2012-03-07 18:19:48

21-vjetori i rihapjes së Katedrales së Shkodrës


7 marsi i vitit 1991 ishte një ditë pak e zymtë dhe me rigime shiu. Rrugët ishin gri dhe varfëria ndihej ngado në Shkodër e në Shqipëri në ato ditë që pasoheshin nga rënia e komunizmit, i cili e varfëroi këtë popull në mënyrë dramatike. Por në mes të asaj varfërie një dritë shprese ishte ndezur: feja. Ishte kthyer liria fetare prej pak muajsh me kremtimin e meshëve të para tek kapela e Varrezave katolike të Rrmajit. Dhjetorin, janarin, shkurtin populli katolik i Shkodrës e kishte kaluar me shërbesa fetare tek ajo kapele dhe në çdo shtëpi pasi edhe nëpër shtëpi kryheshin sakramentet për popullin e etur për Zot.
Më 7 mars 1991, një grup besimtarësh, të udhëhequr nga dom Zef Simoni dhe atë Aleks Baqli, me një kryq hekuri që mbahej nga një grup të rinjsh. si dhe me fuguren e Zojës së Këshillit të Mirë, u nisën nga Varrezat e Rrmajit në drejtim të Katedrales, që ishte e shndërruar në pallat sporti. Ata ecnin si me ngut sepse donin Kishën ... tempullin nga ku do të lartësonin lutjen e përbashkët. Dhe ashtu së bashku hynë në Katedrale, hoqën koshat e basketbollit .. e më pas ndërsa salla ushtonte nga kënga e “Zojës së Shkodrës” dhe “Christus Vincit” një grup burrash morën kryqin që kishin sjellë, u ngjitën në kulmin e ndërtesës së dhunuar nga diktatori dhe prej atje hodhën poshtë sirenën e alarmit që shtinte vrerin sa herë tingëllonte dhe në vendin e saj vendosën Kryqin, simbolin e fitores së Krishtit mbi djallin dhe të keqen. Ah, t'i shihje shkodranët si shpërthenin nga gëzimi atë ditë ... asgjë s'ishte vuajtja, as burgu e as varfëria ... ata ishin të lumtur, se po shkruanin një histori me Zotin dhe me Kishën.
E gjithë ajo ditë dhe disa të tjera që do të vijonin do të filmoheshin nga dy meshtarë të ardhur nga Kosova, dom Dodë Gjergji dhe dom Lucjan Avgustini (sot të dy ipeshkvij në popullin shqiptar) të cilët na bënë nder duke dokumentuar atë ngjarje, atë gëzim.
Arqipeshkvia Metropolitane Shkodër-Pult dhe Famullia e Shën Shtjefnit Shkodër, duke dashur ta kujtojë këtë 20-vjetor të hapjes së Katedrales pas regjimit komunist, organizuan momente të ndryshme fetare e artistike.
Në vigjiljen e 20-vjetorit, të dielën, dt. 6 mars, në Sallën Kardinal “Mikel Koliqi” në ora 18:00, do të shfaqej “I sëmuri për mend”, vepër e autorit Molier, e vënë në skenë nga nxënësit e Shkollës “Maria Ndihmëtare”, përgatitur nga Z. Gjovalin Gjoni, nën kujdesin e Motrave Saleziane.
Ndërsa ditën e hënë, dt. 7 mars, që ishte edhe data e 20-vjetorit, u kremtua Mesha solemne e kësaj rrethane nga Sh. T. Imzot Angelo Massafra, në shenjë falënderimi Zotit dhe lutjeje për të gjithë protagonistët e atyre ditëve. Emocionues ishte fakti se administratori famullitar kishte kërkuar që në këtë meshë të këndonin kori i grave të Katedrales, pasi shumica e atyre grave ishin gjithashtu protagoniste të marrjes së Katedrales. Pas Meshës, nën kujdesin e Arqipeshkvit, në fund të Katedrales u inauguruan dy pllaka memoriale, ku njëra përkujton historinë dhe ngjarjet e lidhura me Katedralen e tjetra pasqyron datën historike të vizitës së Shërbëtorit të Hyjit Gjon Pali II në Katedralen e Shkodrës.
Do të përfundonte ky përkujtim me një festë popullore të organizuar nga Këshilli Baritor i Famullisë së Shën Shtjefnit, që duke qenë në atmosferën e karnavaleve, kishin përgatitur disa bejta popullore, pak festë e petulla.
Dom Gjovalin Sukaj

Nga “Fjala e Paqes”, lajmëtar fetaro-kulturor i Arqipeshkvisë Metropolitane Shkodër – Pult Nr. 2 (97) Viti XIII Shkurt - Mars 2011







All the contents on this site are copyrighted ©.