2012-03-02 16:45:17

Imzot Tomazi: në Lindje, sulmet kundër të krishterëve rriten 309%; në Perëndim, feja kufizohet në jetën private.


Keqësohet në botë situata për lirinë fetare: kushtrimin e lëshoi, në Gjenevë, imzot Silvano Maria Tomazi, gjatë sesionit të Këshillit për të Drejtat e Njeriut. Prelati, vëzhgues i përhershëm i Selisë së Shenjtë pranë Zyrës së Kombeve të Bashkuara në qytetin helvetik, pohoi se në botë më se 2 miliard e 200 milionë besimtarë pësojnë kufizime me karakter fetar; përveç këtyre, nga viti 2003, deri në vitin 2010, u rritën 309% sulmet terroriste kundër të krishterëve në Afrikë, në Lindjen e Mesme e në Azi, ndërsa në Perëndim jemi përballë një kulture, e cila ka prirjen t’i mënjanojë gjithnjë më shumë njerëzit, që besojnë në Krishtin. Por, të dëgjojmë, në mikrofonin tonë, vetë imzot Tomazin:

Përgjigje: - Vëmendja, që i kushtojnë mjetet e komunikimit këtij problemi, përqendrohet kryesisht tek rastet e bujshme, të cilat kanë të bëjnë me pakicat e krishtera ose me pakica të tjera fetare në vendet e pazhvilluara, sepse në këto raste, dhuna është e dukshme, dramatike e krijon sensacionalizëm. Por problemi nuk kufizohet vetëm në vendet e pazhvilluara; edhe në vendet e perëndimore, në vendet e mëdha, të pasura, ndodhemi para prirjes, që çon në privatizmin e fesë, në mospranime kulturore e, ndonjë herë, edhe në qëndrime të hapura armiqësore kundër së drejtës për lirinë e ushtrimit të fesë, lirinë e besojmës. E kur flitet për arenën publike, nuk pranohet me dëshirë, madje shpesh dhe refuzohet krejtësisht fakti, se bindjet fetare kanë ende shumë për të thënë në këtë fushë.

Pyetje: - Ç’duhet bërë për ta kapërcyer këtë prirje, që synon ta përjashtojë kristianizmin nga jeta publike?

Përgjigje: - Hapi i parë është të përqendrohet vëmendja mbi bashkëjetesën e përditshme, që duhet të bazohet mbi respektin reciprok e mbi aftësinë për ta pranuar njëri-tjetrin, edhe kur ndryshojmë në shumë drejtime. Pastaj mendoj se një rol jetik, tepër të rëndësishëm, luajnë mjetet e komunikimit, e jo më pak, shkolla, ku duhet reflektuar shumë për ta pranuar tjetrin, e jo për ta urryer e për ta luftuar. Kjo vlen edhe për televizonin, për teleditoret, gazetat, që duhet të japin informacion korrekt e të ekuilibruar për të gjitha grupet përbërëse të shoqërisë. E kjo, sepse mungesë informimi, do të thotë mungesë edukimi, gjë që lehtëson përdorimin e njerëzve për interesa politike, duke çuar në abuzime e nganjëherë edhe në persekutimin e grupeve, posaçërisht, të pakicave. Duhet të punojmë edhe për drejtësi shoqërore, sepse vetëm duke zhdukur mjerimin, duke ndihmuar zhvillimin, duke i mundësuar të gjithë të marrin pjesë në drejtimin e pasurisë publike, krijojmë një mjedis të drejtë për lirinë fetare.

Pyetje: - Një vit më parë vritej ministri katolik i Pakistanit, Shahbaz Bhatti, ndoshta nga ekstremistët, që donin të mbronin ligjin mbi blasfeminë…

Përgjigje: - Për fat të keq, ligji mbi blasfeminë krijon mëdyshje të mëdha, sepse synon të mbrojë një fe të vetme, në vend që të mbronte të drejtën e të gjithë individëve për praktikimin e një feje, që e kanë zgjedhur me vullnet të lirë. Kur krijohen parakushte të tilla, që synojnë mbrojtjen e koncepteve abstrakte, në vend që të mbrojnë të drejtat e njerëzve konkretë, i hapet rruga shpërdorimeve. Kemi pasur raste vajzash, për shembull, që akuzohen se blasfemojnë, se përdorin shprehje kundër fesë, pretendime për fyerje kundër profetit Muhamet e islamit, vetëm e vetëm për t’i burgosur, ose për t’i detyruar të kthehen në islam, njerëzit që u kundërvihen fanatikëve. Kështu mekanizmi i ligjeve përdoret kundër asaj, që quhet blasfemi, duke dhunuar lirinë e vërtetë të besimit. Do të ishte e mirë dhe e drejtë të zhdukej kudo e një herë e përgjithmonë një tip i tillë ligjshmërie e të përballohej problemi i bashkëjetesës, duke i garantuar të gjithë qytetarëve e të gjithë njerëzve, të cilët jetojnë në trojet e një shteti, të drejtën themelore e të patjetërsueshme të lirisë së mendimit, të ndërgjegjes, të fesë e të praktikës fetare.







All the contents on this site are copyrighted ©.