2012-03-01 15:05:54

Ndihma Tokës së Shenjtë: thirrje për të mbështetur të krishterët në Lindjen e Mesme


Kongregata për Kishat Lindore bën thirrje të ndihmohet bashkësia e krishterë në Tokën e Shenjtë, përmes Letrës tradicionale drejtuar ipeshkvijve të mbarë botës për lëmoshët e së Premtes së Madhe.
Mesazhi, nënshkruar nga Prefekti, kardinali Leonardo Sandri, i fton të gjitha bashkësitë kishtare të organizojnë nisma lutjeje e bamirësie vëllazërore për të krishterët e kësaj zone, duke pasur mirë parasysh kushtet tejet të vështira, në të cilat jetojnë. Për dishepujt e Krishtit në të gjithë Lindjen e Mesme, shkruhet në Mesazh, qëndrimet armiqësore janë bukë e përditshme, që ushqejnë fenë e që, gjithnjë më shpesh, arrijnë kulmin me martirizim, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Emigrimi i të krishterëve është pasojë e mungesës së paqes në këto troje, ku shpresës ia zë vendin frika përballë një ardhmërie, që duket se nuk ekziston e të fton të ndjekësh një rrugë të vetme: ta braktisësh përgjithmonë atdheun. Kardinali Sandri, në gjurmët e thirrjeve të Papës për paqe e solidarietet, u kërkon gjithë të krishterëve të botës t’i mbështesin projektet e shumta të Rojtarisë së Tokës Shenjte, duke nisur nga meremetimi i vendeve të kultit, tek veprimtaritë në ndihmë të të rinjve e të familjeve më të varfëra, të shkollave, të qendrave mjekësore, të banesave, të bursave të studimit e formave të tjera të solidaritetit, që zhdukin frikën e ringjallin shpresat për një ardhmëri më të mirë në këto troje, ku nisi krishterimi e ku nuk duhet të mbarojë kurrë.
Viti i Fesë, në 50-vjetorin e Koncilit Ekumenik të Vatikanit, nënvizohet akoma në Mesazh, do të na nxisë edhe më shumë për të ecur drejt Tokës së Shenjtë, duke shtegtuar më parë me zemër në misteret e Krishtit, në shoqëri me Nënën e tij të Shenjtë. Të Premten e Madhe të ardhshme, shtrënguar rreth Kryqit, ta ndjejmë veten pranë këtyre vëllezërve e motrave tona, që të mund të fitojnë mbi vetminë, përmes solidaritetit vëllazëror. Kështu ata do të dëshmojnë me trup e shpirt në paqe, se “Jezusi është Zoti” e se Porta e fesë vijon t’i hapet njeriut edhe sot e kësaj dite, nga kjo Tokë, prej nga buron falja e mirësia për mbarë familjen njerëzore.







All the contents on this site are copyrighted ©.