2012-03-02 10:46:27

Më 2 mars 1444 në Kishës e Lezhës, u mbajt Besëlidhja e Lezhës.


Duke shfletuar kalendarin historik, sot përkujtojmë Kuvendit të Lezhës.
ku u hodhën themelet e Bashkimit Kombëtar të shqiptarëve, në një ndër periudhat më të tmerrshme e më të errëta të historisë.
Pra, pikërisht si sot, 568 vjet më parë, më 2 mars 1444 në Kishës katedrale të Shën Kollit në qytetin e Lezhës, ku sot gjendet dhe memoriali i Gjergj Kastriot Skënderbeut, u mbajt Besëlidhja e Lezhës, një nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë së popullit shqiptar gjatë periudhës së mesjetës e të tërë historisë kombëtare.
Ishte 2 marsi i vitit 1444, kur Gjergj Kastriot Skënderbeu, menjëherë pas kthimit nga Turqia, për herë të parë në historinë e mesjetës shqiptare mblodhi në një kuvend të gjitha principatat shqiptare, me qëllim përballimin e sulmit otoman. Pikërisht, realizimi i bashkimit të gjithë princave shqiptarë në një kuvend të përbashkët nga ana e Skënderbeut përbën edhe njërën ndër idetë më të mëdha e novatore të tij.
Në Kuvendin e Lezhës u mblodhën principata shqiptare nga veriu në jug, ku më të rëndësishmet ishin Arianitasit, Dukagjinasit, Balshajt dhe Topiat, ndërsa nga pikëpamja ballkanike në të mori pjesë dhe princi i Malit të Zi. Kuvendi vendosi komandant të përgjithshëm të Lidhjes Skënderbeun, duke njohur autoritetin e tij politik dhe ushtarak. Që prej këtij bashkimi udhëheqësi legjendar rriti rezistencën e ushtrisë së tij dhe drejtoi luftën për 25 vjet me radhë kundër pushtimit otoman.
Po t'i referohesh dokumentacionit historik kuvendi i Besëlidhjes nuk u mbajt rastësisht në qytetin e Lezhës, i cili në atë kohë ishte në zotërimin e Venedikut. Kjo ngjarje e rëndësishme u zhvillua në këtë qytet, pasi Lezha nuk përfaqësonte kryeqendrën e principatave dhe në këtë mënyrë shmangeshin grindjet e mundshme dhe krijohej ideja e barazisë.
Kjo është cilësuar nga shumë figura të asaj kohe edhe si një nga veprimet diplomatike të Skënderbeut. Kuvendi u mbajt në Lezhë, duke ditur faktin se Lezha me anë të pushtetit venedikas do të shërbente edhe si faktor përkrahje në Evropë, pasi një nga idetë me të mëdha të Lidhjes ishte integrimi i Shqipërisë në Evropën perëndimore.
Besëlidhja e Lezhës përbën një prej ngjarjeve më të rëndësishme të historisë së mesjetës. Më pas ky bashkim i popullit shqiptar do të përsëritej, kur në vitin 1878 do të mbahej Lidhja e Prizrenit, e do të vijon në luftën për çlirimin e shqiptarëve nga pushtimi otoman deri në shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë më 1912. Në të gjitha këto orvatje, ideja themelore ishte bashkimi i shqiptarëve përtej dallimeve krahinore, pikëpamjeve e orientimeve politike e atyre fetare, për të mbrojtur çështjen e identitetit kombëtar e për të arritur lirinë.







All the contents on this site are copyrighted ©.