Në Siri, vazhdon masakrimi i opozitës nga regjimi i presidentit Bashar al Asad. Gjatë
orëve të fundit, vetëm në qytetin e Homsit, janë vrarë 45 vetë. Luftime të ashpra
po zhvillohen, që nga nata e djeshme, edhe në Dara’a, qytet në kufi me Jordaninë.
E pas bombardimeve të paradites së sotme, rreth 2000 vetë u larguan në panik nga Qseir
drejt Libanit. Ndërkaq, shumëfishohen përpjekjet e bashkësisë ndërkombëtare për
të gjetur një zgjidhje të problemit sirian. Nesër, do të shkojë në Damask ish-ambasadori
kinez, i cili do të paraqesë një propozim gjashtë pikësh për paqen, që parashikon
ndalimin e dhunës dhe fillimin e një dialogu “pa kushtëzime” ndërmjet palëve. Më 10
mars, ministri i jashtëm rus, Sergei Lavrov do të takojë në Kajro, përfaqësuesit e
Lidhjes Arabe, ndërsa të nesërmen, më 11 mars, i dërguari i veçantë i OKB-së dhe i
Lidhjes Arabe, ish-sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, Kofi Anan do të
takojë autoritetet siriane në Damask.