2012-03-06 16:22:50

Benedikti XVI dhe kryeipeshkvi i Kanterburit, sot së bashku për mijëvjeçarin e Kuvendit Kamaldoli


Benedikti XVI vizitn sot Manastirin Benediktin të Shën Gregorit në Çelio, në Romë, me rastin e mijëvjeçarit të themelimit të Fondacionit apo Oshënarisë së Shenjtë të Kamaldolit nga Shën Romualdi. Për këtë njëjtën vjen në Vatikan edhe kryeipeshkvi anglikan i Kanterburit, Rouan Uiliams, që u prit sot në mëngjes nga Papa. Ndërsa, në orën 17.30, Ati i Shenjtë kryeson Lutjet Mbrëmësore në bashkëkremtim me Primatin Anglikan kryeipeshkvin Uiliams në manastirin benediktin te Çelios, për Festën e Kalimit në amshim të shën Gregorit të Madh.
Kuvendi ka një rëndësi të veçantë edhe për anglezët, pasi aty, shën Gregori i Madh zgjodhi shën Augustinin dhe 40 murgjërit e tij për të shpallur Ungjillin në Angli. Takimi i Papës dhe i kryeipeshkvit anglikan është pra, një çast ekumenik, që do të karakterizohet nga disa gjeste plot domethënie. Në fund të Mbrëmësoreve, Papa dhe kryeipeshkvi do të shkojnë në Kapelën e Shën Gregorit për ndezur një llambë. Gjithashtu, do të vendoset edhe një kryq guri kelt, që vjen pikërisht nga Kanterburi, e ndoshta edhe një ikonë. Përforcohet kështu tradita e gjatë e lidhjeve ndërmjet Bashkimit Anglikan dhe manastirit kamaldolez romak, që mori hov sidomos pas Koncilit II të Vatikanit.
Nesër, më 11 mars, gjithnjë në kuadrin e kremtimeve, në orën 16.00, do të zhvillohet një konferencë mbi “Monakizmin dhe Ekumenizmin”. Kryeipeshkvi i Kanterburit, Rouan Uiliams do të mbajë një kumtesë me titull “Virtytet murgare dhe shpresat ekumenike”. Dom Robert Hejl, epror i oshënarisë “New Camaldoli” në Kaliforni të SHBA-ve, do të përgjigjet me një kumtesë të titulluar “Lidhjet që bashkojnë komunitetin murgar të Shën Gregorit në Çelio me Kanterburin e Bashkimin Anglikan”.







All the contents on this site are copyrighted ©.