2012-03-05 18:59:34

Kryetarja e Parlamentit, Topalli: të kërkohet falje për viktimat e komunizmit


“Në emër të jetës e të së drejtës kërkoj që ish-partia e Enver Hoxhës të kërkojë ndjesë të thellë e të vërtetë për viktimat e komunizmit”, deklaroi të hënën kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Jozefina Topalli, në fjalën e mbajtur në seancën homazh, në nderim të kujtimit të 22 intelektualëve të pushkatuar pa gjyq nga regjimi komunist, më 26 shkurt 1951.
“61 vjet më parë u pushkatuan 22 burra, pa prokuror e pa avokat. Pa dosje hetimore, pa dëshmi, pa dëshmitarë. U pushkatuan pa gjyq e pa vendim. Ishte një Vendim Partie, vendim për dënim kolektiv”, tha Jozefina Topalli në fjalën e saj.
Ajo nënvizoi se kjo ishte një kohë e dhimbshme, e krimeve monstruoze të pashembullta, të nënshkruara nga dorë shqiptari. “Ishte koha e tragjedive të vendit të shqiponjave, për të cilat folën motrat, vëllezërit, bijtë e nipat e të pushkatuarve, por për to nuk foli kurrë Partia që mori vendimin”, tha kryetarja e Kuvendit.
“Për to dhe për 6 mijë të tjerë të pushkatuar gjatë komunizmit nuk u kërkua falje asnjëherë, ende as sot, pas 21 vitesh demokraci. Ndaj ne, përsëri sot, duhet të flasim me zë të lartë, e t’i tregojmë fëmijëve tanë, të rinjve se çfarë ishte ajo kohë”, theksoi kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë në fjalën e saj.







All the contents on this site are copyrighted ©.