Presidentit Topi: Kuvendi i Lezhës simbol bashkimi për shqiptarët.
Fjala e Presidentit të Shqipërisë, Bamir Topi, që ishte programuar të mbahej, por
nuk u mbajt, sot në Lezhë, me rastin e 568 vjetorit të Kuvendit të Lezhës. Në vijim
fjala e plotë e Presidentit për këtë rast Të nderuar qytetarë të Lezhës dhe të
gjithë Shqipërisë, Të dashur vëllezër dhe motra! Në historinë e një kombi, ashtu
si në jetën e një njeriu, ka data e vende, të cilat me simbolikën dhe rëndësinë e
tyre mbeten të pazëvendësueshme, kujtohen me respektin më të madh dhe frymëzojnë në
rrugën drejt të ardhmes. Shteti shqiptar ka heroin e tij kombëtar, Gjergj Kastriotin
Skënderbeun; shteti shqiptar ka edhe simbolin e tij – flamurin kuq e zi; shteti shqiptar
ka edhe simbolikën frymëzuese të tij – Kuvendin e madh të Lezhës, njërën prej ngjarjeve
më të rëndësishme të historisë sonë kombëtare. Me Kuvendin e Fisnikëve Lezha u
bë zemra e shqiptarizmit, vendimet e tij u bënë gurë themeli i shtetit shqiptar të
Skënderbeut; jehona e tij frymëzoi disa dhjetëra breza shqiptarësh, – derisa ne sot,
nga Tirana dhe Prishtina, nga Tetova dhe Ulqini, mblidhemi për të kujtuar me krenari
e respektin më të thellë shtetëror, aktin e madh patriotik, shtetëror, kombëtar dhe
evropian të prijësave të Kuvendit të Lezhës. 2 marsi mbetet dita – simbol e bashkimit,
dita kur burrat e mençur e të fortë, lanë mënjanë dasitë e vogla dhe vendosën të bëjnë
bashkimin politik të shqiptarëve. Ata hodhën themelet e shtetit të ri evropian të
shqiptarëve, dhe me këtë akt, iu kundërvunë njërës prej perandorive pushtuese më të
mëdha që ka njohur historia evropiane. Me një ndërgjegje të lartë atdhetare, me vizionin
e qartë për identitetin dhe kombin shqiptar, me aftësinë politike për t’u bashkuar
në një flamur dhe atdhe, prijësit shqiptarë nën udhëheqjen e Gjergj Kastriotit ia
dolën të themelojnë Besëlidhjen Shqiptare dhe bashkë me të, shtetin e ri shqiptar. Akti
i tyre është aq i madh e frymëzues saqë në shekuj me radhë emri, flamuri, fjalët dhe
vendimet e Lezhës u bënë lajmotiv i çdo rezistence apo përpjekje për çlirim e bashkim
kombëtar. Madhështia dhe jehona e saj u përcoll brez pas brezi, mbajti të gjallë dashurinë
për vendin dhe ndjenjat patriotike, dhe jo rastësisht gjendet kudo si pikë reference
në të gjitha aktet e tjera të mëdha, që nga Lidhja e Prizrenit, Kuvendi i Vlorës,
Kongresi i Lushnjës deri në luftën e re çlirimtare të Kosovës. Rrallë ndonjë ngjarje
apo datë tjetër historike, e ka fituar natyrshëm këtë respekt dhe status sa Gjergj
Kastrioti me besëlidhjen e prijësve në Lezhën e vitit 1444. Nder përjetë atyre burrave
të shquar, shtetarë e fisnikë, të cilët me aktet politike dhe qëndresën e tyre ushtarake
bënë që shteti shqiptar e Shqipëria të mbijetojnë, dhe sot, shqiptarët të mbetën ashtu
si në kohën e Skënderbeut, populli më pro evropian në rajonin tonë. Festa e sotme
nis vargun e gjatë të aktiviteteve për nder të 100-vjetorit të shtetit modern shqiptar.
Në festa ashtu si në ditëlindjet e njeriut, thuhen vetëm urime dhe fjalë të mira.
Shqiptarët kanë arsye t’i gëzohen bilancit historik 100-vjeçar, sepse sot kemi një
Shqipëri evropiane, kemi Kosovën si një shtet të dytë shqiptar dhe evropian, siç kemi
një komb shqiptar vital, të lirë dhe evropian. Urimet tona janë sot për më shumë
progres dhe mbarësi për të gjithë shqiptarët kudo që ata ndodhen, për arritje më të
mëdha e të prekshme në rrugën tonë të demokracisë, shtetit të së drejtës dhe integrimit,
por mbi të gjitha, për një shoqëri e komb shqiptar që rriten, forcohen dhe bëhen,
ashtu siç aspironin rilindasit tanë, një kopsht i begatë në Evropën Juglindore. Duke
nderuar sot Kuvendin e Lezhës, madhështinë dhe aktet historike të prijësve shqiptarë,
Skënderbeun dhe veprën e tij të pavdekshme, kemi detyrimin që sot në Lezhën e bekuar
nga Zoti, të shohim së bashku nga e ardhmja, për një bashkim energjish dhe forcash
në interes të qytetarëve dhe të vendit. Asnjë më shumë nuk mund të na frymëzojë sa
simbolika e Besëlidhjes së Lezhës që politika dhe institucionet e saj vendimmarrëse,
– ta përdorin mandatin e tyre me modesti dhe fisnikëri, me përulje dhe përgjegjshmëri;
– si një detyrim moral, politik, institucional dhe atdhetar para qytetarëve, vendit
dhe interesave madhore të tij. Shqipëria dhe kombi shqiptar ka nevojë për një besëlidhje
rreth vlerave dhe normave demokratike, një sjellje e mentalitet politik që shikon
larg nga selitë politike apo interesat e momentit, një bashkim të energjive dhe vullneteve
politike e qytetare më të mira, • për të kuptuar më mirë shansin historik të kombit
shqiptar, • për të përsosur modelin e shtetit në shërbim të qytetarëve, • për
ta bërë shoqërinë më humane dhe qytetarët më aktivë, • për të nxjerrë në pah vlerat
e vërteta, • për të forcuar kulturën demokratike dhe pavarësinë politike dhe ekonomike
të qytetarit të lirë, • dhe kështu, për të bërë gjithçka çfarë pritet nga ne, çfarë
u kemi borxh qytetarëve dhe çfarë shqiptarët meritojnë, për shtet e komb shqiptar
në mirëqenie, zhvillim, stabilitet demokratik dhe pa humbur kohë, – të bashkuar në
familjen e madhe evropiane. 100-vjetori i shtetit shqiptar e meriton këtë reflektim,
– të frymëzohemi dhe të mësojmë nga e kaluara për ta ndërtuar sa më të sigurt të ardhmen
tonë. Kjo është arsyeja që kam bindjen se të gjithë shqiptarët do të donin sot
të ishin në Lezhë për t’u bërë pjesë e nderimit, respektit, reflektimit dhe angazhimit,
duke e bërë këtë festë dhe mesazhet e saj – edhe më madhështore, më fisnike dhe më
atdhetare, siç bënë të parët tanë 568 vite më parë. Edhe njëherë nderim e përulje
me respekt për Lezhën, për Kuvendin e Fisnikëve dhe Besëlidhjen e Lezhës, për Heroin
tonë kombëtar Gjergj Kastriotin Skënderbeun dhe për të gjithë ata breza që u frymëzuan
e sakrifikuan jetët e tyre në shërbim të shtetit shqiptar, kombit dhe shqiptarizmit!