Imzot Mirdita: dom Nikollë Kaçorri qëndron në themelet e Shtetit shqiptar
Në muajin shkurt të vitit 2011, me rastin e kthimit të eshtrave të priftit e atdhetarit
shqiptar dom Nikollë Kaçorrit, në Kishën e shën Luçisë në Durrës në vendlindje, u
kremtua Mesha e dritës, udhëhequr nga kryeipeshkvi i Tiranë-Durrësit imzot Rrok Mirdita.
Në homelinë e kësaj Meshe, imzot Rrok Mirdita e kujtoi gjigantin e fesë e të kombit,
imzot Nikollë Kaçorrin, duke nënvizuar kontributin e tij për Fe e Atdhè si prift dhe
si nënkryetar i Qeverisë së Vlorës. Ja homelia që imzot Rrok Mirdita shqiptoi me atë
rast kushtuar njeriut të flamurit, projektuesit të pavarësisë së Shqipërisë, dom Nikollë
Kaçorrit. Homelia mbajtur nga imzot Rrok Mirdita ne Durres Mbi lumenjtë
e Babilonisë, Atje rrinim e vajtonim, E nëpër mend shkonim Sionin. Atje,
shpërngulësit tanë na kërkonin këngë: “Na këndoni këngët e Sionit!” Po si mund
t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj? Të nderuar Zonja dhe zotërinj, Të
dashur vëllezër e motra, Psalmi 137 përshkruan me nota melankolie të thellë gjendjen
e hebrenjve larg tokës së tyre të pushtuar e të shkretuar nga babilonezët para 2500
vjetësh. “Si mund t’i këndojmë këngët e Zotit në dhe të huaj?”, thotë psalmisti. Historia
biblike e shpërnguljes së hebrenjve është paradigmë e një populli që kërkon një atdhe
ku të jetë i lirë, sepse vetëm në liri mund të këndohen këngët e Zotit. Sot kemi
para nesh mbetjet mortore të një burri të madh të kombit tonë, që gjatë tërë jetës
ka kërkuar një atdhe të lirë dhe ka vdekur tokë të huaj. Imzot Nikollë Kaçorri
qëndron në themelet e shtetit shqiptar në të gjitha kuptimet e fjalës themel.
Së pari, sepse ka pasur bindjen e thellë se shqiptarët nuk mund të prisnin më për
t’u çliruar nga sundimi i gjatë osman, dhe kjo bindje e ka shtyrë të angazhohet për
të përgatitur mendërisht, kulturalisht dhe politikisht popullin shqiptar për shpalljen
e pavarësisë. Së dyti, sepse priti në Durrës delegacionin që ishte nisur nga Trieste
për të shpallur “Shqipninë e mos varme” dhe, pasi u vu re se shpallja e pavarësisë
në Durrës vihej në rrezik për shkak të pasigurisë së atij qyteti të kërcënuar nga
pretendimet serbe dhe greke, bëri të mundur sigurinë e udhëtimit të këtij delegacioni
drejt Vlorës. Së treti, sepse në Vlorë jo vetëm se hodhi firmën përkrah Ismail Qemalit
dhe ishte ndër pesë personat që valëvitën për herë të parë flamurin e Shqipërisë së
pavarur, por u bë edhe zëvendëskryeministri i parë i shtetit të ri shqiptar. Ai qëndron
në themelet e shtetit shqiptar jo vetëm sepse është njëri ndër gurët e mëdhenj të
këtij themeli, por sepse më shumë se të gjithë protagonistët e tjerë ka mbetur i fshehur
dhe i mbuluar me heshtje nga historia shqiptare si gjatë periudhës komuniste, ashtu
edhe gjatë këtyre njëzet vjetëve. Themelet janë të padukshme për vetë funksionin e
tyre të mbajtjes së godinës që mbështet mbi të, por, nëse njerëzit që banojnë në atë
godinë lejojnë të përjashtohen nga themelet gurë të tillë të mëdhenj, rrezikojnë të
banojnë në një godinë të lëkundshme. Përballë kthimit në Shqipëri të eshtrave të Imzot
Nikollë Kaçorrit, më lind vetvetishëm dhe fuqishëm dëshira dhe urimi që në Shqipëri
të fillojë të bëhet me vërtetësi, dashuri dhe korrektesë shkencore hetimi i historisë
sonë të hershme dhe të vonë, me motivin e vetëm, që kujtesa historike kombëtare të
bëhet një thesar i çmueshëm nga i cili të mund të nxjerrim mësime për të tashmen dhe
të ardhmen e vendit tonë. Njohja e turbullt e historisë së shkuar, pa llogaritur pastaj
shtrembërimin me apo pa dashje të saj, rëndon si një perde e errët në horizontin e
shpirtit të kombit, prandaj është detyrë jo vetëm e historianëve, por e çdo shqiptari,
të japë ndihmesën e vet për ta shthurur fije për fije këtë perde. Këtë ndihmesë
e kanë dhënë të gjithë ata që janë kujdesur për kthimin në atdhe të eshtrave të Imzot
Kaçorrit, prandaj atyre u drejtoj me gëzim dhe kënaqësi mirënjohjen time më të thellë. Le
të kthehemi edhe një herë tek psalmisti i sotëm. “Si t’i këndojmë këngët e Hyjit në
tokë të huaj?” Përvoja e tokës së huaj ka qenë përvoja e gati gjithë jetës së Imzot
Kaçorrit. Ai lindi në një fshat të Lurës në atë periudhë të historisë kur toka e shqiptarëve
ishte si të ishte e huaj, sepse gjendej nën zotërimin e Portës së Lartë të Stambollit.
