Më 4 mars kujtojmë fillimet e masakrës masive komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri
Duke shfletuar kalendarin historik, më 4 mars, përkujtojmë fillimet e masakrës masive
komuniste kundër klerit katolik në Shqipëri. Në orën pesë të mëngjesit të datës
4 mars 1946 u pushkatuan në Shkodër, pranë varrezave të qytetit, atë Gjovanni Fausti
e atë Daniel Dajani, së bashku me nxënësin Mark Çuni, atë Gjon Shllakun ofm, Qerim
Sadikun dhe Gjelosh Lulashin. U akuzuan si sabotues e armiq të popullit, meqë
ishin anëtarë të Shoqatës Bashkimi shqiptar, në të vërtetë u pushkatuan me urdhër
të diktatorit famëkeq komunist Enver Hoxha vetëm pse besonin në Zotin e vetëm pse
mbronin të drejtat themelore të popullit e të atdheut. Vrasja e këtyre martirëve ishte
vetëm fillimi i rrugës së kalvarit, që përshkoi kleri e populli shqiptar gjatë regjimit
komunist, kalvar që ngadhënjeu mbi errësirën dhe tmerret e përbindshme të diktaturës
komuniste në Shqipëri. Ja shkurtimisht disa të dhëna mbi martirët e parë të Kishës
shqiptare në kohën e diktaturës komuniste: Atë Daniel Dajani S.J. Lindi
në Blinisht (Zadrimë), më 2 Dhjetor 1906. Pas shkollës fillore, të cilën e kreu në
fshatin e tij, shkoi në Torino ku ndoqi kurset e filozofisë dhe të teologjisë. U shugurua
meshtar në Kieri (Itali), më 15 korrik 1938. U rikthye në Shqipëri dhe dha mësimin
e latinishtes në Seminar. Meshtar shumë i ndershëm dhe i zellshëm, i kujdesshëm për
të mirën e shpirtrave, e mbi të gjitha për formimin e seminaristëve, me të cilët ishte
shumë i afërt dhe i gatshëm, ishte si një vëlla; shumë i dashur nga të gjithë. U arrestua
bashkë me Atë Faustin, u dënua me vdekje dhe u pushkatua më 4 mars 1946. U torturua
në mënyrë çnjerëzore. Atë Giovanni Fausti S.I. Lindi në Broco të Breshës
(Itali), më 19 Tetor 1899. Studioi në qytetin e vet, në seminarin ipeshkvnor. U shugurua
meshtar në Romë, më 9 korrik 1922. Pas hyrjes në Shoqërinë e Jezusit, e dërguan në
Shqipëri. Person me kulturë të gjerë dhe përshpirtëri shumë të madhe. Në Shqipëri
kishte detyrën e zëvendësprovincialit. Ndërsa po i shpinin drejt pushkatimit, forconte
vetveten dhe të tjerët me fjalët e psalmistit: "Të shkojmë në shtëpinë e Zotit". U
arrestua më 31 dhjetor 1945, së bashku me Atë Dajanin, dhe pastaj u pushkatua më 4
mars 1946. Atë Gjon Shllaku: Lindi në Shkodër, më 27 Korrik 1907. Shkollën
fillore dhe të mesme e kreu tek françeskanët (Shkodër). Vazhdoi studimet në universitetin
e Lovanios në Belgjikë, për shkenca; për filozofi e teologji në Holandë dhe në Sorbona
të Parisit, ku mori doktoratin. U shugurua meshtar më 15 mars 1931. Kur u kthye në
Shqipëri, qe profesor i filozofisë në liceun "Illyricum" të françeskanëve (Shkodër).
U arrestua para studentëve të tij gjatë orës së mësimit, në janar të vitit 1945 dhe
u pushkatua më 4 mars. Fjalët e tij të fundit, siç del nga aktet, qenë: "Rroftë Krishti
Mbret! I falim armiqtë tanë!". Mark Çuni, seminarist Lindi në Rranxa
të Bushatit (Shkodër), më 30 shtator 1919. Pas shkollës fillore, kryer në fshatin
e vet, shkollën e mesme e kreu në Shkodër dhe tetëmbëdhjetëvjeçar vazhdoi studimet
në Seminarin Papnor në Shkodër. Qe themelues klandestin i organizatës politike "Bashkimi
Shqiptar" brenda seminarit. Eprorët e tij nuk e dinin një gjë të tillë. Kur organizata
u zbulua nga qeveria, u arrestuan Atë Fausti e Atë Dajani, si eprorë dhe përgjegjës
të Seminarit. Pastaj seminaristi u arrestua dhe u dënua me vdekje, bashkë me eprorët
e vet. U pushkatua më 4 mars 1946.