2012-03-04 18:04:29

Riti i ri i salikimeve: Kisha nuk e miraton shpërndarjen e hirit të të vdekurit.


Të rejat, që kanë të bëjnë me kremtimet e salikimeve, ishin në qendër të vëmendjes, gjatë paraqitjes së vëllimit “Riti i salikimeve”. Libri, i botuar nga Shtëpia Botuese e Vatikanit, u paraqit në Sallën Markoni të Radios sonë. E reja, që të bie më shumë në sy, ka të bëjë me djegien e trupit të të vdekurit në kremator. Botimi II i “Ritit të salikimeve”, që rishikon të gjitha tekstet biblike e të lutjeve, i përgjigjet edhe orientimit të sotëm të shoqërisë, për ta larguar sa më shumë mendimin se një ditë të gjithë do të vdesin. Imzot Domeniko Pompili, zëvendës-sekretar i Konferencës ipeshkvnore italiane dhe drejtor i Zyrës për komunikimet shoqërore e shpjegon kështu këtë prirje:RealAudioMP3
“Vdekja, në realitet, është zhdukur fare nga horizonti i jetës së përditshme, edhe në këndvështrimin perceptiv, ndërsa vihet gjithnjë më shumë në qendër të spektakleve të ndryshme, që nga televizioni, tek kinemaja e letërsia artistike. Të sëmurët për vdekje, gjithnjë më shpesh zhduken në heshtjen e vetminë e akullt të strehëve për moshën e shtyrë. Vdesin vetëm. Larg familjes, që nuk i ndjek fare në çastet e fundme të jetës. Fëmijët nuk lejohen t’i nderojnë trupat e vdekur të gjyshërve, sepse, sipas mendësisë së sotme, tepër tronditëse për moshën e tyre. Kështu ata mbeten fare të paditur, përballë një ngjarjeje me rëndësi vendimtare për jetën”.
Risia a parë e vëllimit “Riti i salikimeve” ka të bëjë vizitën e meshtarit në familjen e të ndjerit. Imzot Anxhelo Lamiri, i zyrës liturgjike kombëtare të Konferencës ipeshkvnore italiane, pohon:
“Për një meshtar, ky është çasti i ndarjes së dhimbjes me njerëzit, që kanë humbur të dashurin; i dëgjimit të familjarëve në zi, i njohjes me jetën e të ndjerit, gjë që krijon mundësinë për të sjellë kujtime intime, prekëse, në homelinë e salikimeve”.
Një tjetër adoptim, ka të bëjë me përfundimin e salikimit dhe me bekimin. Por e reja më kryesore është “shtojca” e salikimeve, kur trupi i të vdekurit digjet në kremtor:
“Quhet ‘shtojcë’, sepse nuk ka asnjë përkim me botimin tipik latin, gjë që vë në dukje se Kisha, ndonëse nuk ka asnjë kundërshtim për djegien e trupave, kur nuk bëhet nga urrejtja kundër fesë, vijon ta shikojë varrimin e trupit të njeriut si formë më të përshtatshme, sepse shpreh më mirë besimin në ringjallje, e korpit, ushqen përshpirtërinë e besimtarëve dhe u jep mundësi familjarëve e miqve ta kujtojnë të dashurin e vdekur, duke shkuar për vizitë në varreza e duke u lutur për shpirtin e tij. Gjithsesi ritet e parashikuara për t’u kremtuar në kapelë ose në varrezë, mbeten po ato, edhe në rastin e djegies, duke e shoqëruar trupin deri tek krematori. Kremtimi duhet të përfundojë me vendosjen e urnës, që përmban hirin e të vdekurit, në varr. Për Kishën, shpërndarja hirit të të vdekurit në natyrë, ose ruajtja në vende të ndryshme të varrezës, nuk është në përkim të plotë me fenë e krishterë, posaçërisht kur nënkupton koncepte panteistike ose natyralistike”.
Vëllimi “Riti i salikimeve” vë theksin mbi vlerën e respektimit të të vdekurit, respektit për trupin e njeriut, edhe kur është i vdekur, si edhe mbi ruajtjen e kujtimit, me bindjen se kjo është shprehje e humanizmit të vërtetë.







All the contents on this site are copyrighted ©.