Pas studimeve teologjike bazë në Shkodër, që do ta përgatisnin për meshtari, njohu
të tjera toka të huaja, sepse kaloi disa vite studimi në Zvicër, për t’u kthyer në
Shqipëri me prerjen mendore të njeriut evropian, për t’iu kushtuar bashkësive katolike
të kurbinit dhe të Durrësit. Përkushtimi baritor përfshinte realitetin njerëzor në
tërë përmasat e tij, prandaj famullitari i Durrësit jo vetëm që nuk la pas dore lëngatën
në të cilën gjendej popullsia shqiptare nën sundimin turk, por u vendos në krye të
lëvizjes për pavarësi. Pas shpalljes së pavarësisë, gëzoi vetëm për dy vjet shijen
aq të dëshiruar të tokës së vet, sepse barbaria e lëvizjes së Haxhi Qamilit jo vetëm
që e rrëzoi qeverinë ku ai ishte zëvendëskryeministër, por i dogji shtëpinë në Durrës,
duke kthyer në pluhur e hi njërën ndër bibliotekat më të pasura të Shqipërisë së asaj
kohe, që ai kishte mbledhur me pasion. Pas rrëzimit të qeverisë së Ismali Qemalit,
largohet nga Shqipëria për në Austri dhe atje vdes pas pesë vjetësh, për t’u lënë
në harresë. Harresa, megjithatë, nuk rëndon mbi të, por mi historinë tonë. Nëse
Psalmisti nuk i këndonte dot këngët e Zotit mbi lumenjtë e Babilonisë, sepse e digjte
malli për Jerusalemin, sikurse malli digjte edhe Imzot Kaçorrin për Shqipërinë kur
gjendej pranë brigjeve të lumit Danub në Vjenë, famullitari i Durrësit mund t’i këndonte
këngët e Zotit edhe në dhe të huaj, sepse kishte bërë gjithçka që kishte qenë e mundur
për dheun e vet. Në Ungjillin e sotëm kemi dëgjuar tregimin e takimit të Jezusit
me farisenjtë, që duan të dinë prej tij a duhet t’i paguhet taksa Çezarit apo jo.
