2012-03-05 16:34:13

Takimi i ipeshkvijve të Evropës Juglindore. Imzot Xhordano: të krishterët duhet të jenë protagonistë të ndërtimit evropian


Kryetarët e Konferencave ipeshkvnore të Evropës Juglindore janë mbledhur, që sot, në Strasburg, në takimin e tyre të 12-të, organizuar nga Këshilli i Konferencave Epikospale të Evropës si dhe nga Misioni i Përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës. Sipas programit, të mërkurën e ardhshme, më 7 mars, në orën 18.30, në katedralen e Strasburgut, do të kremtohet një Meshë për Evropën. Për qëllimet e këtij takimi flet, në mikrofonin tonë, imzot Aldo Xhordano, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Këshillit të Evropës:
Përgjigje: - Ne e dimë se është e rëndësishme që të krishterët të jenë të pranishëm atje, ku merren vendime në nivel evropian. Prej këndej, qëllimi është të njihen më mirë institucionet evropiane, ta dinë se ne jemi të interesuar e të pranishëm. Të fitohet kompetencë e re, për t’ua transmetuar, pastaj, popujve e bashkësive, që laikët të bëhen protagonistë të këtij ndërtimi evropian.

Pyetje: - Takimi mbahet në një situatë krize të rëndë, që vijon të trondisë mbarë Evropën: ç’mund të bëjë Kisha, për të dalë nga kjo situatë?

Përgjigje: - Ne, natyrisht, e vërejmë krizën e identitetit të Evropës. Besoj se ndihmesa e Kishës në këtë pikë, duhet të jetë vendimtare, sepse, sipas nesh, Evropa duhet ta ruajë identitetin e vet, e jo vetëm atë ekonomik, por edhe, e sidomos, atë politik e kulturor. Në këtë identitet kulturor, përmasa e krishtërimit është me rëndësi të dorës së parë. E kjo, sepse Evropa nuk mund të kuptohet pa krishtërimin. Nuk mund të flasësh për historinë dymijëvjeçare evropiane, pa kujtuar krishtërimin, që duket në forma nga më të ndryshmet, në të gjitha fushat e jetës e të zhvillimit. E në zemër të krishterimit, një aspekt tjetër është ai i solidaritetit, përmasa e ndihmës reciproke, e respektit për të afërmin, e dashurisë për të afërmin. Një kontribut tjetër, që krishterimi i jep shoqërisë, është ai i dashurisë së krishterë. Po dashuri të krishterë pa drejtësi nuk mund të ketë; madje, dashuria e krishterë shkon përtej drejtësisë: i hap udhën përmasës së dhurimit, përmasës së shërbimit pa asnjë interes, përmasës së faljes; përmasa, këto, që në këtë çast, mund t’ia ndryshojnë faqen shoqërisë, në krizë.

Pyetje: - Familja po bëhet realitet gjithnjë më i brishtë: ç’mund të na thoni për të?

Përgjigje: - Mendoj se është detyrë themelore, mbi të gjitha, t’i jepet përsëri përgjigje pyetjes: “Ç’është familja?”, domethënë, të përkufizohet përsëri. Ne, për fat të keq, sot nuk e kemi aspak të lehtë të themi ç’është familja. Ne e shikojmë familjen, në realitet, në natyrë, me sytë e Zotit, si marrëdhënie ndërmjet një burri me një grua, marrëdhënie, që i hap udhën jetës së re. Ndërsa sot, brenda kësaj fjale përfshihen koncepte, që janë në kundërshtim të plotë me të. Edhe disa terma si “baba”, “nënë”, “bashkëshort”, bashkëshorte”, madje deri “burrë” e “grua”, janë bërë fjalë, që e kanë humbur fare përmbajtjen e vet të natyrshme, kanë prirjen të zhduken, të marrin kuptime krejt të papërcaktuara, të përgjithshme. Njerëzit kanë nisur të thonë prindi A, prindi B, ose bashkëshorti A, a bashkëshorti B, ose, edhe më keq, ka nga ata që thonë: nuk jemi burrë e grua, po jemi “gender”(gjini). E gjithë kjo, që ka të bëjë me aspekte të ndryshme të kulturës aktuale evropiane, s’mund të shikohet ndryshe, veçse si largim nga realiteti. Prej këndej, duhet të përpiqemi, në radhë të parë, të rikthehemi tek realiteti, ndërsa ne, besimtarët, tek realiteti, sipas dëshirës së Zotit, tek tema e familjes.

Pyetje: - Në qendër të takimit, edhe tema e lirisë fetare, e rrezikuar edhe kjo në Perëndim… Shikojmë, për shembull, çështjen e kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes në SHBA…

