 8, i kushtohet pikërisht këtij kontributi të pashoq të gruas, duke e parë veprimtarinë e saj në të gjitha fushat e jetës, që nga djepi, tek streha e tek sofra e shtruar ditë për ditë për të mbledhur rreth saj familjen. E Papa nënvizon me forcë kontributin e gjenisë femërore në jetën e Kishës e të shoqërisë. Për këtë ndjet papnor të lutjes, të dëgjojmë Kiara Amiranten, themeluese e Lëvizje “Horizonte të reja”:

Përgjigje: - Mendoj se është një meritë e madhe e Atit të Shenjtë që, përmes ndjetit të lutjes, tërheq vëmendjen pikërisht tek dinjiteti i gruas, sepse në kohët tona, do të thosha se roli i gruas në shoqëri jo vetëm që shikohet me sy nënvleftësues, por edhe diçka më shumë. Duhet rikthyer vlerësimi i gjenisë femërore, që e pati theksuar aq me forcë Gjon Pali II, duhet rizbuluar, deri në thellësitë e veta të pamatura. E kjo, sepse më duket se sot kemi kaluar në garën e gruas për t’ia zënë vendin burrit e anasjelltas. Po gruaja është grua e burri, burrë. Prandaj duhet rizbuluar sesa burri, me karakteristikat e veta, mund të jetë dhuratë dashurie për gruan, e anasjelltas. E unë mendoj se bota sot ka nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër, pikërisht për pakëz dashuri.

Pyetje: - Ç’kontribut të veçantë mund të japë gruaja e krishterë në shoqërinë e kohës sonë?

Përgjigje: - Çka e karakterizon gruan, është pikërisht aftësia e veçantë, vëmendja e veçantë për më të fundmit, prirja për solidaritet, aftësia për mikpritje. Ndërsa situata e sotme e gruas është me të vërtetë dramatike, pa folur këtu, për tregun e seksit e pornografinë. Mjafton të sjellësh në mendje vetëm disa të dhëna statistike, për t’u tmerruar. E kjo, sepse flasim për 320 milionë djem e vajza të shpërdoruara seksualisht. E të dhëna të tilla nuk mund të shikohen me indiferencë. Na kujtojnë se gruas i duhet dhënë vendi i drejtë, se duhet të rigjejë dinjitetin e humbur, se nuk duhet shikuar, siç shikohet tepër shpesh, vetëm si objekt i kënaqësisë e i shfrimit seksual.

Pyetje: - Dashuria është mister, e ju na e kujtoni këtë në librin tuaj të fundit: gruaja për vetë natyrën e saj e jeton thellësisht këtë mister dashurie….
Përgjigje: - Gruaja, në këtë drejtim, na ndihmon sadopak të kujtojmë se dashuria zë kryet e vendit në jetën e familjes, në jetën e shoqërisë e të Kishës Kemi një model në kuptimim e mirëfilltë të kësaj fjale: Marinë, e cila jo vetëm e pranoi misterin e dashurisë së Hyjit, i cili na deshi aq shumë, e vijon të na dojë pa kufi, por diti edhe ta jetojë në mënyrë të përkryer këtë dashuri, më e madhja, që provoi ndonjëherë njeriu. E ky njeri, ishte një Grua!







All the contents on this site are copyrighted ©.