2012-03-03 13:14:23

Papa në përfundim të Ushtrimeve shpirtërore: shpesh herë jeta është tunel i errët, drita vjen nga besimi në Zotin.


Jeta mund të jetë tunel i errët, por në se besohet, mund të shikohet drita e Zotit dhe bukuria e botës. Me këto fjalë, Benedikti XVI komentoi shtegtimin e Ushtrimeve shpirtërore, që jetoi gjatë kësaj jave e që përfunduan sot paradite. Papa e falënderoi përzemërisht, si me gojë, ashtu edhe me shkrim, predikatarin e Ushtrimeve, kardinalin Laurent Monsengwo Pasinya, kryeipeshkëv i Kinshasës. Përmes fjalës Suaj, shkruan Papa në letrën e falënderimit, e ndjemë fort fenë e Kishës që beson, shpreson e dashuron në Kontinentin Afrikan.
Ndërsa duke i drejtuar fjalën kardinalit Afrikan, Benedikti XVI theksoi:RealAudioMP3
“Ju na pritë, simbolikisht, në kopshtin e madh të Letrës I të Shën Gjonit e kështu, në të gjithë Shkrimin Shenjt, me kompetencë të madhe ekzegjetike e me përvojë të pasur shpirtërore e baritore. Na udhëhoqët me syrin të ngulitur gjithnjë tek Zoti, e pikërisht me këtë sy të ngulur në Hyjin, mësuam dashurinë e fenë, që krijon bashkim”.
Ati i Shenjtë e falënderoi predikatarin edhe për shembujt prekës, që solli nga trojet afrikane, me të cilat i pasuroi meditimet ditë për ditë:
Mbeta posaçërisht i prekur nga historia, që na treguat për njërin nga miqtë tuaj. Duke qenë në komë, atij iu duk se po hynte në një tunel të errët, në fund të të cilit shikonte një dritë; e sidomos, dëgjonte një muzikë tepër të bukur. Mendoj se kjo mund të jetë shembëlltyrë e vetë jetës sonë: shpesh herë ndodhemi në një tunel të zi, si nata, por, përmes fesë, në fund të fundit shikojmë një fill drite, dëgjojmë një muzikë të bukur, perceptojmë bukurinë e Zotit, të qiellit e të tokës, të Hyjit krijues të krijesës së tij”.
Si bir i Kishës në Afrikë, e përfundon Benedikti XVI letrën drejtuar kardinalit Pasinya, ju na bëtë të kënaqemi përsëri me shkëmbimin e dhuratave, një nga aspektet më të bukura të bashkimit kishtar, përmes të cilit larmia e prejardhjeve gjeografike e kulturore, bëhet simfoni në unitetin e Korpit mistik.








All the contents on this site are copyrighted ©.