2012-03-01 15:05:26

Këshilli i Kishave: kryeipeshkvi i Kanterburi flet për fenë dhe të drejtat e njeriut.


“Feja kontribuon si thelb doktrinor i parimeve themelore të universalitetit dhe të lirisë”: këtë theksoi kryeipeshkvi i Kanterburit, anglikani Rouan Uiljams, duke vizituar selinë e Këshillit Ekumenik të Kishave (Wcc) në Gjenevë. Me këtë rast, kryeipeshkvi Uiljams mbajti një konferencë me temë “Të drejtat e njeriut dhe besimi fetar”. Gjatë saj kreu anglikan vërejti se sot të drejtat e njeriut shikohen si kod juridik, i bazuar mbi interesa vetjake. Ndërsa është e rëndësishme të bazohen mbi interesat kulturore e komunitare të mbarë njerëzimit, pjesë përbërëse me shumë rëndësi e të cilave, është edhe besojma fetare. Mendoj, shtoi ipeshkvi anglikan, se ky vizion duhet të shërbejë për t’i kuptuar të drejtat e njeriut jo vetëm si të drejta individuale, por kryesisht, për njohjen reciproke ndërmjet qenieve njerëzore. Në këtë kuptim, ripohoi kreu anglikan, feja shpjegon arsyen pse të drejtat njerëzore janë universale, ose pse natyra e njeriut, krijuar sipas shembëlltyrës së Zotit, kërkon si barazinë, ashtu edhe vizionin abstrakt të të drejatve, pavarësisht nga sistemet politike e shoqërore.
Së fundi kryeipeshkvi i Kanterburit nënvizoi se feja luan një rol vendimtar në diskutimin mbi të drejtat e njeriut, duke garantuar edhe që gjuha me të cilën flitet për këto të drejta, të mos largohet shumë nga rruga e njohjes së shenjtërisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.