2012-03-04 18:03:43

Benedikti XVI në famullinë romake në Torrino: feja duhet njohur


“Të zhduket analfabetizmi fetar, një nga problemet më të vështira të kohës sonë”: kjo ishte porosia kryesore e Papës sot, gjatë Meshës, kremtuar në famullinë e Shën Gjonit Batista dela Sale, në lagjen romake, në Torrino. Feja duhet jetuar së bashku, e famullia është vendi, ku njeriu ndjehet në mjedisin e vet, në Kishë, tha Papa, duke kujtuar, në vijim, edhe detyrën e familjes për edukimin fetar të fëmijëve. E, kur e rrethoi një turmë gazmore fëmijësh, Ati i Shenjtë nuk mundi të mos entuziazmohej e, sidomos, të mos mbushej me optimizëm për të ardhmen: “Ç’gëzim i madh të shikosh kaq shumë fëmijë, theksoi! Roma jeton e do të jetojë edhe nesër”.RealAudioMP3

Pritje e ngrohtë, e përzemërt e plot dashuri, ajo që i bënë Papës banorët e lagjes Torrino, në rrethinat e Romës. Gjatë homelisë, Benedikti XVI komentoi leximet, duke u nisur nga prova e rëndë e Abrahamit, kur Zoti i kërkoi të flijonte të birin e vetëm, Isakun. Mund ta marrim me mend, shpjegoi Papa, atë që provoi zemra e atit, e, jo më pak, edhe zemra e birit. Por gjithçka, që nisi me hijen e rëndë të vdekjes, përfundoi me gazin e jetës. Sepse Zoti nuk e do vdekjen, do jetën:
Abrahami lëshohet aq plotësisht në dorë të Zotit, sa është gati të flijojë edhe të birin, e me të birin, ardhmërinë, sepse pa të birin, Toka e premtuar bëhej hi e pluhur. E, duke flijuar të birin, flijonte edhe vetveten, gjithë të ardhmen e tij, gjithë premtimin. Jemi vërtet para një besimi pa asnjë kusht”.
Në leximin e dytë, Benedikti XVI kaloi në një episod tjetër, atë të Shndërrimit të Zotit. Pjetrit, Jakut e Gjonit Jezusi i tregon udhën e dashurisë së ndritshme, që fiton mbi errësirën, udhën, që kalon përmes dhurimit të plotë të vetvetes. Është udha e shkandullit të Kryqit. Ndërsa Shndërrimi, çast i përshpejtimit të dritës, e…
“…hekzod përfundimtar, që na hap portën kah liria e risia e Ringjalljes, kah shpëtimi nga e keqja. Sa nevojë kemi për të, në udhën tonë të përditshme , mbi të cilën shpesh dyndet errësira e së keqes”.
Ne, ashtu si Apostujt, vijoi Ati i Shenjtë, kemi shumë nevojë të shndritemi nga drita e Zotit. E Zotin mund ta takojmë përmes lutjes në bashkësi e në vetmi. Jo si ide, as si propozim moral, por si Vetje:
Mos prisni që të tjerët të vijnë e të na sjellin mesazhe të ndryshme, që nuk çojnë në jetën e vërtetë, por bëjuni ju vetë misionarë të Krishtit për vëllezërit, atje ku jetojnë, ku punojnë, studiojnë ose kalojnë kohën e lirë”.
Vendi i vërtetë ku jetohet feja, është famullia, ku jemi “neve”, ne, të Kishës e të familjes së Zotit:
“Uroj që Viti i Fesë të jetë rast i përshatshëm edhe për këtë famulli, për t’u rritur, për të përforcuar përvojën e katekizmit mbi të vërtetat e mëdha të fesë së krishterë e për të krijuar, kështu, kushtet, që e gjithë lagjeja ta njohë e ta thellojë Besojmën e Kishës, duke zhdukur atë analfabetizëm fetar, që është një nga problemet më të mëdha të kohës sonë”.
E mjedisi kryesor i jetës, është familja, kujtoi Papa, sepse pikërisht në familje hidhen hapat e para të fesë. Është e nevojshme edhe që Eukaristia të shikohet si zemra e jetës. Të bashkuar rreth saj, e kuptojmë më lehtë se misioni i çdo bashkësie të krishterë është t’ia kumtojë njerëzve mesazhin e madh të dashurisë së Zotit për të gjithë njerëzit.

Sapo arriti në famullinë al Torrino, kushtuar në dhjetor 2009, Papa u prit nga një turmë gazmore fëmijësh, që nuk u larguan, pa e përshëndetur nga afër:
“Për mua është gëzim i madh të shikoj kaq shumë fëmijë. Atëherë Roma jeton, e do të jetojë edhe nesër! Ju jeni udha e katekizmit: mësoni nga Jezusi, mësoni ç’bëri Zoti, çfarë tha, sa vuajti; do të mësoni, kështu edhe Kishën, sakramentet e kështu do të mësoni edhe të jetoni, sepse të jetosh është art më vete. E kush mund të na e mësojë këtë art, më mirë se Jezusi?”.
Pas takimit me fëmijët, Papën e përshëndeti famullitari i famullisë së Shën Gjonit Batista dela Sale, dom Gjanpaolo Perugjini, duke theksuar:
“Ne ju presim si Bari i Kishës universale, por sidomos, si Ipeshkvi ynë i Romës. Ju presim si Papë, por më shumë si Babë! Papës i bëhen gjithnjë dhuratat më të çmuara, ndërsa babës nganjëherë nuk dijmë ç’ t’i dhurojmë… aq më tepër ju, që nuk mbani as kravatë!”.
Në përfundim, duke përshëndetur besimtarët në tremen e famullisë, Papa kujtoi se jemi një familje me të gjithë Shenjtorët e se është e nevojshme të kujtojmë çdo ditë se Zoti është pranë nesh, sepse është qendra e jetës sonë.







All the contents on this site are copyrighted ©.