Kostandin Kristoforidhi në 185-vjetorin e vdekjes.
Më 7 mars 1827 ndërroi jetë biblisti, gjuhëtari, leksikografi dhe atdhetari i njohur,
Kostandin Kristoforidhi, vepra e të cilit shërbeu si një nga gurët e themelit për
lavrimin e gjuhës shqipe. Ashtu si ndër vendet më të zhvilluara të botës historia
e gjuhës fillon me përkthimin e Shkrimit Shenjt, ashtu edhe dokumentet e para të shqipes
së shkruar e të lëvruar lidhen në mënyrë të pandashme me Shkrimin Shenjt, duke nisur
që nga Formula e Pagëzimit - dokumenti i parë, te Meshari i Buzukut - libri i parë
e tek përkthimet madhore e Kritoforidhit, për të mos vijuar me kohët tona. Kristoforidhi
lindi e vdiq në Elbasan. Mësimet e para i kreu në shkollën greke të vendlindjes, të
mesmet në gjimnazin e famshëm Zosimea të Janinës. Këtu u njoh me albanologun e famshëm
gjerman, Hahn, të cilit i mësoi shqipen. Duke shëtitur në vise të ndryshme të Shqipërisë
përkrah Hahnit, i dha atij një lëndë të begatë gjuhësore, por u pajis edhe vetë me
njohuri të thella për gjuhën shqipe. Më vonë vijoi studimet në Maltë; u kthye sërisht
në Shqipëri e punoi si mësues në Tiranë, për të vijuar përsëri studimet, këtë radhë
në Angli. Pas kryerjes së studimeve ushtroi profesionin e mësuesit në një shkollë
të Tunizit, ku edhe u martua me një greke. Në këtë kohë iu vu përkthimit të "Dhjatës
së Re" apo "Besëlidhjes së Re", të cilën e botoi më 1866 në Kostantinopojë me titull:
"Katër ungjillat dhe punët e apostujve". Libri pati shumë jehonë në Shqipëri dhe në
kolonitë shqiptare, ku të krishterët kishin aq nevojë për ta kremtuar liturgjinë në
gjuhën shqipe. Vijoi punën me përkthimin në dy dialekte, gegërisht e toskërisht, të
disa pjesëve të "Dhjatës së Vjetër" apo "Besëlidhjes së Vjetër", të cilën e botoi
më 1879. Më pas botoi një "Gramatikë" dhe përgatiti "Fjalorin shqip-greqisht", vepër
postume. Me këto vepra, të cilave u shtohen "Abetaret" e para shqipe pas Veqilharxhit,
tregimi "Gjahu i Malcorëve" dhe vjersha e parë shqipe për fëmijë, ai nisi të quhej
nga bashkëkohasit "babai i gjuhës shqipe". Puna e Kristoforidhit për përkthimin e
Shkrimit Shenjt mbetet një nga kontributet kryesore të tij për fenë e atdheun. Gegë
vetë, në përkthimin e Shkrimit Shenjt ai i përdori të dy dialektet, duke derdhur kështu
në një lum ujëplotë, dy përrenjtë e fuqishëm dialektorë të gjuhës shqipe.