2012-03-02 16:44:47

Ipeshkvijtë kubanë i shkruajnë Papës: prania juaj do t’i forcojë rrënjët e krishtera në ishull


“Një shtegtim, që urojmë t’i fuqizojë rrënjët e krishtera të kombit tonë”: kështu, plot besim e shpresë, e mbyllin ipeshkvijtë kubanë mesazhin e mirëseardhjes, drejtuar Benediktit XVI, që pritet për vizitë apostolike në ishullin karaibik, nga 26 deri më 29 mars. Prelatët përshkruajnë atmoferën entuziaste, si në famulli, ashtu edhe në zemrat e të gjithë kubanëve, që e ndjejnë veten pjesë e pandarë e Kishës katolike. Për besimtarët, vizita e Papës është realizim i një ëndrre, i një dëshire të zjarrtë. E kjo, shkruajnë ipeshkvijtë, ishte edhe dëshira e vetë Papës i cili, pa marrë parasysh as moshën, as largësinë e as përgjegjësinë që ka në Kishë e në botë, deshi të vinte për t’i shoqëruar kubanët në kremtimet për 400-vjetorin e zbulimit dhe të pranisë të figures së Zojës së Dashurisë së krishterë, Pajtore e vendit.Pasi kujtojnë etapat e shtegtimit të gjatë të figures së Zojës së Kobres, e cila gjatë tre vjetëve ka vizituar gjithë ishullin, duke përtërirë ndjenjat e mirënjohjes e të pajtimit në zemrat e kubanëve, prelatët përfundojnë duke propozuar, në javët, që i paraprijnë arritjes së Papës, caktimin e një dite agjërimi (më 16 mars) e të një tjetre, kushtuar veprimtarive bamirëse, për t’i kërkuar Zotit hirin që vizita e Papës në ishull, t’i pasurojë të gjithë me fryte të begata shpirtërore.







All the contents on this site are copyrighted ©.