Përgjigje: - Nga njëra anë, për sa i përket fesë në përgjithësi, shikoj një interesim të ri. Institucionet ndërkombëtare janë të vetëdijshme se feja është vendimtare për popujt, për kulturat, e, prej këndej, një pikë themelore referimi; nga ana tjetër, kemi shumë hapa për të bërë. Mbi të gjitha, duhet të fitojmë – nga njëra anë - lirinë e kultit, lirinë e organizimit të brendshëm, lirinë për ta shpallur, për ta kumtuar fenë tonë; ndërsa nga ana tjetër, kemi nevojë për të qenë të pranishëm në hapësirën publike, në atë, që Papa e nënvizon shpesh, me fjalët: “Zoti ka të drejtë të jetë në hapësirën publike”. Në se heqim Zotin, kemi hequr bazën e bashkëjetesës, të paqes, të solidaritetit. Në këtë fushë na dalin shumë probleme: mendojmë për praninë e simboleve fetare në hapësirat publike e edhe për çështjen, që kujtuat juve, atë të kundërshtimit për arsye të ndërgjegjes, që organizatat fetare të mund t’i qëndrojnë besnike etikës, moralit, parimeve, vlerave të tyre, e të mos detyrohen, në ndonjë farë mënyre, nga pushteti, t’u kundërvihen vetë vlerave të veta. Njohim fakte, që flasin për diskriminime fetare, deri në persekutim të mirëfilltë. Vendet e Evropës Juglindore, që përfaqësohen këtu nga ipeshkvijtë, janë të gjitha vende, që kalojnë periudha të vështira. Kisha katolike në këto vende, është numerikisht e paktë, e, prej këndej, edhe problemet janë të pakicave: që nga njohja e lirisë reale të shprehjes, tek mundësia reale për të qenë të pranishëm në hapësirën publike. Shikoj se një diskutim tjetër në Evropë është edhe ai i lidhjes së lirisë së shprehjes në mjetet e komunikimit, shumë e nënvizuar sot, me respektin për vlerat e fesë. Deri në ç’pikë mund të shkojë liria e shprehjes? Ku i ka kufijtë? Ku duhet të ndalesh, për të mos dhunuar vlerat fetare e, sidomos, për të mos i fryrë zjarrit të urrejtjes kundër fesë e vlerave të saj?

Pyetje: - Ju mendoni se në Evropë ka rrezik që feja të mënjanohet e të mbyllet edhe më shumë në jetën private?

Përgjigje: - Po, që ekziston një prirje e tillë, kjo duket sheshit; e sheshit duket edhe se ka forca, që punojnë me zell të madh në këtë drejtim. Por, nga ana tjetër, vërej dhe se në shpirtin e besimtarëve lind një vetëdije e re e përkatësisë së krishterë. Vërej edhe një erë të re frike, që fryn nëpër Evropë! Jemi më pak arrogantë, sepse më pak të sigurtë, më të pushtuar nga frika….

Pyetje: - Edhe tema e bioetikës është mjaft e ngatërruar…

Përgjigje: - Kohët e fundit Asambleja parlamentare i tha ‘jo’ eutanazisë, theksoi se eutanazia nuk duhet pranuar në asnjë rast, e kjo është shumë pozitive. Pak kohë më parë, në një rezolutë, shumëkush u shpreh në favor të kundërshtimit për arsye ndëgjegjeje të personelit mjekësor. Gjykata i njohu Austrisë të drejtën për ta refuzuar fekondimin heterogjen në laborator, domethënë fekondimin me farë, që nuk vjen nga çifti. Edhe për Irlandën, Gjykata pohoi se nuk ekziston e drejta e abortit. Por gjithsesi, temat, që lidhen me jetën, me lindjen, me rritjen, me botën mjekësore, me fundin e jetës, janë vërtet tejet aktuale. Edhe këtu besoj se gjithçka duhet bazuar mbi vetë natyrën e njeriut, sepse vihet në lojë ardhmëria e tij. Lojë tepër e rrezikshme, kjo…

Pyetje: - Ndërmjet sfidave të këtyre vendeve të Evropës Juglindore, është edhe dialogu ekumenik…

Përgjigje: - Nga njëra anë këto Kisha kanë vështirësi, por nga ana tjetër, në laboratoret e tyre eksperimentohet edhe dialogu ekumenik, takimi ndërmjet feve, që bëhet shumë i nevojshëm për mbarë Evropën. Shpresoj se ky takim do të jetë rast i përshtatshëm, që zëri i këtyre Kishave të dëgjohet më fort edhe nga Kishat e tjera, nga e gjithë Evropa. Duke vizituar këto vende, vërejta shpesh një gjallëri të madhe të jetës së krishterë, që më duket shembullore, duke parë edhe rrethanat e vështira, në të cilat jetohet.

Pyetje: - Të mërkurën do të kremtoni Meshën për Evropën….

Përgjigje: - Po, është një propozim, që ne duam ta realizojmë në Katedralen e shkëlqyer të Strasburgut, ku do të jenë të pranishëm ipeshkvijtë e zonës së Evropës Juglindore. Kemi ftuar edhe përfaqësuesit e Këshillit të Evropës, e edhe bashkësi e miq, që interesohen në mënyrë të veçantë për Evropën, me vetëdijen, siç thotë Papa në Enciklikën “Caritas in Veritate”, se jeta paqësore, jeta solidare, jeta e drejtë ndërmjet popujve, në fund të fundit, është dhuratë, e ne, që duam ta marrim, duhet edhe ta lypim! Prej këndej, do t’i lutemi Zotit që Evropa t’i hapë krahët, për ta pranuar dhuratën, të cilën Hyji dëshiron t’ia bëjë. Zoti nuk e ka lëshuar kurrë dore Evropën: në se jemi ne ata, që e kanë braktisur Zotin, problemi është yni! Zoti dha jetën edhe për këtë Evropë, e kjo Meshë ka për qëllim që, me ndihmën e Zotit, të rifitohet kjo vetëdije.








All the contents on this site are copyrighted ©.