Shenja të rizbulimit të Sakramentit të Pendesës. Në Romë, më se 700 meshtarë marrin
pjesë në një kurs për Rrëfimin.
Filloi dje, pranë Pallatit të Kancelarisë, në Romë, edicioni i 3-të i “Kursit kushtuar
Sakramentit të Rrëfimit, organizuar nga Pendestaria Apostolike. Marrin pjesë më se
700 meshtarë, nga 84 kombe të ndryshme. Gjatë zhvillimit të kursit, do të flasin,
ndërmjet tjerësh, imzot Xhanfranko Xhiroti, mëkëmbës i Pendestarisë. E pyetëm
pikërisht për vlerën e Sakramentit të Rrëfimit:
Përgjigje: -
Jam i bindur se sot rizbulimi i Sakramentit të Rrëfimit varet në një masë të madhe
nga vetë meshtarët e, posaçërisht, nga vetëdija se ata kryejnë një shërbim tejet të
pazëvendësueshëm. I Lumi Gjon Pali II thoshte se meshtarët, duke u dhënë besimtarëve
Hirin e faljes, përmes Sakramentit të Rrëfimit, kryejnë aktin më të lartë të meshtarisë
së tyre, pas Eukaristisë.
Pyetje: - A ka shenja, që tregojnë se
po rilind interesimi për Sakramentin e Pendesës e të hirit të faljes?
Përgjigje:
- Faleminderës Zotit, po. Natyrisht duhen përshkuar përherë shtigje të
reja pendestare, që e shikojnë Sakramentin e Rrëfimit si përfundim të një rruge, në
të cilën besimtari e ka ndjerë fort përgjegjësinë për veprat e kryera. Rrëfimi nuk
duhet të jetë deklaratë e vullnetit të mirë, por e pranisë së Hyjit në jetën vetjake.
Sigurisht sot vërehet një farë zbehjeje e kuptimi të mëkatit, por, këto kohët e
fundit, vërejmë edhe se shumë besimtarë po e jetojnë Sakramentin me një përmasë të
re.
Pyetje: - Nganjëherë besimtarët flasin për ndryshime të ndjeshme
ndërmjet rrëfyesëve: njëri është më i ashpër, tjetri, më i butë…
Përgjigje:
- Në të vërtetë, kurset tona kanë këtë objektiv, të forcojnë kompetencën,
doktrinën e rrëfyesve, për t’i ndihmuar të veprojnë gjithnjë sipas mësimeve të Kishës,
në mënyrë që të mos ketë ndryshime ndërmjet gjykimeve, por të gjithë të zbatojnë parimet
e magjisterit të Kishës.
Pyetje: - Nganjëherë – siç kemi dëgjuar
- jepen rrugëzgjidhje të ndryshme, për probleme të njëjta…
Përgjigje:
- Po, kjo edhe mund të ndodhë. Por duhet pasur mirë parasysh se në rrëfim
nuk mund të jepen udhëzime arbitrare mbi probleme delikate. Kur është fjala për probleme
të tilla, meshtari nuk mund të japë udhëzime sipas mendjes së tij: duhet të propozojë
gjithnjë ligjin e Kishës.
Pyetje: - Ç’këshilla do t’i jepnit një
rrëfyesi?
Përgjigje: - Një rrëfyes i mirë duhet të jetë gjithnjë
mikpritës, i qetë. Nuk duhet të jetë kurrë i ngutshëm. Sidomos, nuk duhet të harrojë
kurrë se kryen një detyrë atërore, sepse i zbulon njeriut zemrën e Atit qiellor: personifikon
pikërisht figurën e Bariut të Mirë, Jezu Krishtit.
Pyetje: - Një
këshillë për pendestarët?
Përgjigje: - Ta rizbulojnë vlerën
e këtij Sakramenti, Sakrament i shenjtërimit, tepër i rëndësishëm për jetën e krishterë.