2012-03-01 15:22:16

Arkivi Sekret i Vatikanit tregon. Ekspozitë në Muzeumet Kapitoline. Intervistë me imzot Sergio Pagano


Kartat e famshme të procesit Galileo si edhe të atij kundër Templarëve, por edhe dokumente më të vona, që kanë të bëjnë Luftën II Botërore: këto, e shumë më tepër, mund të sodisin vizitorët, që do të shkojnë në Muzeumet Kapitoline të Romës, për të shijuar ekspozitën “Lux in Arcana: Arkivi Sekret i Vatikanit tregon”. Mbi karakterin krejt të veçantë të kësaj ekspozite, organizuar me rastin e 400-vjetorit të themelimit të Arkivit, flet prefekti i institucionit, kryeipeshkvi Sergio Pagano:RealAudioMP3

Përgjigje: - Vendimi u mor me rastin e 400-vjetorit të themelimit të Arkivit, nga Papa Pali V, në fillim të viteve 1612. Arkivi kremton, kështu, 400-vjetorin e veprimtarisë kulturore në shërbim të kulturës së Selisë së Shenjtë e të kulturës së mbarë botës, duke sjellë njëqind dokumente shumë të rëndësishme, në aspekte të ndryshme, në një muze, në zemër të Romës, ku mund të hyhet me lehtësi e në orare të përshtatshme për çdo njeri, që dëshiron t’i sodisë e, edhe t’i studiojë. E gjithë kjo, në kohë të tjera, do të kishte qenë pakëz e vështirë . Të shkosh në Muzeumet Kapitoline është edhe diçka simbolike, duke kujtuar se ky vend ka qenë dikur seli e qeverisë papnore për qytetin e Romës. Në marrëveshje me kryetarin e Bashkisë së Romës dhe me Zyrën përkatëse, u mor vendimi të organizohet ekspozita e madhe, e cila u hap dje pasdite.

Pyetje: - Me ç’ kriter i zgjodhët dokumentet?

Përgjigje: - Me disa kritere. Mbi të gjitha, u nisëm nga vlera e vetë dokumenteve. Kriter tjetër ishte ai i tipologjisë: deshëm që publiku i gjerë të shikonte ç’përmban Arkivi i Vatikanit, çfarë ruan, duke u nisur nga lëvorja e mështeknës, mbi të cilën indianët e Amerikës i shkruanin Leonit XVI, deri te pergamenat e lashta e te kartat më të reja. Pastaj, vulat e arta, konkordatatet, peshtafet etj etj. Kriter tjetër: të dëshmonin universalitetin e Kishës që, thënë kështu, duket një fakt i sigurtë. Po që bëhet edhe më i sigurtë kur shikon dokumentet e koncileve, të pakteve, të sinodeve, të legave, me një fjalë, dëshmon një pjesë të jetës së Kishës gjatë historisë. Kriter tjetër: të vinim në dukje baritorinë e papës së Romës në qeverisjen e Kishës. Tjetër, akoma, të rrëfenim, përmes dokumenteve, udhën që përshkoi historia e qytetërimit, kur Kisha ishte kultura e themelonte universitetet, kur Papët e Romës ishin në radhët e para të botimeve e të përdorimit të shtypit, në rrjedhë kohe…

Pyetje: - Sipas jush, ndërmjet gjithë këtyre dokumenteve, që dëshmojnë një mori faktesh historike, cilat mendoni se do të tërheqin më tepër vëmendjen e publikut, duke ngjallur më shumë kuriozitet?

Përgjigje: - Varet. Sepse, po të flasësh për publikun e studiuesve, që besoj se nuk do të jetë i shumtë, këta do të shkojnë të shikojnë dokumente që vijnë nga Mesjeta e hershme, e mesme dhe e vonë; por në se flasim në përgjithësi, mendoj se vizitorët do të tërhiqen më shumë nga procesi Galileo, procesi i Templarëve, i Xhordano Brunos, i kurorëzimit të papëve, i pushtetit tokësor e atij shpirtëror, i organizmit të kryqëzatave… Nuk e përjashtoj as Luftën e fundit Botërore, për të cilën Sekretaria e Shtetit lejoi të ekspozohen disa dokumente mjaft të pavarura nga seritë e tjera. Janë dokumente domethënëse, që kanë të bëjnë me bombardimin e Shën Lorencit e me bombardimin e Qytetit të Vatikanit, më 1943. Për ta dëshmuar këtë të fundit, kemi mbledhur disa cifla nga bombat, që ranë mbrapa bazilikës së Shën Pjetrit e që lidhen me relacionin e një xhandari papnor, i pranishëm në vend atë natë. Pastaj janë disa studime të Edith e Roza Shtain, relacione të Varreve Ardeatine, e kështu me radhë, shumë kuriozitete për publikun e të gjitha kategorive.

Pyetje: - Mendoj se duhet shumë kujdes për t’i ruajtur të pacënuara gjithë këto mrekulli, që ndryhen në peshtafin e Arkivit Sekret të Vatikanit?

Përgjigje: - Kërkohet kujdes i madh e dhe shpenzime të mëdha, që Selia e Shenjtë nuk i kursen kurrë, kur është fjala për t’i ruajtur, në rrjedhë kohe, në Arkivin e papëve, këto dëshmi të papërsëritshme historike, në dobi të mbarë historisë njerëzore. Duhen kujtuar, pastaj, edhe shpenzimet për personelin, për laboratoret e restaurimit, të lidhjes e të riprodhimit fotografik. Tani kemi edhe laboratore dixhitale, domethënë kemi nisur prej kohe të zbatojmë informatikën në arkive. Është një shumë e konsiderueshme parash kjo, që Selia Shenjtë shpenzon çdo vit për ta ruajtur nivelin e lartë të Arkivit Sekret të Vatikanit. E gjithë kjo, në dobi të studimeve e të kulturës së botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.