2012-03-07 17:53:51

Benedikti XVI : Zoti na flet përmes heshtjes


Benedikti XVI në audiencën e sotme të përgjithshme mbajtur paradite në Vatikan, gjatë katekizmit foli mbi lutjen e Jezusit dhe temën e heshtjes së tij, kaq e rëndësishme në marrëdhënien me Zotin, duke u ndal edhe edhe mbi komunikimin dhe vlerën e dëgjimit. E gjatë katekizmit Papa kujtoi edhe figurën biblike të Besëlidhjes së Vjetër, Jobin, njeriut që “dalëngadalë humbë gjithçka, familjarët, të mirat, miqtë, shëndetin. E me gjithë këtë, në marrëdhënien e tij me Zotin, në lutjen e tij, sado që i kushtoi, ai e ruajti të paprekur fenë e vet dhe zbuloi vlerën e përvojës personale e të heshtjes së Zotit”. Kjo eksperiencë, shpjegoi Ati i Shenjtë Ratcinger para 20 mijë besimtarëve të pranishëm në audiencën e përgjithshme në Vatikan, “është posaçërisht domethënëse”, siç është, shtoi ai edhe “eksperienca e Jezusit mbi Kryq” kur e lëshon britmën në të cilën konvergojnë e përkojnë “të gjitha mundimet, të gjitha dhimbjet e të gjitha angështitë e njerëzimit të çdo kohe, rob i mëkatit dhe i vdekjes, të gjitha lutjet e zjarrta e ndërmjetësimet e historisë së shpëtimit”. Përvoja e madhe e Jezusit si dhe ajo e Jobit na sigurojnë se Hyji është përherë i pranishëm në jetën e njerëzimit, edhe kur hesht. Sepse, “Zoti na flet përmes heshtjes”. Kështu pohoi mes tjerash Papa Benedikti XVI në katekizmin gjatë audiencës së përgjithshme, duke nënvizuar faktin se “shpesh, në lutjen tonë, gjendemi para heshtjes së Zotit, ndjejmë gati gati një farë braktisjeje nga Ai, e na duket se nuk na dëgjon e nuk na përgjigjet”. “Mirëpo kjo heshtje – siguroi Papa –nuk tregon e nuk nënkupton mospraninë” e Tij, sepse “i krishteri e di se Zoti është i pranishëm dhe dëgjon, madje edhe në errësirën e dhimbjes, të refuzimit e të vetmisë”. Vërtet, në Ungjill “Jezusi i siguron dishepujt e çdonjërin prej nesh se Zoti i njeh dhe i di mirë të gjitha nevojat tona në çdo çast të jetës sonë”. E na mëson se “Zoti na njeh në thellësi, më shumë ne njohim vetveten, e na do: kjo duhet të na mjafton”.







All the contents on this site are copyrighted ©.