Para se të japë përgjigjen, Jezusi kërkon një monedhë dhe, duke parë mbi të shëmbëllimin
e Çezarit, thotë fjalinë e famshme: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit dhe Zotit
çfarë i takon Zotit!”. I gjithë angazhimi politik i Imzot Bumçit nuk ka qenë tjetër,
përveçse përpjekje e sinqertë për t’i dhënë Çezarit çfarë i takon Çezarit. Sa herë
që mendojmë për politikën, na krijohet ideja se në politikë hyhet për të fituar, ose,
edhe më keq, për të përfituar. Fatkeqësisht, historia e shtetit tonë, që, pas pak
më shumë se një viti, mbush njëqind vjeç, është e mbushur me shembuj të një politike
të ushtruar e të kuptuar si pushtet dhe përfitim. Fatkeqësisht, jo vetëm forcat e
Haxhi Qamilit dhe jo vetëm egërsia e diktaturës komuniste, por edhe tranzicioni i
stërzgjatur njëzetvjeçar nuk na kanë dhënë një shembull bindës të politikës së kuptuar
si shërbim ndaj shoqërisë. Ungjilli që sapo kemi dëgjuar na kujton se në politikë
hyhet jo për të marrë, por për të dhënë: “Jepni Çezarit çfarë i takon Çezarit!” Imzot
Kaçorri, i mbrujtur me fjalën e Ungjillit, është angazhuar në politikën e Shqipërisë
jo për të marrë, por për të dhënë, dhe me të vërtetë ka dhënë gjithçka, deri edhe
famën e emrit të vet. Nga ana tjetër, duhet të angazhohemi ta nxjerrim në pah këtë
famë, që të jetë model jo vetëm për politikanët shqiptarë, por edhe për qytetarët
që kërkojnë frymëzim për vizionin e tyre politik. Duke u kthyer tek Ungjilli i
sotëm, në gjestin e Jezusit, që kërkon të shohë shëmbëllimin e Çezarit në monedhën
e perandorisë, duhet të lexojmë edhe diçka më shumë. Nëse në monedhë gjendet shëmbëllimi
i Çezarit, brenda njeriut gjendet shëmbëllimi i Hyjit. Libri i Zanafillës, kur tregon
krijimin e njeriut, na bën me dije se Zoti tha: “Ta bëjmë njeriun në shëmbëllimin
tonë”. Brenda njeriut, brenda çdo njeriu, Jezusi shikon shëmbëllimin e Hyjit, prandaj
ai ka ardhur për t’i kthyer njerëzit tek Hyji. Këtu gjejmë edhe përmasën tjetër
të Zëvëndëskryeministrit të parë të Shqipërisë së pavarur. Ai, imzot Nikollë Kaçorri
ishte njeri i Zotit, prandaj, sikurse ka jetuar politikën si mundësinë për t’i dhënë
Çezarit çfarë i takon Çezarit, pra si shërbim dhe jo si pushtet, poashtu ka jetuar
edhe besimin se thirrjen më të lartë të njeriut për t’iu kushtuar tërësisht Zotit.
Madje në këtë thirrje të Zotit, për të realizuar brenda nesh ngjashmërinë me të, qëndron
edhe çelësi i thirrjes sonë për t’u angazhuar në jetën sociale dhe politike. Është
pikërisht forca e kësaj thirrjeje që na nxjerr nga përtacia jonë dhe na angazhon për
të mirën e të gjithëve, sikurse na porosit shën Pali në leximin e dytë të kësaj liturgjie
nga Letra e Dytë drejtuar Selanikasve: “Po ju porosisim, o vëllezër, në emrin e Zotit
Jezu Krisht, të largohemi nga çdo vëlla që jeton në përtaci dhe jo sipas traditës
që morët prej nesh” (2Sel 3,6). E më tej përsëri: “Po dëgjojmë se disa nga ju jetojnë
në përtaci, nuk bëjnë asnjë punë dhe merret me gjëra të kota. Këta i porosisim dhe
i lusim në emër të Zotit Jezu Krisht që t’i shtrohen punës për të nxjerrë bukën e
gojës” (2Sel 3,11-12). Gjatë tërë jetës së tij Imzot Kaçorri ka punuar pa u lodhur
për të mirën e vendit të vet, prandaj sot, fjalët e Apostullit Palë duket sikur na
i thotë edhe ai neve, duke na lënë një shembull të mirë të jetës së krishterë: “Ju
e dini se si duhet të ndiqni shembullin tonë, sepse ne nuk jetuam në përtaci kur ishim
mes jush e as nuk kemi ngrënë falas nga ndonjëri prej jush, por jemi lodhur e munduar
duke punuar ditë e natë për të mos iu bërë barrë ndokujt” (2Sel 3,7-8). Deri më
sot historia e Shqipërisë nuk e ka shpërblyer Imzot Kaçorrin për kontributin e pamasë
që ai i ka dhënë vendit tonë, por ky fakt nuk na shqetëson ne që jemi mbledhur këtu
në emrin e besimit, sepse e dimë se shpërblimi vjen prej Zotit, prandaj lutemi që
Zoti të shpërblejë me lavdinë qiellore të gjitha vuajtjet e tij. Amen. Imzot
Rrok Mirdita Kujtojmë se Leximet biblike të liturgjisë së Fjalës Hyjnore të
Meshës së dritës kremtuar në Durrës nga imzot Mirdita janë marr nga 2Sel 3,6-15; Ps
137; Mt 22,15-22.